Mihal Gjergji: PROLETARËVE QË MË LEXOJNË
(Urim për Motmotin e Ri)
Nuk jam i vetmi që thinjem trotuarëve të Tiranës, me duart e mbledhura në xhepat bosh. S’kam ç’bëj, kam mësuar ta administroj zemëratën dhe s’u gjegjem atyre që s’e kuptojnë gjuhën time. Fitimtarët humbës, gjithmonë shumicë, trumbetojnë arrogancën ndaj humbësve fitimtarë. Të fut krupën gjuha ngjethëse e plot dalldi e sarhoshëve arsyehumbur. Çudirat kanë zgjedhur të jetojnë mes nesh. Mbeta me sytë nga rruga. I gjatë do jetë ky dimër, i vështirë. Sofra në të cilën ulem është ajo e diturisë, ushqimi i përditshëm është libri, ndërsa arma e luftës është fjala, jo heshtja. Gjithsesi jam proletar, sikurse ju. Kam provuar të gjej kulturë në metropolet e Perëndimit të largët. Kuptova që kultura vazhdon të mbetet në pronësi të Europës. Në Perëndim është civilizimi ai që të impresionon, teknologjia dhe zhvillimet marramëndëse. Syri im i pastërvitur s’ka mundur të dallojë kufirin ndarës mes lirisë morale dhe asaj materiale. Ajo bukuri e krijuar nga dora e njeriut dhe shkëlqimi i jashtëm të bëjnë robin e tyre. Kësisoj ndjehesh si i mbërthyer në kthetrat e një prostitute, e cila të josh dhe s’të lejon të largohesh prej saj. Prapseprapë është liria ajo që ushqen ëndrrat e atyre qytetarëve; e fjalës, e punës, e besimit, në ndryshim nga kontinenti ynë i plakur dhe i lodhur nga luftrat. Roma ka heshtur, ndërsa Parisi flet jo vetëm për vete. Fuqia e dikurshme e Gjermanisë e shpenzuar per lavdinë e Rajhut të Tretë, tashmë është orientuar te ekonomia dhe mirëqënia e qytetarëve. Për Austrinë flasin universitetet prestigjoze, arkitektura dhe monumentet, teatrot madhështorë dhe bardhësia e natyrës që hedh dritë mbi jetën e vrullshme dhe aq domethënëse. Ndërsa Ballkani i largët ushqehet me balada dhe këngë kreshnikësh. Mitologjia rrezëlluese i kapërcen kufijtë e shteteve. Ja, aty kemi mbetur, përherë të shigjetuar nga urrejtja e fqinjëve. I biem gjoksit dhe ngushullojmë veten me të shkuarën e largët. Po pastaj? Ç’kishim ndërtuar me aq mund e sakrifica i shkatërruam me zellin e barbarëve mesjetarë. Ata që kishim ngjitur në piedestale i zëvëndësuam me të ngjajshmit e tyre. Shtrojë kemi tokën, e cila s’është jona, na e kanë grabitur, ndërsa mbulojë kemi jatakun e varfërisë. Besimi është tronditur, si muret e një ngrehine të vithisur nga tërmeti. Rojtari ynë ka mbetur vetëm Zoti, nëse besojmë se ekziston. Sa e bukur dhe e veçantë është Shqipëria krahasuar me vendet e shumta që kam parë! S’do e këmbeja me asnjë vend të botës, jo pse aty kemi gërmadhat tona dhe varret. Edhe shpirti aty e ka strehën e tij të vetme. Edhe racën e kemi të zgjedhur, paçka se grindemi me veten tonë dhe s’rreshtim së luftuari njëri-tjetrin. Ndaj s’gjejmë rehat; këmbët na hanë për udhë të largët dhe fërkojmë duar të ngazëllyer nga ndjenja e ikjes e cila është bërë tunduese. Ndodhemi nën pushtetin e pamëshirshëm të verbërisë. Nuk ka skllavëri, por injorancë. Liria është pjellë e inteligjencës njerëzore. Provojeni njëherë, ndriçoni mendjet tuaja me dritën e diturisë dhe projektoni udhën në të cilën do ecni. Kemi mbetur pengje të së shkuarës. Kemi rënë në grackat e atyre që fabrikojnë intrigat dhe pabesinë. Gjykojmë Skënderbeun se paska vrarë shumë myslimanë, Ali Pashë Tepelenën si monark të përgjakshëm, Ismail Qemalin provojmë ta përbaltim, Ahmet Zogun e pranojnë si mbret, pastaj e shkurorëzojnë me përdhunë… Humbësit tanë të mëdhenj, dëshmorët dhe heronjtë e Luftës së Dytë Botërore i quajmë kriminelë, u lëndojmë eshtrat. Ata që na premtojnë mirësimin e jetës, ndërkaq na servirin këtë gjellë të helmatisura me duart e tyre të zgjatura; “intelektualë”, gazetarë dhe pseudohistorianë me tituj dhe grada shkencore. Sa keq, dhe sa turp! Dhe këtë e bëjnë jo një ditë të vetme, jo një vit, por tri dekada pa u ndalur. Dhe ende vazhdojnë të flasin në emër të drejtësisë. Ne qendrojmë të mbërthyer pas ekraneve, i dëgjojmë me kërshëri. Kjo është puna që na kanë afruar për të bërë; armiqësia dhe grindjet me njëri-tjetrin. Drejtësinë s’ta jep vetëm ligji, ndryshe Jezusi s’do ishte gozhduar në kryqin e drunjtë. Qytetarët s’duhet të bëhen gjyqtarë të shekulli të XV në të cilin shkroi lavdinë e tij mbreti i Arbërisë, s’mund të analizojmë me mendësinë dhe moralin e kohës tonë bëmat e Vezirit të Janinës në shekullin e 19 apo të bëjmë objekt vlerësimesh cinike veprimtarinë e Mbretit apo atë gjysmë shekullore të Enver Hoxhës. Këto figura kanë bërë vendin e tyre në historinë e kombit. Sigurisht që janë bërë shumë krime, kanë humbur jetë njerëzore, janë grabitur prona, gjithmonë në emër të një kauze janë shkaktuar dhimbje pa fund. Le të mbeten në të shkuarën tonë, t’i gjykojë historia me paanësi. Nuk i vrasim dot, dhe s’mundemi t’i ngjallim. S’ka arsye të vrapojmë pas vdekjes së të tjerëve. Shikoni vendet përreth; gjaku është lubrifikanti i mokrës shtetërore të çdo sundimtari. Asnjë popull s’duhet ta dorëzojë fatin e tij në duart e një njeriu për një kohë të gjatë. Edhe tiranët e kalojnë jetën në mëshirën e një frike sfilitëse, është ajo e humbjes së privilegjeve të pushtetit. Ata s’kanë shumë kohë për të jetuar, ndërsa ne s’kemi kohë për të vdekur. Në këto kushte edhe ligji e humbet “sovranitetin” e tij, ndërsa liria bëhet e huaj për qytetarin. Shkolla e Hegelit u nda në dy rryma; e majta dhe e djathta. E para bëhet bartëse e dialektikës, e dyta pranon kristianizmin. Në Shqipëri nuk ka të majtë dhe të djathtë. Kështu i ka ndarë politika, sepse ajo është shpikja djallëzore për të sunduar turmat. Shoqërinë tonë e ka formësuar kultura e nënshtrimit dhe frikës, prej kohësh. Të papërkulurit i kanë thyer, të butët i kanë shtrydhur. Ata e miklojnë dobësinë që kemi dhe nxitojnë të projektojnë fitoren e tyre. Egoizmin përpiqen ta ngrejnë në lartësinë e moralit tonë. Po cila është pamja reale që këmi? Tek ne ka njerëz të ndershëm dhe të tjerë pa principe morale, atdhetarë dhe tradhëtarë, ka një grusht aventurierësh me pasuri përrallore dhe pjesa tjetër që përfaqëson shumicën pa mjete minimale jetese, ka demagogë neveritës dhe militantë që vrapojnë pas tyre, ka fisnikë të ngujuar në vetminë pikëlluese dhe sojsëzë të veshur allafrënga. Mos vallë duhet të quajmë komunistë ata anëtarët e Partisë së Punës që s’dinin të shkruanin as emrat e tyre? Ata ishin viktimat e para të idealizmit që përqafuan. Vështirë ta kenë kuptuar Marksin, filozofin mendjendritur, edhe shkollarët që mund të kenë lexuar prej tij. Po të djathtët cilët janë? Le t\i referohemi mençurisë së popullit: më thuaj me kë rri, të të them se cili je! Komunistët e pushtetshëm që pretendojnë se kanë ndryshuar mendësi, janë ujqërit e vjetër veshur me gëzofin e qëngjit. Rreth vetes kanë mbledhur çakenjtë që përtypin kokalla. Gjithë qytetarët e ëndërrojnë ndryshimin, për vete dhe fëmijët e tyre, mirëpo ja që s’ndodh, mesa duket gabojmë pas çdo hapi, s’dimë të zgjedhim. Asnjë qeverisje s’iu bën të lumtur, kushdoqoftë ajo. Gëzojuni familjeve dhe adhuroni fëmijët, si dikur perënditë. Eksperienca shekullore e popujve na mëson se shoqëria njerëzore ka pamjen e monedhës; në njërën anë është familja dhe në tjetrën prona. Nëse të dytën e kemi humbur për shkak të grabitësve, le të ruajmë si gjënë më të shenjtë të parën. S’mund të ketë shoqëri të shëndetshme me familje të drobitura që përjetojnë kriza të thella. Kemi mbetur një grusht njerëzish. Jemi të një rrace dhe gjaku, flasim një gjuhë dhe jemi formuar brenda të njejtës traditë. Mundemi të jetojnë si vëllezër nëse i besojmë njeri-tjetrit. Shumë plagë mund t’i shërojë vetëm dashuria. Ata që e kanë varur dinjitetin në çengelët e interesave dhe fshijnë lotët e krokodilit me tangat e bukurosheve, s’munden të na përfaqësojnë. Ata janë hiçërit e shenjtëruar nga padituria jonë. Bëjeni motiv sakrificën e parreshtur për më shumë dinjitet. E dëshiroj shëndetin tuaj dhe ua uroj atë. Paqen shpirtërore quajeni fitore. Ajo do vijë vetëm atëherë kur t’i shikojmë të qeshura fytyrat e fëmijëve tanë dhe sytë e tyre të mbushur me dritë.