Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Z. Zholi: In memoriam, Violeta Manushi!

Violeta Manushi, “Zonja nga qyteti” që “shkatërroi”,  “Pallatin 176”

15-vjetori i ndarjes nga jeta

Violeta Manushi mbetet një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive për mëse 55 vjet. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”

Fëmijëria dhe ëndrra për teatrin

Lindur më 6 mars 1926 në Voskopojë të Korçës, Violeta do të kalonte një fëmijëri pa përralla. Një fëmijëri të vështirë. Një familje e varfër, uria e së cilës e njohu me ‘’udhën e punës’’. Vetëm 14 vjeçe! Familja e saj jetonte në varfëri të tejskajshme. Fëmijët u detyruan të punonin në moshë fare të njomë, për të siguruar bukën e gojës. Aktorja është shprehur se, ka qenë një fëmijë e padëshiruar, por kur u konstatua, prindërit gëzoheshin se mos do të lindte djalë, që t’i bëhej krah Llambit, djalit të vetëm. Që në moshën 14-vjeçare, ajo do të provonte mbi shpinën e njomë punën fizike fillimisht në fabrikën e këpucëve në Korçë, më pas punëtore në shtypshkronjën “PEPO”. Kështu vitet kalonin dhe Violeta e rritur para kohe po bëhej një zonjushë e vendosur. Do të ishte 20 vjeçe kur do të dëgjonte melodinë e fatit në vitin 1946, prej ku do të shquhej menjëherë talenti i saj në shkollën e parë dramatike të hapur pranë Teatrit të Shtetit, sot Teatri Kombëtar. Do të ishte ky rrugëtim i saj i gjatë i mendjes, shpirtit dhe dashurisë. Shtëpia e saj! Fati i saj! Me një karrierë 60-vjeçare në themele të teatrit. Me 110 role të gdhendur e skalitur skenës dhe plot 16 të tjera në kinematografi. Ishte viti 1957 tek ‘’Orët e Kremlinit’’ rekordi i parë që do të thyente me interpretimin e tri roleve. Më pas do të shkëlqente në rolet protagoniste më 1959 ‘’Gratë gazmore’’, ‘’Morali i zonjës Dulska 1958. Me shumë sukses një Olimbi të paharruar tek ‘’Karnavalet e Korçës’’ 1964, Zyhranë tek ‘’Fytyra e dytë’’ 1968, Nicën tek ‘’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’ 1971, e shumë të tjerë. Në vitin 1997, së bashku me ‘’Mjeshtren e madhe’’, profesoreshë Drita Pelinkun, bordi drejtues i Institutit Amerikan të Biografive do i vlerësonte për kontributin e dhënë dhe arritjet e karrierës ndër 500 udhëheqësit më me influencë të shekullit të XX.

Ikja në përjetësi

Violeta Manushi iku duke lënë gjurmë të pashlyera në radhët e korifejve të artit skenik shqiptar, në radhët e atyre që vunë themelet e godinës së aktrimit teatror dhe filmik. Në atë kohë Luftar Paja për Violeta Manushin do të thoshte mes të tjerash: “Ajo për këtë teatër ka sakrifikuar jetën, duke luftuar me penë dhe djersë për të mposhtur konceptet e asaj kohe. Ajo ishte këmbëngulëse në rolet që bënte. Ka qenë një njeri i respektueshëm në klimën artistike që sot me keqardhje mund të them se çalon. Artistët si ajo ishin të rrallë. Dritëro Agolli do të mëtonte kësisoj për aktoren: “Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj. Artistja e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorëset më fisnike të skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosën bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele, bashkë me teatrin, Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj. Për atë, teatri dhe shtëpia ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullore, bashkë me të.

Drita Pelinku

‘’E di si jam njohur me Violetën? Kanë kaluar shumë vjet, por, për mua , ky takim mbetet nga ata të rrallët që të dhurojnë çelësin e shumë sekreteve. Isha në teatër kur shoh 3 vajza që po vinin, veshur bukur. Pas tyre Violeta, e cila me shumë çiltërsi më shtrëngoi dorën. Mbante veshur një xhaketë burrash, një palë atlete lecke, flokët e prera drejt dhe nuk e di pse e paragjykova… artistët duhej të kishin imazh tjetër. E kush e dinte që pas kësaj vajze aq të varfër do të fshihej kjo artiste ikonë, nga ku më mbush shpirtin plot sa herë vjen këtu…!’’

Pirro Milkani

Ekzigjenca estetike e filmit për staturën e saj bëri që kjo Ollgë të mos harrohej kurrë. Zakonisht kur aktori identifikohet me rolin, është arsye suksesi. E dimë tashmë të gjithë që para se të ekranizohej, kjo ishte një vepër teatrale që luhej në Teatrin e Korçës. Por konvertimi i pjesës teatrale në film kishte ndryshime. Për shembull skena e Malos me Violetën, doli aq e bukur, pasi ky ishte marifet i saj. Sigurisht dhe teksti i Ruzhdi Pulahës bënë që ky film të ishte sukses i jashtëzakonshëm.

Disa prej roleve që ka interpretuar “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi.

Teatër:

“Qypi me flori”
“Epopeja e Ballit Kombëtar”
“Dom Gjoni”
“Pas vdekjes”
“Halili dhe Hajria”
“Tartufi”
“Mikroborgjezët”
“Rrënjët e thella”
“Orët e Kremlinit”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Morali i zonjës Dulska”
“Arturo Ui”
“Lumi i vdekur”
“Karnavalet e Korçës”
“Zonja nga qyteti”
“14 vjeç dhëndër”
“Epoka para gjyqit”
“Borgjezi fisnik”
“Fytyra e dytë”
“Pallati 176”
“Valsi i titanikut”
“Kati i gjashtë”, etj. etj.

Filma:

1958: “Tana” – Ngjela
1961: “Debatik” – (E shoqja e tregëtarit)
1965: “Vitet e para” – (Lonevica)
1969: “Përse bie kjo daulle” – (Banakierja)
1969: “Plagë të vjetra” – (Nëna e Verës)
1970: “Gjurma” – (Vjehrra e Artanit)
1973: “Mimoza llastica” – (Gjyshja)
1975: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – (Plaka Nice)
1976: “Zonja nga qyteti” – (Teto Ollga)
1977: “Zëmra që nuk plaken” – (E shoqja e Azemit)
1979: “Përtej mureve të gurta” – (Gjyshja e Asimesë)
1980: “Një shoqe nga fshati” – (Teto Ollga)
1982: “Një vonesë e vogël” – (Nëna)
1984: “Taulanti kërkon një motër” – (Tezja)
1986: “Rrethimi i vogël” – (Frosa)
1987: “Eja” – (Ruzhdia)
1987: “Telefoni i një mëngjesi” – (Banakierja)
2005: “Trishtimi i zonjës Shnajder” – (Banakierja)

Please follow and like us: