Sulejman Mato: Mësohu!
Fillimisht mësohu me dritën e diellit,
me fytyrën e nënës
dhe të dashurve të tu.
Mësohu më këpucën në këmbën e zbathur,
me urdhërat e mësuesve dhe të eprorëve të tu.
Mësohu për t’i pritur fatkeqësitë qetësisht
dhe çastet e lumturisë t’i vlerësosh seriozisht.
Mësohu me fytyrën tënde në pasqyrë,
dhe me udhëtimet, si në një tren pa kthim.
Mësohu me vdekjen e të dashurve të tu,
me pakohësinë e kohës,
të sendeve dhe njerëzve.
Mësohu me dështimet dhe fitoret e përkohshme,
mësohu me gjithçka dhe kur zemra të dhëmb
dhe ndihesh i vetmuar, i poshtëruar dhe i braktisur.
Mësohu me frikën dhe mposhte atë.
Mësohu me lirinë që s’i duhet askujt
e që njëkohësisht na duhet të gjithëve.
Mësohu të jetosh pa kujtime dhe shpresë,
si gurët dhe drurët që s’ndejnë asgjë.
Mësohu që dhe në çastet e vështira të qëndrosh si burrë
Se ai që s’ka frikë nga vdekja nuk vdes kurrë.
17 korrik 2013.