Arbërie Nagavci: Mirënjohje profesorit Landsman!
Me shumë kënaqësi nderuam kontributin shumëvjeçar të Profesor, Dr. Moshe Landsman dhënë në fushën e arsimit të Republikës së Kosovës. Profesor Landsman ka mbi dy dekada që e viziton Kosovën, dhe gjatë kësaj kohe kontributi i tij ka qenë shumë i gjerë, intensiv, i vazhdueshëm dhe tejet domethënës.
Landsman është personi që themeloi Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2001.
Themelimi i Departamentit të Psikologjisë në periudhën pas luftës në Kosovë ishte ngjarje tepër e rëndësishme sa i përket adresimit të shëndetit mendor të popullatës së gjerë dhe burim jetik për zhvillimin e kapitalit njerëzor për ofrimin e shërbimeve këshilluese dhe terapeutike.
Ai ka dhënë kontribut edhe në përkrahjen e vazhdueshme profesionale dhe emocionale për personelin, si dhe inkurajimin e pandalshëm për të qenë njerëzor në misionin e vështirë për ofrimin e shërbimeve terapeutike sa i përket autizimit.
Me angazhimin e tij të pa shoq ka ngritur qendra që ofrojnë programe për shëndetin mendor dhe mbështetje kognitive, psikologjike dhe psikiatrike për të gjithë ata që kanë nevojë – përfshirë fëmijët, studentët dhe të rriturit.
Mirënjohje e përhershme për përkushtimin dhe punën e palodhur të profesor Landsman si dhe për gjithçka që ka bërë për vendin tonë.