Odise Kote: ENDACAK
Ti kurrë nuk kishe strategji e plan,
askush sa ty, s’i di gjithë historitë.
Pasqyra brengash thyen pa merak,
i ngul trishtimit shtizë në brinjë.
Në kohë fat, me gravitet e flakë,
Gojëkyçur s’digjesh, burokrat i gjorë.
Bota me pranga, detyrim e lak,
Të ngjan hutim, komedi – revoltë.
Shijon torturën që zbret nga qiejt,
Kurth – alibi për një tjetër rikthim.
Je kalë egërshan, nuk e njeh bindjen,
Udhëve në pluhur, harresë e harrim.
Murg i vetmuar, pendime s’pertyp
kryq e tërthor iluzionesh pa cak.
Shpagim rreziku, o shpirt i lirë,
fillikat i fatit, hero endacak…
Please follow and like us: