Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: LETRA E ATIT DREJTUAR BIRIT!

Djalëria ta dhuron fuqinë e bukurisë, por nëse e shpërdoron këtë bukuri, nuk quhet me vlerë djalëria, bir në dashuri!
Sa mot njeriu i qaset vlerave, e sa mot i ç’vlerëson ato, jo se nuk i duhen e nuk i bëjnë punë, por hardalliset pas qejfit, i cili nuk ka vlerë kur e bën pis shpirtin dhe mendjen. Kjo lloj hardallisje, e dobëson njeriun për nga shëndeti i shpirtit, e forca e humbet vlerën e saj.
Bir, mos mendo se vlera e ka jetën të shkurtër, por ajo mendje e ka rrugën të shkurtër deri tek vlera!
Bir, mos rrëmo në mendimet e atij që ta ze rrugën gjoja se të ka dalë në pritë për të të ndihmuar. Jo biri im, është rrenë ky mendim, e rrena nuk ka as nënë e as babë, e si jetime që është mbetet gjithmonë pas dere, duke lypur shpirtra për t’i zënë në kurthin e veprës së vet.
Dëgjo bir, fjala e dhënë në besë e punët e dobishme, nuk të zenë pusi ashtu si rrena. Kohët janë të vështira, por vështirësia e këtyre kohëve i ze pusi të paudhit dhe endacakut, se i mençuri strehohet në folezën e dashurisë, e ushqehet me nektarin e saj.
Bir, sado e gjatë të jetë dita, përsëri do ia lerë vendin natës. Ashtu edhe punët e njeriut, punohet ditën e pushohet natën. Por nëse i ngatërrojmë këto vende, ngatërrojmë edhe punët, e kështu ngatërrohet edhe prokopia, e cila i zbraz hambarët e nuk i mbush ato!
Bir, mos iu druaj fjalës së mençur, e mos mendo se nuk e ke hak. Haku i saj nuk të dëmton, as nuk të ç’nderon. Mençuria nuk të tradhton, por ta jep besën, e me besën e saj i forcon muret e shpirtit, për t’i bërë ballë çdo sulmi ngado që të afrohet.
Mos jeto me frikën e së nesërmes, se frika është si balta, të ngjitet e nuk të shqitet. Pastroje mendimin me ujë burimi, i cili sjell freski për shpirtin, të lan e të pastron me aroma që nuk të ndotin.
Mos u gënje me fitimin e përkohshëm, është trastë e çpuar që nuk ta ruan ushqimin.
Mos vrapo pas bukurisë së shtirur, është si këpuca që shqyhet pa u veshur mirë.
Bir, verja veshin fjalëve të zemrës, as nuk të gënjejnë, as nuk të ngatërrojnë. Lakmia t’i vesh sytë, e për ta njohur gjuhën e saj, mos përdor syze për të dalluar më mirë. Shpirti nuk vishet me soj e soj veshje që e manipulojnë mendjen e njeriut.
Bir, i zoti është ai që di të ngrihet edhe kur rrëzohet. Mund edhe të vritesh, të qash nga dhimbja e të mbulohesh nga turpi, por dhimbja biri im, edhe qëndron edhe largohet, e po dite ta mbash, do të duhet forcë shpirti e jo muskuj trupi. Nëse do ta largosh, ulu në gjunjë përpara të kryqëzuarit. Ai është mësimi i dhimbjes, ai di të mjekojë dhe të shërojë të gjitha llojet e dhimbjeve. E sa për turpin bir, është mëkat që e ka turpëruar njeriun me kundërshtinë e tij ndaj ligjit të Atij që e krijoi. Turpi bir, ngjan me vargojt që të mbërthejnë e nuk të lirojnë pa e ditur sekretin e çlirimit prej tyre.
Qëmtoje shpirtin bir me fjalë të mençura, jane ilaç në kohë dhimbjesh. Dhimbjet pastrojnë mendimin, njësoj me furrën ku piqet ushqimi. Por kujdes bir, ushqimi hahet i pjekur e jo i djegur! Rrena di veç të zerë pusi, gënjeshtra ta turbullon mendimin!
Besoja veten Zotit tënd. Ai di të gatuajë për shpirtin vetëm ushqime të shëndetshme, që të mbushin me hare dhe gëzim, e do të shohësh bir, se ja vlen të quhesh nxënës i përvujtë i mësimeve të mençura, e jo bir i llastuar me fjalë e lavde rrenash të kota!
Nuk të rrit gënjeshtra bir, por të rrit dashuria, e cila ta zbukuron udhën me mësime të vyera. I zgjedhuri i besohet fjalës dhe veprës së mençur, e cila t’i hap sytë, të mban zgjuar e nuk ta fik dritën, e me këtë dritë që nuk fiket kurrë, ecën i sigurt shtigjeve të jetës.
6 Korrik 2022
Please follow and like us: