Myqerem Tafaj: Homazh për Profesorin e dashur, Haxhi Aliko!
Më pikëlloi thellë lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të profesorit tonë poliedrik dhe shkencëtarit, ndër më të shquarit e mjeksisë veterinare shqiptare, Prof. Dr. Haxhi Aliko.
Kam patur fatin e madh të dëgjoj leksione pasuniversitare nga Profesor Aliko, elokuent, i pasionuar dhe shumë i ditur, dhe, më vonë të bashkëpunojmë në projekte të përbashkëta kërkimore.
Profesor Aliko ka dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin e Fakultetit të Veterinarisë si profesor dhe drejtues katedre, si dhe të Universitetit Bujqësor të Tiranës si rektor i tij, në fund të viteve 80-të, përfshirë edhe periudhën e vështirë të ndryshimeve demokratike, promotorë të të cilëve ishin edhe studentët e UBT, të cilët gjetën mbështetjen e plotë të Rektorit të atëhershëm, Profesor Aliko. Më vonë ai u angazhua aktivisht në politikë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë për disa legjistatura, dhe si ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar.
Profesor Aliko u shqua në të gjithë karrierën e tij akademike për pasionin, përkushtimin, idetë shkencore bashkëkohore, skrupulozitetin në shkencë dhe, në mënyrë të vecantë, inkurajimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të të rinjve të talentuar në shkencë. Ai arriti që të krijojë një grup kërkimor të niveleve internacionale, që në fillim të viteve 80-të në Fakultetin e Veterinarisë të universitetit tonë.
Vepra e shquar e Profesor Alikos ka hyrë tashmë në historinë e zhvillimit të mjeksisë veterinare shqiptare dhe të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe ajo do të kujtohet në dekada.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe ish studentëve të Profesor Alikos!
Lamtumirë i dashur Profesor dhe mik i çmuar, Haxhi Aliko!
Please follow and like us: