Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam, Sabiha Kasimati

Sabiha Kasimati, e bija e doktor Abdurrahman Kasimati u lind më 15 shtator 1912 në Edirne të Turqisë. Familja zhvendoset në Shkodër ku i ati shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.

Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku  fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e mbaroi më 1931 – duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Më 1933 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës ku jepte biologji. Verën e 1935 iu akordua një bursë shtetërore për në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Drejtuesit e Universitetit i ofruan asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe.

Me kthimin në atdhe nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”. Për shkaqe shëndetësore vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku kthehet më 1945. Nisi bashkëpunimin me Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji. Bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, apo profesor Stanisllav Zuber (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri). Ndërsa kryente studime të thelluara dhe botonte libra në fushën e shkencave biologjike, Sabiha Kasimati u bë dëshmitare sesi lufta e klasave po merrte jetët e intelektualëve të vendit që dyshoheshin për qëndrime kundër sistemit komunist që ishte kthyer në një makineri gjakatare. Kasimati shprehej hapur kundër sistemit që në vitet e para kur u ekzetua grupi i parë i deputetëve.

Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë  konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo prove të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951 dhe u dënuan me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa.

Please follow and like us: