Vetëm Berluskoni di t’i përshkruajë vajzat “ekzotike”!
Vetëm Berluskoni di t’i përshkruajë vajzat “ekzotike”!
sguraziu – ap, g 22
[ ngjitur: foto e imja “dokumentare”, asnjë e drejtë e rezervuar, njësoj si padrejtësia e “papërshkueshme” e etiketave ]
(duke u zgjatur kah drita, tunelit të errësirës, forca e jetës depërton madje dhe përmes “mburojës së gurtë” të guraziut)
…në kopshtin tim ka ca shtigje me rërë (me “grind”… që i bie zhavor i bardhë, a si duhet thënë në shqip), pas muajsh që kanë kaluar sot pashë një fije bari dhe (meqë ka arsye pse) më erdhi mjaft “inat”, për 2 arsye inat – bëra një foto për ta “dokumentuar” mençurinë e tjetërkujt, e vërteta e vërtetë, megjithatë pas muajsh “profecia” e tim bir doli e vërtetë, le t’na jetë ky “inati” nr 2…
…nën zhavorin ka një aso pëlhure sintetike (supozuar të jetë e “papërshkueshme” për rrënjët, barishtet e këso), enkas për këtë punë, produkt gjoja apostafat, sot doli se na qenka pëlhurë mjaft e shtrenjtë krahasuar me “kotësinë” e vet, aspak si ka hije ai çmim, mbase i gjithë turpi s’u takon vetëm tregtarëve, e saktë kjo, ama vallë si s’kanë turp fillimisht fabrikantët, mashtrim nën “diell” me etiketash fals, sot madje them se dhe vetë çmimi do duhej të turpërohej, thuase na ishte ndonjë pëlhurë “versace” me lule-lajle, endje maestrale prej mëndafshi të rrallë kinez…
…vallë si s’kanë turp me mburrjet rreth “kualitetit”, si nuk skuqen për falsitetet, për ekzagjerimet, për lavdet kot, për etiketat e pasakta mozomokeq, nëse kihet parasysh që aq e vrazhdtë dhe e shëmtuar, endur me ca fije najloni, madje as pa “ngjyrë” (kjo sipas meje, qëkur e zeza s’konsiderohet ngjyrë, apo jo), sot doli në shesh çmimi “absurd”, ja tani e vërteta, s’na qenka as funksionale, dmth. dhe falas t’na ishte s’ia vlen, padyshim punuar nga materiale të ricikluara, e them këtë për ta cekur faktin tjetër që fabrikimi “ri-ciklik” s’kushton dhe aq, njësoj si kartonat për ambalazhin e vezëve, riciklohen 1 milion herë, s’kanë pse t’jenë “shtrenjtë” – mirëpo ja që ashtu thoshte paketimi i dyqanit “Gamma”, e papërshkueshme…
…më kujtohet ajo vajza tek kasa, një vajzë e buzëqeshur dhe aq e sjellshme, ekzotik-isht e ngrohtë, ndoshta dhe skuqej tek fliste por “e kuqja” nuk hetohej, sepse pakashumë si esmere, s’di si ta përshkruaj saktë (vetëm Berluskoni di t’i përshkruajë vajzat “ekzotike”), jo siç kur përzihen çokollatat e zeza më të bardhat… por më shumë si “karamelet e nuancuara” (ashtu do thoshte Berluskoni), teksa po merrej me skanimin e me pagesat njëkohësisht e pati “vulosur” pohimin tim se padyshim do kem zgjedhur “më të shtrenjtën, më të mirën, të papërshkueshmen”…
…pati qëlluar dhe im bir, ky me thumbat e vet sikur donte t’ma garantonte pasigurinë “mos kërko gjëra që s’ekzistojnë, egërsinë e barishteve s’e ndalin pëlhurat, forca e jetës është e pandalshme plako (ashtu më quan ndonjëherë kur i teket, “plak”, gjoja për ta vënë në pah se vetë na qenka më i ri, e pse jo shpesh dhe më i mençur, sipas tij)…
…s’kam pse e fsheh, tinëz pata shpresuar që etiketa t’ishte e saktë, që fabrikanti t’na kishte të drejtë, assesi ky, pata shpresuar që etiketa t’mos na dilte falsitet – tani më vinte “inat” por ia nisa foton së bashku me “reaching the light, through darkness, force of life, penetrating even the blackstone shield” (duke u zgjatur kah drita, tunelit të errësirës, forca e jetës depërton madje dhe përmes mburojës së gurtë të guraziut:).
…”blackstone” ia themi si shaka ndonjëherë, gjoja për mbiemrin tonë “guraziu” – i qeshej “haha.. e dija o plako”, s’vonoi as 1 sekondë, tiiiing sms i dytë gjoja si ngushëllim “mos u mërzit, ti sëpaku i sheh gjërat poetikisht, nuk dramatizon” – ndoshta dhe kishte të drejtë, por vallë më “dramatik” sesa t’i shkruash 2-3 faqe, të ankohesh për etiketat fals të së kaluarës, e si pra:).