Avdulla Kënaçi: Në 87-vjetorin e ditëlindjes së Ismail Kadaresë
Kam shoqëruar dikur një delegacion gazetarësh kinezë në Gjirokastër. Atëherë sa ishte botuar në vendin e tyre, me më shumë se një miliard popullsi, romani “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë. E kujtoj këtë ngjarje, sot, në ditëlindjen e kolosit të letërsisë shqipe. Të huajt që shoqëroja habiteshin me Gjirokastrën dhe arkitekturën e saj. Ecnim me këmbë nëpër sokakët dhe rrugicat e qytetit. Ndalëm në lagjen Palorto. U tregova shtëpinë ku kishte lindur shkrimtari, atëherë e parestauruar. Njeri prej gazetarëve, më i riu, solli në vëmendje këtë fragment romani që po citoj këtu më poshtë: «Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pjerrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Këtë gjë më mirë se kushdo e dinin pijanecët. Ishte me të vërtetë një qytet shumë i çuditshëm. Ti mund të ecje rrugës dhe po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra»
Dhe gazetari i ri shtoi: Ky qytet është pikë për pikë siç e kam lexuar në roman, mendoja se ishte fantazi e autorit, por paska qenë e vërtetë. Nuk e besoja se do të vinte një ditë që unë vetë ta shihja me sytë e mi këtë çudi kolektive…
Ata, te gjithë, shkrepën foto të pafundme të qytetit dhe e përmendnin aq dendur me entuziazëm emrin e Kadaresë. Veprën letrare “Kronikë në gur” e kishin lexuar të gjithë, në një kohë që ajo nuk ishte aq e njohur në Shqipëri sesa në Kinë. Kjo është magjia dhe fuqia e talentit Kadare. Lavdia e tij udhëton dhe ecën kudo në botë, në më shumë se pesëdhjetë gjuhë. Dhe kështu do të vazhdojë .
28 janar 2023, Canada.
Please follow and like us: