Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Shtëpani: Shëngjergj, 110 vjet shkolla e parë shqipe në Qarkun e Tiranës

 

 

 

 

1913-2023, 110 vite nga shkolla e parë shqipe në qarkun e Tiranës e cila u hap në Shëngjergj.  Por, mësimi i gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës, ka filluar para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këtë fakt e përforcojnë shumë dëshmi të cilat hedhin dritë mbi kohën ku filloi mësimi në gjuhën shqipe. Historia nis me normalistin e Elbasanit i cili në vitin 1910 largohet nga ky qytet për shkak të një incidenti. Me anë të ndërmjetësve ai shkon dhe strehohet në shtëpinë e Xhaferr Shtëpanit në Shëngjergj, ku fillon t’u mësojë të rinjve dhe të moshuarve A, B, C. Ata që mësuan me këtë normalist, lanë kujtimet e tyre për këtë periudhë e cila mund të quhet si fillesa e mësimit në gjuhën shqipe në qarkun e Tiranës. Ndërsa shkolla e parë shqipe (ilegale) ka filluar në fund të vitit 1911 me ardhjen në Shëngjergj të mësuesit Ramiz Hatibi. Gjithçka ishte e përgatitur dhe studiuar mirë, që tek justifikimi tek autoritetet se ishte hoxhë dhe se do t’u mësonte fëmijëve të Shëngjergjit turqishten, dhe deri tek mësimi i shqipes në fshehtësi të plotë. Historiani i njohur Petraq Pepo në librin e tij ”Lufta për çlirimin kombëtar 1878-1912 në fq. 310 boton kujtimet e mësuesit të parë të shkollës ilegale.

 

Rrëfimi i mësuesit Ramiz Hatibi

 

“Lëvizja kombëtare në Shëngjergj si në shumë vise të tjera të Shqipërisë ka filluar me përpjekjet e para për hapjen e një shkolle në gjuhën amtare. Katundarët e Shëngjergjit në kohën e Turqisë kanë bërë pazarin ku në Elbasan, ku në Tiranë. Pas shpalljes së Hyrietit, patriotët e këtyre qyteteve kishin ngritur klube e kishin çelur shkolla e hynë në lidhje në zona e në miqësi me katundarët. E kështu, Xhaferr Shtëpani me nxitjen e këtyre patriotëve filloi përpjekjet për hapjen e një shkolle për djemtë e Shëngjergjit. Por, ka pasë dhe katundarë, të shtyrë nga fanatikët e qytetit, që mundoheshin të fusnin fitime e të pengonin mësimin e gjuhës shqipe. Por, Xhaferr Shtëpani t’ui pasë përkrahjen e patriotëve dhe të disa familjeve që kishin miqësi më të, me anë të një miku të vet (Shefqetit të Bashaçushit) hynë në marrëveshje me mua e këshu u bëra mësues në Shëngjergj me 800 groshë në muaj rrogë e ushqim dhe një dhomë dërrase të cilën e përshtata për mësim (paratë, ushqimi e dhoma nga Xhaferr Shtëpani). Shëngjergji ka qenë një krahinë e prapambetur dhe ka pasë fanatikë që besonin se shkolla e prishte fenë, prandaj unë e filloja mësimin me shpjegimin e Kuranit.

Pas Kuranit, plot qejf fillonim mësimin e gjuhës sonë amtare. Librat sidomos abetaret na i jepnin pa të holla patriotët e Tiranës. Shkollarët e mësuan shpejt e shpejt alfabetin dhe pa shkue shumë kohë mundoheshin me lexue copa të vogla. Këto copa leximi kanë qenë me përmbajtje diturake dhe morale, ka pasë gjithashtu pjesë nga historia jonë kombëtare, përshkrime gjeografike etj. Këto unë ua shpjegojsha me qejf nxënësve dhe ata ndigjonin me vëmendje të madhe se në shpirtat e tyre të njomë ndizej flaka e atdhedashurisë”. Duke analizuar rrëfimin e mësuesit Ramiz Hatibi bindesh se Xhaferr Shtëpani ishte iluminist. Ai dhe familja e tij kishin lidhje me familje me emër si Myrtesim Këlliçi, Sinan Kruetani, me familjen Toptani e në mënyrë të veçantë me Murat Toptanin. Ata vinin vazhdimisht në Shëngjergj. Murat Toptani shpeshherë në familjen Shtëpani ku dhe e nxiti Xhaferrin që të hapte shkollën e parë shqipe. Për mbarëvajtjen e shkollës interesoheshin një grup burrash të zgjedhur nga fshati si: Xhaferr Shtëpani, Hoxhë Duka, Haxhi Bitri,

Zeqir Hamzai, Lore Musta (Disha) etj. Pas mësuesit Ramiz Hatibi erdhën mjaft mësues tē tjerë si: Hysen Bylyku, Hamdi Kosturi, Mehmet Kuqi, Shefik Kulla, Haxhi Fortuzi e pastaj mësuesi vendas ish-nxënësi i shkollës Abdulla Keta. Nè vendin e Abdulla Ketës erdhi mësuesi tiranas Hysen Keta. Ky mësues atdhetar mori me vete edhe familjen. Djali i tij, Heroi i Popullit Myslym Keta ka qenë nxēnës i kësaj shkolle.

