Lu dhe Vlahutin pranojnë ftesën e Metës për takim mes palëve për Reformën në Drejtësi
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeparlamentarit Ilir Meta për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë për reformën në drejtësi. Si Lu, ashtu edhe Vlahutin kanë vetëm një kusht që këto diskutime të bazohen vetëm mbi propozimin hibrid të ndihmës sekretares amerikane Victoria Nuland. “Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit Z. Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS”, deklaron ambasada e SHBA-se. Edhe ambasadorja Vlahutin shpreh gatishmërinë për ofrimin e pikëpamjeve të BE-së, për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut. “Ambasadorja e Bashkimit Evropian e informoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid. Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarrës duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare”, thuhet ne deklaraten e Delegacionit të BE-së në Shqipëri. “Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën nënë drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare”, thuhet ne deklaraten e BE.
Please follow and like us: