Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Në kujtim të 2 korrikut 1990

Ora e gjeografisë
Dialog
Mësuesja: Kjo është harta e Gadishullit Ballkanik. Dikur Arbëria kishte një hapësirë shumë më të gjerë. Pastaj erdhën pushtuesit osmanë.
Nxënësi A: Arbërit, pas masakrave osmane, ose u larguan nga vendi, ose nisën të përshtaten. Në të gjithë piramidën e Perandorisë osmane, veç sulltanit, takoje arnautë.
Mësuesja: Pas rënies së Perandorisë Osmane, Shqipëria fitoi pavarësinë. Mjaft troje iu shkëputën me dhunë Shqipërisë dhe iu bashkëngjitën Jugosllavisë dhe Greqisë.
Nxënësi B: Po. Arnautët, kur panë se perandoria mori fund, u larguan për të shpëtuar kokën nga çatia që po binte. Ndërkohë Arbëria e dikurshme shënohej në hartë si Turqia europiane. Erdhën në Shqipëri dhe flakën pelerinën e arnautit. Veshën pelerinën e çjerrë të arbërisë. Nëse do të kujtoheshin kur u ngritën ballkanasit e tjerë, Arbëria do shfaqej në të gjitha përmasat.
Mësuesja: Ja ky është Atdheu ynë sot.
Nxënësi C: Në fakt, edhe ky që ka mbetur mësuese nuk është atdheu ynë. Pinjollët e arnautëve të dikurshëm nuk u bënë kurrë arbër. U shfaqën sërish dhe e coptuan Arnautistanin e mbetur. Ja, ato minierat në Veri i mori me dhunë Dushi i Refijes. Pyjet në këmbë të Alpeve i privatizoi për 99 vjet Marash Mirash i Diles. Ato luginat e lumenjëve u morën nga Zemani i Luftijes, Hekuri i Bedrijes, Vasua i Lavdijes, Kiçua i Maries, etj. etj. të gjithë horra të hurit dhe litarit. Bregu i detit, pasi u vranë me mina pronarët e ligjshëm, u privatizua nga gangsterët politikë ngjyra- ngjyra. Ato toka në bregdetin jugor po grabiten me ligj nga ministra e deputetë. Ndaj, mësuese e dashur, ai vend, në atë hartën që ke varur, nuk është atdheu ynë. Ai vend është atdheu i atyre. Ne na ka mbetur vetëm atdheu moral: gjuha, përrallat, mitet, legjendat, të cilat nuk na i grabisin dot. Ne duhet të nisemi për në botë, në kërkim të një njerkdheu. Natyrisht, aty do humbasim edhe atdheun moral, gjuhën, mitet, përrallat, këngët, ninullat, zakonet arbërore.
Nxënësi D: Asnjëherë nuk i kemi besuar ato marrëzitë, që shkruhen te libri i historisë. E dimë, historia shkruhet nga fitimtarët. Madje edhe gjeografia. Ne arbërit, pra populli, nuk kemi qënë kurrë fitimtarë.
Mësuesja: (Fshin lotët dhe flak tej librat e historisë dhe gjeografisë të mbushur plot me gënjeshtra).
Please follow and like us: