CIA Factbook – Statistika të ndryshme (Religjioni në Ballkan)
Infografikë dhe Koment nga S. Guraziu – G 2022
(%) e popullsisë myslimane në Ballkan, në BE, në botë (dhe në disa shtete evropiane) – vallë si është e mundur t’mos hetohet “luga” që e trazon vegshin politik të Ballkanit…
***
Sipas meje kosovarët s’do duhej të merren shumë me “politikat”, sa më pak t’jetë e mundur. Ashtu-kështu me politikën merren politikanët – ndërsa ata vetë thjesht të punojnë e t’i djersitin muskujt (dhe vetë Gjermania e madhe e pati bërë për nja gjysmë shekulli). S’do ishte turp që kosovarët të djersiten tri herë më shumë se fqinjët rrotull, dhe dmth. ashtu “vogëlsisht” ta gëzojnë lumturinë.
Vetë fakti që është e “vogël” (kuptohet, disa gjëra duhet kuptuar drejtë, pasi “hesape” relative), Kosova do duhej të ndjehet e lumtur. Si Luksemburgu psh., si Vatikani, si Monako etj. Vallë keni dëgjuar ndonjëherë për “bujat” e tyre, vallë e keni hetuar që askush kurrë s’e përmend Luksemburgun! Gazetat e tyre s’i citon kush, as dhe 1 herë… kurrë, TV-kanalet e tyre s’i njeh kush, as politikanët e tyre… asgjë, thuase nuk ekzistojnë. Rastësisht, në prag i kam por kurrë s’dëgjoj për ta, as nga ta.
Ndërsa kosovarët përjetësisht të tendosur, të pezmatuar, çartaqejfas e qejfprishur, thuase kurrë s’do bëhen rehat. S’ndalen duke i cituar gazetat dhe politikanët e gjithë Evropës, e madje dhe të botës; Merkel tha kështu, Obama kështu, Erdogan kështu, Berluskoni kështu, Vuçiq kështu, “Guardian” kështu tha, “Spiegel” ia ktheu keshtu, “Pravda” ia filloi me fyerjet… “Korrieri” ia bëri tetë-me-dy etj etj.
Kohët e fundit vërtet e dhimbshme që në Kosovë (as 2 milionë banorë) vlojnë mediat dhe replikat debateske sikur s’kanë të ndalur rreth “shamisë”. Shikuar “kosovarisht” problemi i shamijave vërtet është “problematik”, dhe me të drejtë. Ama shtrohet pyetja pse pikërisht tani, vallë as Rusia as Serbia, akolitët e Putinit, as ata të Vuçiqit. as satelitët e tyre… s’paskan “gisht”? Vallë si është e mundur t’mos hetohet “luga” që e trazon vegshin politik të Ballkanit?!
Shikuar “evropianisht”, buja e kosovarëve për “shamijat” është si t’vërtitesh në vorbullën e një “pike uji” të oqeanit. Anise kosovarët pothuaj rrallë ia dalin ta “ndiejnë vogëlsinë” e vet (tekefundit jo kur janë në pyetje politikat : ) Sikur harrojnë që Evropa është 700 milionë dhe “buja” kosovare pothuaj as nuk “dëgjohet”. Nuk e ndiejnë që herë-herë, bie fjala grindavecllëku i partive dhe i partiakëve të tyre madje duket “qesharak” në veshët e Evropës së paskajshme. S’dëgjon kush as për Luksemburgun…
Gjithsesi në rastin e shamijave brengosja e tyre fare e justifikueshme. Prishja e balansit, cenimi i sekularizmit… do duhej t’ishin të papranueshme masivisht nga i gjithë populli. Çështjet e ndjeshme (siç është religjioni) do duhej të amortizoheshin me masa serioze. Uroj që Kosova sa më parë e pa hezituar (në kuadër të kornizës kushtetuese) ta “amortizojë” disi çështjen e shamijave, me akëcilën vegël ligjore qe t’jetë në dispozicion, tekefundit dhe me korniza të veçanta ligjore, ngjashëm siç ia pati bërë Franca dikur.
Sepse dorëzeza e trazimit të “vegshit politik” vërtet është serioze, Kosova s’do duhej ta humbiste kurrë qetësinë e vet fetare. Sa për fetë, Kosovës e Shqipërisë u takon qetësia dhe respekti absolut. Nëse Shqipëria krenohet për diç, patjetër se do jetë fjala për tolerancën ndërfetare. Diç e shenjtë kjo, që nuk e ka gjithkush, dhe me të drejtë Shqipërisë i takon krenaria dhe respekti mbarëbotëror.
Bie fjala, Turqia është 98.8% myslimane (vetëm 0.2 i ka “të tjerë”), e qartë se Turqia nuk është “tolerante dhe as moderne”. Turqia trumpeton me “daullet e letrës”, me daullet diplomatike e me gjithçka, por kam frikë zor se i shitet. E njëjta gjë dhe në Arabinë Saudite, “pavarësisht se ka një komunitet të madh emigrantësh të besimeve të ndryshme (më shumë se 30% e popullsisë – sipas CIA Factbook), shumica e formave tjera të shprehjes publike fetare (që s’janë në përputhje me interpretimin e sanksionuar nga qeveria rreth Suni-Islamit) janë të kufizuara. Jomyslimanët nuk lejohen të kenë nënshtetësi saudite dhe tempujt, objektet e adhurimit “ndryshe” nuk lejohen”.
“Franca e ruan traditën e sekularizmit dhe s’ka mbledhur zyrtarisht të dhëna për përkatësinë fetare që nga regjistrimi kombëtar i vitit 1872 – thotë CIA. Gjë që e ndërlikon vlerësimin e mirëfilltë të përbërjes fetare të Francës. Një ligj i v. 1872 që i ndalonte autoritetet shtetërore të mblidhnin të dhëna rreth përkatësisë etnike ose rreth besimeve fetare të individëve qe “riforcuar” nga një ligj i v. 1978, i cili thekson ndalimin e mbledhjes ose shfrytëzimit të të dhënave personale që zbulojnë racën, përkatësinë etnike, opinionet politike, filozofike dhe fetare të një individi. E po ashtu me ligj i v. 1905 Franca do ta kodifikonte ndarjen e kishës nga shteti”.