SPIUNËT QË “MASAKRUAN” VATRËN…
VATRA NË DOSJET E SIGURIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR NË VITET 1960 -70-TË.
Sokol Paja*/
Sigurimi i Shtetit Shqiptar përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri është përpjekur me çdo kusht që Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra jo vetëm ta kishte nën kontroll por edhe ti kushtëzonte apo drejtonte veprimtarinë e saj nëpërmjet spiunëve të rekrutuar në Vatër dhe informatorëve afër saj. Sigurimi i Shtetit ishte një levë shumë e rëndësishme në aparatin shtetëror diktatorial. Nëpërmjet informacioneve që Sigurimi i Shtetit siguronte në mërgatën shqiptare të Amerikës përmes spiunëve të rregullt, bashkëpunëtorëve dhe informatorëve, ndërtohej edhe plani i masave që Sigurimi u jepte spiunëve për të kryer detyrat që u ngarkoheshin për të sulmuar Vatrën dhe informuar mbi mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra në Dosjet e Sigurimit të Shtetit në vitet 60-70_të përbën një aspekt studimor të pa trajtuar më parë dhe sjell risi shkencore mbi metoda dhe plane masash sekrete sesi vepronte Sigurimi i Shtetit. Zbardhja e të dhënave që përmban dosja e Sigurimit për Vatrën sjell një dobi shoqërore, pasi nxjerr në pah veprimtarinë e shqiptarëve të mërgatës së Amerikës, kushtet politiko-shoqërore, personalitete, veprimtarë dhe përpjekje konkrete e lëvizje të shqiptarëve të Amerikës. Në bazë të politikave që ndiqte shteti komunist në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit vepronte dhe përforconte politikën e jashtme të propagandës kundër “armiqve imperialist”. Sigurimi e ndjek Vatrën në çdo veprimtari që në fillim të viteve 50-të e deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri.
PËRMBAJTJA E DOSJES SË VATRËS NË VITET 60-70-TË
Dosja e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Sigurimin e Shtetit në vitet 60-70-të marrë prej Autoritetit të Dosjeve në Shqipëri përmban 296 fletë, emërtohet me numër 102 dhe titullohet “Dosja e Objektit Vatra – Sekret”. Në këtë dosje përfshihet me detaje Veprimtaria e Federatës Vatra në vitet që kemi marrë në shqyrtim, veprimtaria e gazetës Dielli, përplasjet në Federatën Vatra dhe gazetën Dielli, historia e detajuar e Federatës Vatra, degët e Federatës, organet drejtues etë Federatës, funksionet dhe veprimtarinë me detaje të çdo organi drejtues e personi përgjegjës në këto organe drejtuese të Vatrës. Në dosjet paraqitet situata e emigracionit politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përplasjet dhe tentativat për bashkim të Vatrës dhe të “Shqipërisë së Lirë”. Raportet informative përshkruajnë Fan Nolin si të tërhequr në veprimtaritë e Vatrës dhe të lodhur nga sherret e njëpasnjëshme në Vatër dhe të pakënaqur me regjimin e Tiranës dhe se njeriut që Sigurimi i Shtetit ia kishte më shumë frikën ishte Editori i Diellit Qerim Panariti të cilin Sigurimi e shihte si agjent të Departamentit të Shtetit Amerikan. Dosja nr. 1 në faqen 37 në dokumentin informativ: “Relacion mbi gjendjen e kolonisë shqiptare në Amerikë” thuhet: “Vatra është organizata më e vjetër dhe në kryesi ka agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate dhe gazetës së saj Dielli nuk është i mirë. Gazeta dielli zhvillon një propagandë reaksionare kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit”. Prijësi i shqiptarëve myslimanë në Amerikë për kohën që flasim Imam Vehbi Ismajli Sigurimi i Shtetit të dosje e klasifikon si agjent të Amerikanëve dhe të Mbretit Zog, ndërsa Dervish Rexhepin e Bektashinjve e quajnë si agjent të Amerikanëve. Kundër Vatrës shteti komunist ndërseu një mori spiunësh e bashkëpunëtorësh si dhe të gjitha levat ndihmëse të institucioneve të shtetit komunist me qëllim nënshtrimin e Vatrës, deri në shkatërrimin përfundimtar të saj. Komunistët në Shqipëri dhe në Misionin e tyre në New York përdorën presione me të afërm në Shqipëri për burgosje, përndjekje e tortura e rrengje nga më të pabesueshmet, u përdorën të riatdhesuarit, apo vizitorët, u nxitën, u sajuan u dirigjuan dhe u frynë konfliktet e mosmarrëveshjet e brendshme në Vatër, u ngritën kurthe të sofistikuara, biseda informative, presione nga më të ndryshmet me qëllim shkatërrimin e Vatrës dhe zbehjen e efektit të gazetës Dielli. Informacioni përcillet në Dosjet e Sigurimit sipas tipologjisë informative të shkëmbimit të informacionit sipas kategorive: raporte informative, relacione, plane masash, telefonata informative, biseda informative, studime, vendime, lista, letër operative, informatë, ekstrakt, telegrame, shënime etj. Gjatë periudhës së regjimit komunist, me dosjen sekrete të vatrës janë njohur 15 persona të cilët kanë lënë shënimet përkatëse. Arsyeja e hapjes së dosjes së Vatrës nga Sigurimi i shtetit shënohet për veprimtari me zbulimet armike ndaj pushtetit popullor në Shqipërinë komuniste. Vatranët, editorët e diellit dhe personat me ndikim në emigracionin politik shqiptar në Amerikë që iu përmendet emri më shumë në dosjen e Sigurimit të Shtetit janë: Qerim Panariti, Xhon Nase, Kristo Thanasi, Antoni Athanas, Vasil Germenji, Hasan Dosti, Halit Ciko, Petraq Ktona, Athanas Gegaj, Dom Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Niko Kreshpani, Refat Gurazezi, Agim Karagjozi, Selaudin Velaj, Eduard Liço, Peter Çikozi, Arshi Pipa, Hajdar Tanuzi, Bilal Xhaferri, Ernest Koliqi, Sami Repishti, Dom Ndrevashaj, Dhimitër Trebicka, etj.
KUSH ISHIN SPIUNËT, KODET E TYRE DHE PSEUDONIMET
Sigurimi i Shtetit kishte depërtuar në Vatër, në Diell, në çdo organizatë dhe familje shqiptare të emigracionit politik të kohës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga shqyrtimi i dosjes së Vatrës në vitet 60-7-të del se Punëtorët Operativë, drejtorët e degës së zbulimit dhe punonjës shqiptarë të zbulimit që kanë përpunuar informacionet sekrete të Vatrës kanë qenë: Jonuz Mersini, Hasan Luçi, Idajet Danaj, Servet Memetko, Ropi Llazi, Kleanth Andoni, Sokrat Como, Enver Mileti, Xhezair Hodo, Mustafa Kadiu, Belul Zoto, B. Mehmetaj, M.Hila, J.Proko, N.Cano, K.Moja, L.Xhemali, I.Xhanaj, T.Rizo, M.Tusha. Pseudonimet e spiunëve në Dosjen e Vatrës: “Luani”, “Kalaja”, “Ngjala”, “Lirija”, “Fletori”, “Liqeni”, “Tablloja”, “Linkolni”, “Vullneti”, “Korabi”, “Pellgu”, “Klika”, “Shkumbini”, “Mali”, “Besimi”, “Selita”, “Toqi”, “Shqiponja”, “Malësia”, “Sazani”, “Piktori”. Burimi informative sipas kodifikimit: “221”, “315”, “349”, “347”, “82”, “372”, “302”, “368”, “361”, “335”, “500”, “504”, “803”, “805”, “502”, “939”, “501”, “801”, “410”.
PLANI I MASAVE TË SIGURIMIT TË SHTETIT PËR TË SHKATËRRUAR VATRËN E DIELLIN
Vatra në të gjitha relacionet, udhëzimet, planet operative për paralizimin e saj, raportet informative, telefonatat informative etj, etiketohet si reaksionare, armiqësore, vegël e Departamentit të Shtetit, bashkëpunëtore me FBI e CIA. Në veprimtarinë agjenturore Sigurimi kërkonte prej rrjetit të spiunëve dhe institucioneve mbështetëse që : Të shtoheshin divergjencat e përçarjet mes vatranëve, të nxitej pakënaqësia te vatranët dhe shqiptarët e Amerikës për bashkëpunimin e Vatrës me Vatikanin, demaskim i kurdohershëm i Diellit dhe Vatrës e drejtuesve të tyre, të përçahej sa më shumë Peshkopata me Vatranët dhe me Vatikanin, nxitje e konflikteve të ashpra e përplasjeve mes vatranëve e komunitetit, të demaskohej në shtypin shqiptar krerët e vatrës dhe veprimtaria e tyre. Dosje objekti “Vatra”, nr.102, deklasifikuar me vendim nr.12, dt. 17.06.2019 ka numër total fletësh 277 (të dixhitalizuara 296 faqe).
Dosja përmban raportime të agjentëve të Misionit Shqiptar në Nju Jork, si dhe Drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, emra të rekurtuarish përreth dhe brenda Vatrës, Plane operative kundër Vatrës, Studime rreth veprimtarisë “armiqësore” të Vatrës dhe masat e Shqipërisë komuniste për ta paralizuar vatrën, Plan Masash Agjenturor-Operativ për ndjekjen, Zbulimin dhe Parandalimin e Veprimtarisë së Vatra dhe gazetës së saj Dielli, raportime e shkëmbime të ndryshme informacionesh informative.
Në shënjestër të Sigurimit të Shtetit ishin editorët e Diellit, kryetarët e Vatrës, anëtarët e kryesisë e degëve të Vatrës. Sigurimi shqiptar duket se ka investuar shumë në drejtim të paralizimit të Vatrës dhe të krijimit të konflikteve të saj me organizatat e tjera nacionaliste të Diasporës në SHBA. Një front tjetër ishte injektimi i konflikteve brenda Vatrës duke nxitur përplasjen mes grupit të intelektualëve me vatranët e tjerë, apo vatranët e vjetër me të arratisurit, apo mes vatranëve patriotë siç shprehen ofiqarët e Sigurimit dhe agjentëve jugosllavë brenda Vatrës apo Organizatave të tjera.
Sigurimi i Shtetit Shqiptar porosiste spiunët, bashkëpunëtorët, informatorët dhe njerëzit me interes informativ në masa konkrete që duheshin ndjekur kundër Vatrës: “Duke aktivizuar burimet agjenturore dhe miqësore, duke shfrytëzuar të riatdhesuarit e vizitorët dhe materialet legale, të zbulojmë:
a- Qëllimet dhe planet konkrete që zbulimi amerikan ka në drejtim të Organizatës VATRA. b-Kuadrot dhe agjentët e zbulimit dhe K/zbulimit amerikan që punojnë në radhët e Organizatës VATRA, format dhe metodat e punës së tyre.
Gjendja e tanishme reale në këtë Organizatë: a-Të sigurojmë Listat e plota të anëtarësisë së Vatrës, të ndarë sipas degëve, organizimin me hollësi, Këshillin qendror dhe këshillat e degëve,
b- Personat që lëkunden tani, e sidomos ata që largohen prej Vatrës, ose ata që hidhen në pasivitet tani, kur në krye të kësaj organizate janë vënë të arratisurit.
c-Marrëdhëniet e organizatës Vatra me organizatave të tjera të emigracionit reaksionar, sidomos me Komitetin Shqipëria e Lirë.
Ç-Kontradiktat që ekzistojnë në radhët e Organizatës: Në mes krerëve dhe masës së anëtarëve, në mes degëve të veçanta dhe qendrës, në mes krerëve me njeri-tjetrin, në mes kësaj Organizate dhe organizatave të tjera të emigracionit reaksionar ose ekonomik dhe në mes të saj dhe zbulimit Amerikan, dhe të shihet mundësia si mund të shtohen këto kontradikta.
