Kthesë midis Rusisë dhe SHBA në Siri?
Pas vizitës së ministrit të Jashtëm amerikan, John Kerry në Rusi të dyja palët po afrohen në çështjen e Sirisë. Uashingtoni duket se po afrohet me Moskën. Por optimizmi në të dyja palët është i kufizuar.
“Vetëkuptohet që nuk mund të flitet për moment kthese, por për një shans për të”, shkroi Konstatin Kossaçov në faqen e tij në Facebook. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës Ruse sheh shenja “për një zhvillim të pritur prej kohësh” në marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA – në drejtim të një “bashkëpunimi të vërtetë” në Siri. Fjala kyçe: realpolitika.
Këto deklarata gati miqësore të politikanëve rusë në drejtim të Uashingtonit janë bërë veçanërisht të rralla vitet e fundit. Me tepër dëgjoheshin tone të ashpra. Optimizmi i kujdesshëm i Kossaçovit bazohet në marrëveshjet e ministrit të Jashtëm John Kerry në vizitën e tij në Moskë në fund të javës së shkuar. Kerry erdhi në Rusi për të diskutuar për propozimet e SHBA për mënyrën e veprimit në Siri. Në fillim ai u takua me Presidentin Vladimir Putin dhe pastaj negocioi për 12 orë me radhë me homologun e tij rus Sergej Lavrov. Në qendër të bisedimeve ishte zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit në luftën e Sirisë, e cila u negociua në shkurt midis Moskës dhe Uashingtonit. Kjo marrëveshje shkelet herë pas here dhe kalimi në një zgjidhje politike po zgjat.
Shkëmbim i informacioneve të shërbimeve të fshehta
Për rezultatet e bisedimeve më të fundit të dyja palët ranë dakord të heshtin. Për të mos i rrezikuar ato, u tha. Por disa detaje kanë depërtuar në opinion. Kështu qeveria e SHBA thuhet se i ka ofruar Rusisë ndihmë në veprimet kundër grupeve terroriste në Siri, raportoi “Washington Post”. Bëhet fjalë për “një shkëmbim të zgjeruar informacioni”, gjë me të cilën me sa duket kuptohen njohuritë e shërbimeve të fshehta. Medie të tjera informojnë për gjoja themelimin e një “celule të përbashkët”, për të këmbyer informacione të shërbimeve të fshehta.
Uashingtoni nga ana e tij pret që Rusia të heqë dorë së bombarduari civilët dhe ato forca opozitare në Siri, të cilat e mbështesin armëpushimin, shkruan “Washington Post”. Veç kësaj, Moska duhet të bindë aleatin e saj, Presidentin sirian Bashar al-Assad që të bëjë të njëjtën gjë.
Veprime të përbashkëta kundër Al-Nusras
Në qendër të marrëveshjes midis Moskës dhe Uashingtonit është me sa duket luftimi i “Frontit Al-Nusra”, i cili konsiderohet si fraksion sirian i rrjetit terrorist të “Al-Kaidas”. Lavrovi foli në këtë kuadër për “një armik të përbashkët”. Problemi duhet të jetë si të dallohen luftëtarët e “Al-Nusra”-s nga ata që Uashingtoni i quan “opozitë e moderuar” – dhe i mbështet. SHBA e kanë akuzuar disa herë Rusinë se bombardon opozitarë në vend të terroristëve. Prandaj SHBA ka qenë e rezervuar në përcjelljen e informacioneve të shërbimeve të fshehta. Por tani mund të jetë arritur një dakordim në këtë çështje: “Me sa duket ka pasur disa garanci për palën amerikane”, tha Andrej Kortunov, drejtues i Këshillit Rus për politikën ndërkombëtare në bisedë me DW.
Një problem bazë në marrëveshjet midis Uashingtonit dhe Moskës megjithatë është pranimi i tyre prej aktorëve të tjerë në rajon – si Arabia Saudite, Irani ose Turqia – thotë Kortunov. Kortunov dhe ekspertë të tjerë flasin me skepticizmin që karakterizon prej vitesh raportin mes Rusisë dhe SHBA.