Mbas Hysen Ketës dhanë mësim Gani Keta, Shaqir Keta, Elmaz Shtëpani, Ymer Distafa, Shaqir Trimi, Shaqir Duka etj.

 

Kujtimet e mësuesit Cen Bylyku

 

Mësuesi tjetër i cila ka dhënë mësim në Shëngjergj në ato vite në materialin prej dyfaqësh ndërmjet të tjera thotë: “Në Shëngjergj kam qenë dy herë, si mësues kam shkuar në vitin 1912 dhe në vitin 1917. Në fillim kur shkova në Shëngjergj, bëja mësim në shtëpinë e Musa Shokut e për të fjetur flija në shtëpinë e Islam Shtëpanit. Kur unë shkova në Shëngjergj për të mësuar nxënësit, konstatova se ato kishin njohuri për A,B.C-në e dinin shqip. d.m.th se atje qe mësuar shqip para vitit 1912 në mënyrë ilegale. Mësues para meje  pra para 1912 ka qenë Ramiz Hatibi nga Dibra. Familja Shtëpani kishte lidhje të ngushta miqësore me Murat Toptanin e ai kishte nxitur dhe e kishte kurajuar mësimin e gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës nëpërmjet Xhaferr Shtëpanit në fillim në shtëpinë e tij. Pas vitit 1913 unë u arrestova nga Esat Pashë Toptani, po ashtu u arrestua dhe Xhaferr Shtëpani i cili dhe vdiq në Itali ndërsa unë si më i ri që isha më liruan në Durrës. Si libra për mësimin e gjuhës shqipe në Shëngjergj, përdorja Gramatikën e Naim Frashërit e më vonë libra të tjera të botuara në Vjenë që mesa më kujtohet kanë qenë shtypur nga Simon Shuteriqi. Këto libra mi pat dhënë Refik Beu përpara se atij t’i digjnin shtëpinë. Këto kanë qenë rreth viteve 1912-1913. Gjithsej 13-14 copë libra”. Në kujtimet e tij mësuesi Cen Bylyku tregon se nxënësit kishin dëshirë të mësonin, po ashtu kishte shumë persona dhe familje që luftonin për të përhapur gjuhën shqipe. Mësuesi këmbëngul që mësimi i gjuhës shqipe në mënyrë ilegale është bërë para vitit 1912 dhe se ai bëhej në familje dhe miq të besuar. Kështu bëhej në Shëngjergj dhe kudo ku kishin ardhur mendimet përparimtare për mësimin e gjuhës shqipe. Ndërsa arsimtari i vjetër Sulejman Shota thotë se në Shëngjergj mbizotëronte feja ashtu si dhe në vende të tjera. Mësuesi i asaj kohe  sipas vendit ishte dhe misionar i këshillave fetare. Por, kishte dhe nga ato patriotë që kontribuonin për gjuhën shqipe. I tillë sipas mësuesit Shota ishte Ali Shtëpani i cili u dha urdhër njerëzve të tij që të fillonin merementimin e shkollës sa më shpejt me shpenzimet e veta pa bëra asnjë fushatë në katund. Pati dhe nga ata që nëse do t’u thoje se do t’u mësohej nxënësve dhe feja, nuk nguronin t’i regjistronin fëmijët e tyre në shkollë.

 

Mësimi në xhami dhe kontributi i imamit

 

Meqenëse dhoma e dhënë për shkollë dhe kushtet higjenike ishin të papërshtatshme, shumë persona me peshë në Shëngjergj po mendonin për të gjetur një lokal të përshtatshëm ku mund të bëhej mësim. Ndërsa nevoja për libra ishte e madhe, ku vlen të theksohet se një pjesë e tyre kopjoheshin nga arsimtarët e normales së Elbasanit të cilët i kishin të përkthyera dhe të adoptuara për nxënësit shqiptarë. Kishte pak tekste të botuara, gramatika e Aleksander Xhuvanit, një libër këndimi. Përdorej në atë kohë abetarja e Mati Logorecit. Sipas programit kishe dhe një orë besim fetar. Pavarësisht mangësive të sipërcituara, mbetej shqetësim për të gjithë banorët e zonës, ambienti ku bëhej mësim.

Këtu vjen kontributi i Hoxhë Alush Dukës i cili hapi dyert e xhamisë për nxënësit e Shëngjergjit që ato të mësonin shqip. Kushti i vetëm ishte që të premten ku bëhej dhe falja të bëhej disa orë më pak mësim, që nënkuptohej, fëmijët të bënin mësimin jashtë si; gjimnastikë dhe këngë. Në xhami u vendos e gjithë baza materiale, dhe fotografi që ishin të ndaluara për disa hoxhallarë. Imami Alush Duka jo vetëm që nuk i hoqi fotografitë, përkundrazi me humor do të deklaronte se ia kishin zbukuruar xhaminë. Kontributi i tij do të shkonte dhe më tej teksa ai ra dakord së bashku me të tjerë, që në strehën e xhamisë të ndërtoheshin dy dhoma mësimi. Ky fetar dhe patriot i flaktë ka tashmë mirënjohjen dhe nderimin e popullit të Shëngjergjit.

 

Kërkesa e banorëve të Shëngjergjit për konvikt

 

Në një artikull të botuar në gazetën “Telegraf” të 11 korrikut 1928 thuhet se kryepleqësia e krahinës së Shëngjergjit i bëri një kërkesë ministrisë së Arsimit për hapjen e një konvikti në qendrën e Shëngjergjit. Në gazetë shkruhet se populli i Shëngjergjit po tregon një interes të madh për arsimin dhe se djemtë i kanë dërguar në shkollën normale të Elbasanit dhe në shkolla të tjera. Meqenëse krahina e Shëngjergjit është në mes të Bastarit e Çermenikës, që kanë mbetur shumë pas në arsim, hapja e konviktit në Shëngjergj do të ishte shumë e rëndësishme. Fillimisht kërkesa u pranua nga ministria për vitin shkollor 1928-1929. Për konvikt u propozua përkohësisht që të merrej ndërtesa e Ali Shtëpanit ku ishte vendosur komuna dhe postkomanda e saj. Ali Shtëpani ishte dakord, por autoritetet lokale e refuzuan lirimin e këtij ambienti, kështu pra konvikti u transferua në Peshkopi. Në kohën e okupacionit fashist është fakt se në shkollën e Shëngjergjit nuk u vendosën asnjëherë portretet e Viktor Emanuelit apo të Musolinit, nuk u lejua asnjëherë që nxënësit e shkollës të nderoni në mënyrë alla-fashiste apo të regjistroheshin “balilë” e të dërgoheshin ndoshta edhe në Iltali. Shkolla do të bëhej propaganduesja e LANÇ. Ndërsa në vitin 1942 paria e Shëngjergjit e përbërë nga 20 veta vendosën që të ndërtohen edhe 3 shkolla të reja me paratë e fshatit, konkretisht për çdo shkollë 600-700 napolona. Menjëherë pas çlirimit të vendit, shkolla do të bënte përpjekje të mëdha për zhdukjen e analfabetizmit në fshat duke ngritur kurse, ku prioritet iu dha të rinjve dhe të rejave. E kështu do të ecnin vitet dhe së bashku me to puna e lavdërueshme e mësuesve. Në këtë krahinë u hapën disa shkolla për të kulmuar në vitin 1975 me hapjen e shkollës së mesme bujqësore me shkëputje nga puna dhe ajo e mbrëmjes. Eveniment për Shëngjergjin është dhe hapja e shkollës së mesme te përgjithshme. Përkushtimi i treguar në vite i mësimdhënësve në këtë krahinë ka qenë kaq i madh sa do të duheshin mijra radhë. Në Shëngjergjin arsimdashës kanë dhënë mësim vendas dhe jo, të cilët ndër vite kanë bërë maksimumin për të edukuar brezat.

Të jesh nga Shëngjergji ke privilegjin që në momentin e parë të prezantimit. “Ju jeni të zgjuar”- të thonë ku mësojnë se je nga Shëngjergji i Tiranës”. Ndërsa shëngjergjasit me krenari vazhdimisht deklarojnë se ky konstatim është i lidhur me shkollën e parë shqipe (ku është mësuar shqip edhe me shkrim edhe me gojë) në Qarkun e Tiranës e cila është hapur pikërisht në Shëngjergj. Shkolla e Shëngjergjit meriton të vlerësohet shtetërisht, po ashtu dhe mësuesit që përgatitën kuadro të cilët shërbejnë me ndershmëri dhe profesionalizëm në të katër anët e Shqipërisë. Nder dhe respekt për të gjithë mësuesit dhe patriotët që sakrifikuan në ditë të vështira për gjuhën shqipe, për familjet që lanë shtëpitë e tyre për shkollë, dhe për fshatin që i mbajti këto shkolla gjithmonë të hapura.

Please follow and like us: