Deputeti i PS-së kundër Metës për qeveri teknike: Zgjedhje të parakohshme në shtator
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj deklaratës së Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për reformën në drejtësi. Ai pranoi të ulej në një takim për të zgjidhur situatën, por nuk bëri asnjë koment më shumë.
“I gatshem te ulem ne çdo moment ne tryezen e propozuar nga I.Meta! Çdo diskutim sy me sy per Reformen ne Drejtesi deri ne 21korrik i’a vlen.”- shkruan Rama pa përmendur asgjë nga propozimi tjetër për zgjedhje të parakohshme që foli Meta pas miratimit të reformës.
Por deputeti i PS-së Parid Cara thotë se nëse reforma në drejtësi nuk arrin të miratohet në 21 korrik vendi të shkojë në zgjedhjet e parakohshme në shtator.
“Sipas gjykimit tim, personal dhe jo si qëndrim i PS-së, Kryeministri Rama duhet të çojë draftin në Kuvend në 21 korrik dhe të testojë se sa vota ka për Reformën. Nëse ne, deputetët, jemi aty për të shprehur vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe 91% e shqiptarëve duan reformën, ai draft miratohet. Në të kundërt, nëse reforma nuk miratohet, deputetët dhe partitë që deklarohen në Kuvend pro reformës, duhet të jenë boshti i koalicionit të majtë në zgjedhjet e parakohshme. Nëse reforma nuk miratohet, vendi nuk mund të presë edhe një vit tjetër. Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen në shtator, sa më shpejt të jetë e mundur” – shkruan Cara.
Ai është kundër propozimit të Ilir Metës për krijimin e një qeverie teknike.
“Askujt nuk i shërben shtyrja deri në agoni e këtij procesi. Një vit me Qeveri teknike apo pa qeveri fare, do të thotë korrupsion në tatime, korrupsion në dogana, pasiguri për jetën, pasiguri për pronën, mungesë investimesh, rënie e besimit në ekonomi. Asgjë e mirë nuk i ndodh vendit në një vit me këtë gjendje. Zgjedhjet e parakohshme, sa më shpejt të jetë e mundur. Qytetarët kanë të drejtë ta votojnë ata Reformën në Drejtësi”- shkruan Cara në Facebook.