Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Monolog pensionisti

 

Ndërsa merr pensionin, nis bën llogaritë,

I shënon të gjitha shpenzimet në letër,

Kaq lekë per ilaçe, kaq lekë energjia,

Borxhin  që kam e shtyj për herë tjetër.

 

Janë rritur shpenzimet, janë rritur kaq shumë,

Dhe ende vazhdojnë të rriten përditë,

Dhe buka e gojës është bërë më e shtrenjtë,

Ndaj ne pensionistëve na mbetet në fyt.

 

Vret mendjen  i gjori se si mund t’ia dalë,

S‘do shkojë asnjëherë për kafe me shokë,

Pensioni i gjithë mbaron për dhjetë ditë,

Kjo rritje çmimesh na la fare trok.

 

Dhe nis që nga lista të heqë ca shpenzime,

Mbi faqen me rrudha i bie një lot,

S’do blej më as fruta, do bëj dhe pa to,

Do lë dhe duhanin se nuk ia dal dot.

 

S‘do blej  as këmishë, s’do blej as xhaketë,

Këpucët e vjetra nga këmba s‘i heq,

Edhe pse të vjetra po mbehen akoma,

Edhe pse të vjetra nuk janë dhe aq keq.

 

Dhe bën llogari me zemër të vrare,

Ndersa i del gjumi në tre të mëngjesit,

Kaq lekë për pak bukë, për qumësht, për vezë,

Kaq lekë për ilaçin që pi kundër stresit.

 

Dhe zotit i lutet çdo darkë e mëngjes,

Ndërsa brenda shpirtit ka veç pikëllim,

O zot mos më merr, me ler i dhe ca kohë,

Më ler se nuk mund, s‘kam lekë për varrim!

Please follow and like us: