Albspirit

Media/News/Publishing

Libri “Breza grash” i Adelina Xhaferit që ngre zërin për gratë kudo që ato ndodhen

Qershorët për poetët lënë gjithmonë shije të veçantë, sidomos atëherë kur e marrin dhe përkrahjen e madhe të të tjerëve.

Në kuadër të Panairit dhe Festës së Librit, një manifestim i bukur e me mbrëmje të begata artistike-letrare, që zgjati nga 21-25 qershori në Gostivar, poetja e re e këtij qyteti, Adelina Xhaferi, në mbrëmjen e 24 qershorit, promovoi librin e saj të dytë me poezi, të titulluar “BREZA GRASH”.

Ashtu siç theksoi para publikut artdashës se ky libër i saj vjen dy vjet pas botimit të saj të parë, një përmbledhje me haiku, kjo poete me anë të vargjeve të saj, premtoi se nëpërmjet artit të letërsisë do të bëhet zëri mbrojtës për brezat e vajzave të reja dhe të grave kudo që ato do të ndodhen.

Mbrëmjen e së premtes letrare dhe vargun e Adelinës e paraqiti para publikut të Gostivarit artistja e skenës së mirënjohur shqiptare, zonja Klodi Kadillari, e në bashkëbisedim me poeten e re Adelinë, qe dhe Lulzim Haziri, po ashtu poet i këtij qyteti.

Në përkrahje të librit të saj të dytë e në një promovim sa më madhështor, të pranishëm ishin jo vetëm ata të cilët patën dorën e fundit për daljen në dritë të këtij libri, por, edhe familjarët, mësuesit e saj të parë, profesorë të ndryshëm universitarë, kolegët e punës, shoqëria, si dhe, nxënësit e saj të dashur, për të cilët ajo theksoi se ishin pjesa më e bukur e mbrëmjes.

Kjo poete dhe magjistre letërsie, që sot e ushtron profesionin e saj si mësimdhënëse në dy institucione arsimore, theksoi se poezia dhe vargu i bukur shqip, duhet të jenë synimet e çdo njeriu, sidomos të vajzave të reja, falë së cilave brezat që do të vijnë do të rrezatojnë ndryshe. /Nistori/

Please follow and like us: