Triumf i tenorit Saimir Pirgu, në Teatrin Massimo të Palermos
Tenori shqiptar, Saimir Pirgu ka triumfuar në skenën madhështore të Teatrit Massimo në Palermo, duke interpretuar rolin e Alfredo-s në operën “La traviata” të Giuseppe Verdit, që konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të tij.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit të Tiranës, përgëzoi tenorin Pirgu për përfaqësimin e shkëlqyer që po i bën Shqipërisë, si një nga ambasadorët tanë të kulturës në teatrot më të mirënjohur ndërkombëtarë.
Gjithashtu drejtuesja e këtij institucioni, Abigeila Voshtina, ka shkruar në rrjetet sociale duke uruar tenorin Saimir Pirgu për suksesin në Palermo, e duke e vlerësuar atë si një performancë të çmueshme.
“Me interpretime të tilla mbresëlënëse e dinjitoze, si vokalisht ashtu dhe dramatikisht, Saimir Pirgu ngre peshë zemrat e gjithë shqiptarëve për përfaqësimin e shkëlqyer, jo vetëm në Itali por edhe në piedestalet më të larta të Operës në mbarë botën”, shkruan Abigeila Voshtina./atsh