II- Të punojmë aktivisht për shtimin e kontradiktave brenda Vatrës, të nxisim që të largohen nga Vatra sa më shumë patriotë, të bëjmë që Vatra e tanishme të demaskohet plotësisht si organizatë në duart e kriminelëve të luftës, e cila punon kundër interesave të Atdheut. Nëpërmjet miqve ose duke marrë kontakte drekte me ta, t’i bëhet presion Fan Nolit që të japë dorëheqjen nga pozita e tanishme si “Kryetar Nderi” i Vatrës. T’i bëhet e qartë atij se në rast se do të vazhdojë në këtë post do të kompromentohet si përkrahës i kriminelëve, të cilët i ka pasur luftuar, dhe ne do të detyrohemi ta demaskojmë atë vetë(Nolin).
Të demaskojmë me anë të shtypit , radios, dhe miqve që kemi në radhët e shqiptarëve të Amerikës,
Personat e arratisur që kanë hyrë në Vatër tani dhe në radhë të parë Editorin e Diellit Athanas Gegaj, për të cilin po grumbullojmë material se është agjent i zbulimeve të huaja. Po ashtu të demaskojmë edhe ata persona nga radhët e organizatave reaksionare që tani janë në organet drejtuese të Vatrës ose që shkruajnë artikuj në gazetën Dielli.
-Të demaskojmë ata persona reaksionarë nga vatranët e vjetër si Peter Chikozi, Miko Kokalari, Vahit Çika e të tjerë, të cilët me tradhtinë e tyre ua dorëzuan këtë organizatë patriotike kriminelëve të shitur tek të huajte. Në demaskimin e këtyre të kemi parasysh që sipas situatave, të bëjmë ndonjë diferencim: Në radhë të parë , goditjen kryesore ta bëjmë kundër krerëve të arratisur që janë në Vatër dhe përkrahësve aktivë të tyre-Meqenëse Qerim Panariti tani është i pakënaqur mund të mos e godasim përkohësisht.
Të hedhim në luftë të hapur kundër Vatrës së tanishme ata vatranë të vjetër që janë larguar nga kjo organizatë, si dhe ata që do të largohen tani. T’u kushtojmë kujdes të veçantë personave me rëndësi si ish kryetarit Th P, i cili tani dha dorëheqjen nga Vatra. Për këta persona të marrim masa që të punojë Rezidentura jonë në SHBA dhe gjithashtu të punojmë edhe në qendër, duke gjetur lidhjet e rëndësishme të tyre këtu në Shqipëri, me anën e të cilëve, me letra, të bëhet presion që të aktivizohen kundër kriminelëve, tradhtarë të Atdheut.
Ç- Duke u konsultuar për këtë problem me Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendoset se çfarë do të bëhet me Vatranët që do të largohen nga Vatra dhe me degën e Pitsburgut të kësaj Organizate, e cila po qëndron mirë: Do të punohet për krijimin e një Vatre të re apo do të nxiten këta të hyjnë në Organizatën “Shqipëria e Lirë” dhe kjo të forcohet e të luftojë Vatrën?
d-Me anë të miqve të shfrytëzohen me kujdes kontradiktat dhe pakënaqësitë e Qerim Panaritit ndaj udhëheqjes dhe ky të hidhet në luftë kundër Vatrës duke zhvilluar aktivitet përçarës.
Për zbatimin e detyrave të mësipërme, Pasi të jetë vendosur edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, t’i dërgohet Rezidenturës në Nju Jork edhe një udhëzim me detyra konkrete me qëllim që ajo:
1- Të aktivizojë në drejtim të Vatrës burimet agjenturore, qofshin edhe në radhët e emigracionit reaksionar.
2-Të aktivizojmë burimet miqësore dhe t’i shtojë këto, sidomos duke afruar persona të rinj, nga ata vatranë që lëkunden, ose ata që japin dorëheqje nga Vatra.
3- Të studiojë 1 ose 2 persona nga ata që janë në pozita udhëheqëse të Vatrës dhe të shihet mundësia për t’i rekrutuar në shërbimin tonë” përfundon në faqen 120 të dosjes së Vatrës pranë Sigurimit të Shtetit Komunist Shqiptar”.
*Pjesë nga Kumtesa e mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me rastin e 110 vjetorit të Federatës Vatra.