Albspirit

Media/News/Publishing

Lajme të rreme të Kremlinit që shpërndahen nga konspiracionistët bullgarë

Ai është një politikan me qëndrime të skajshme dhe figurë e njohur në rrjetet sociale, që pretendon se është në kryqëzatë për të shpëtuar kombin. Georgi Georgiev Gotti ka thënë se fundi në llogarinë e tij në Facebook se Komisioni Evropian dëshiron “t’iu japë kancer” bashkatdhetarëve të tij. Si? Sipas Gottit, burokratët e Bashkimit Evropian do t’iu mundësojnë prodhuesve që të shtojnë insekte në formë pluhuri në një numër ushqimesh, kombinimi i të cilave është kancerogjen. Pa pasur fakte shkencore për ta përkrahur këtë pretendim, postimi i tij është bërë viral në Facebook – është shpërndarë 1.000 herë dhe ka gjeneruar qindra reagime, shumica e të cilave me doza të larta zemërimi. Një komentuese në Facebook, e identifikuar si Tsetsi Ilieva, e ka konsideruar Bashkimin Evropian dhe politikanët e saj si “të ndyrë”. Në përhapje e sipër të dezinformatës, ky thashethem ka pësuar mutacion, pasi në rrjetet sociale janë parë postime se BE-ja synon të detyrojë njerëzit të konsumojnë insekte. Në to është pretenduar se insektet në formë pluhuri do të shtohen në shumë ushqime – përfshirë bukën – dhe ato nuk do të shtohen në listën e përbërësve në paketim. Ndonëse është e vështirë të vërtetohet se këto thashetheme janë pjesë e një fushate të orkestruar të Kremlinit, postimet në rrjetet sociale kanë shpërthyer pasi një prej figurave më të fuqishme mediatike të Rusisë, Dmitry Kiselyov, e ka përmendur këtë gjë në emisionin e tij të popullarizuar në televizionin shtetëror, në fund të muajit janar. Rusia shpërndan vazhdimisht dezinformata në Evropë, me qëllim të rritjes së mosbesimit dhe dyshimeve te institucionet e BE-së.

Milena Yakimova, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Sofjes, e cila vëzhgon përpjekjet për propagandë ruse në Bullgari, ka thënë se fushata e fundit e dezinformimit në Bullgari, synon të tregojë se “Evropa është e huaj për ne”. Fushata aktuale duket se është duke u realizuar nga individë dhe organizata që të paktën kanë simpati ndaj Rusisë. Bullgaria ka qenë dëshmitare e disa fushatave të ngjashme. Ky shtet i rajonit të Ballkanit është përballur me numër të madh të viktimave me koronavirus – kryesisht për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit dhe dezinformatave mjekësore, të cilat i kanë rritur dyshimet te njerëzit. Nuk ka shumë kohë që rrjetet sociale janë mbushur me pretendime të rreme se “mobilizimi ushtarak do të përfundojë, duke i dërguar burrat bullgarë në Ukrainë për të luftuar kundër ushtarëve rusë”.

Megjithatë, te thashethemet për insekte ka diçka të vërtetë.

Komisioni Evropian – organi kryesor i Bashkimit Evropian – i ka futur këtë vit në listën e ushqimeve më shumë insekte, pasi rregullatori i BE-së për siguri ushqimore e ka dhënë dritën jeshile. Insektet janë pjesë e një diete ushqimore për çerekun e globit. Besohet se ngrënia e më shumë insekteve dhe konsumimi më i paktë i mishit, mund të rezultojë, jo vetëm në shëndet më të mirë të njerëzve, por edhe në mjedis më të mirë. Të dhënat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Bujqësi, tregojnë se bulkthit i duhet gjashtë herë më pak ushqim për të krijuar sasinë e njëjtë të proteinave. Në tetor të vitit 2014, kjo agjenci ka thënë se bulkthi dhe krimbi i mëndafshit janë miqësorë për natyrën dhe alternativë për ushqim të njerëzve, në vend të mishit të pulës, viçit apo derrit. Në analizën e kësaj agjencie është thënë se kultivimi i insekteve mund të çojë në emetime më të vogla të gazrave serrë dhe amoniakut, sesa rritja e bagëtive apo derrave, si dhe në efikasitet më të lartë në shndërrimin e ushqimit në proteina. Në maj të vitit 2021, Komisioni Evropian ka konfirmuar se një lloj i krimbit të verdhë është miratuar dhe konsiderohet ushqim i ri në bllokun evropian. Në gusht të vitit 2022, Komisioni Evropian ka thënë se tri lloje të insekteve: krimbat e verdhë, bulkthat e shtëpisë dhe disa lloje të karkalecave, janë autorizuar për përdorim në territorin e BE-së. Në janar të këtij viti, Komisioni Evropian ka miratuar disa larva të ngjashme me krimbat e verdhë – një lloj brumbulli – dhe bulkthat e shtëpisë – në formë pluhuri – si ushqime të reja. Në të dyja rastet, miratimi i Komisionit Evropian aplikohet vetëm në disa produkte specifike të prodhuara nga dy kompani. Aty përmendet se në cilat lloje të ushqimeve mund të përdoren insektet – përfshirë bukën – dhe që duhet të shënjohet në paketim nëse janë përdorur ato. Pas vendimit të Komisionit Evropian për insektet, rrjetet sociale në Bullgari janë mbushur me postime – duke përfshirë edhe ato të Gottit – duke përmendur një lloj të karkalecave që nuk është përmendur në vendimin e BE-së. Të dhënat nga gjiganti Google tregojnë se kërkimet në Bullgari për karkalecat dhe bulkthat janë rritur brenda kohës së njëjtë, duke pasur pikun më 30 janar. Shërbim bullgar i Radios Evropa e Lirë ka gjetur se një prej postimeve të para në Facebook, të datës 26 janar – në të cilin janë shpërndarë pretendime të rreme – ka qenë i një gruaje të identifikuar si Nadia Ivanova. Në një analizim të llogarisë së saj në Facebook janë parë shumë postime në të cilat ajo lavdëron presidentin rus, Vladimir Putin dhe e përmend disa herë Nikolai Malinovin, një ish-ligjvënës bullgar dhe udhëheqës të një grupi të lobit pro-rus në Bullgari. Më 2019, Malinov ka udhëtuar në Moskë për të marrë personalisht një shpërblim nga Putini. Aktualisht ai është i përfshirë në procesin gjyqësor në Bullgari, me akuzat se ka spiunuar për Rusinë.

Postimi i Ivanovas më 26 janar është shpërndarë shpejt nga persona tjerë në Facebook, duke përfshirë një person të identifikuar si Lisa Miller, e cila ka ndarë shkrimin në rrjetin bullgar Varna pa Censurë, që akuzon mediat kryesore për paragjykime anti-ruse dhe gjëra tjera. Profili i Millerit duket se është i rremë, sipas hulumtimeve që ka kryer Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë. Nga ajo llogari janë shpërndarë shpesh teori konspirative dhe lajme të rreme. Kjo temë ka fituar vëmendje edhe më të madhe, në Bullgari dhe gjetkë, pasi moderatori rus, Kiselyov e ka diskutuar atë në një program televiziv më 29 janar. “Transformimi kulturor në Evropë është duke ndodhur tash e një kohë dhe tani e ka një dimension të brendshëm”, ka thënë Kiselyov. Ai e ka përdorur narrativën familjare në Rusi se njerëzve në Evropë u kërkohet “të lajnë më rrallë rrobat, të ulin temperaturën e dhomës dhe tani këshillohen të hanë insekte”. “Ata po shtyjnë evropianët që të pastrohen sa më rrallë dhe që të hanë insekte”, ka thënë Kiselyov, i cili shpesh përshkruhet si një prej njerëzve të Kremlinit që bën më së shumti propagandë. Dhe ai nuk ka qenë i vetmi që e ka komentuar vendimin e BE-së. Në Francë, politikani i krahut të djathtë, Laurent Duplomb, i ka akuzuar burokratët e BE-së për qëllime të poshtra. “Ne nuk mund të lejojmë që francezët të hanë insekte pa dijeninë e tyre”, ka shkruar ai në Twitter. Transkripti i emisionit të Kiselyovit më 29 janar është shpërndarë shpejt në rrjetet sociale në Bullgari dhe është shpërndarë nga Ivanova, Miller dhe Gotti. Profesoresha e sociologjisë, Yakimova, ka thënë se “lajmi” për konsumimin e insekteve e ka vërshuar hapësirën e informimit në Bullgari javëve të fundit. Yakimova ka thënë se ky lloj dezinformimi synon të nxisë çarje brenda BE-së. “Ky është sulm në solidaritetin evropian dhe e shfrytëzon frikën e kahershme të Perëndimit për insektet”, ka thënë ajo./rel

Please follow and like us: