Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: HOMAZH PËR SHOQEN E KLASËS, MIMIKA LUCA!

Sot ajo, balerina, aktoria e dramaturgia e teatrit nuk është më! Dhe e mësova pikërissh në këtë ditë “të pa zakontë”, kur AJO u nisë për në “BOTËN E ËNGJËJVE”, sikundër ishte vetë, me shpirtin qelibar, me krahët e një fluture dhe me atë buzëqeshje plot mirësi. Po mbrëmë, dërgova për botim, për librin tim të ardhshëm”DRITË-HIJET E SKENËS E TË EKRANIT”, letrën që kisha shkruar për të, së gjalli, tek vajta në atë “PARAJSË” që kishte ngritur i biri, gjatë këtyre 30 viteve në rendin e ri… Por nuk qe e thënë që edhe ta takoja shoqen time të klasës, veç kur të shkoj edhe vetë aty, ku është nisur të shkojë edhe e shtrenjta jonë Mimi, tok me letrën time “mbetur në ajër”! Të pangushëlluarve të sa,j Rozafës e Gjergjit e gjithë familjarëve të të Madhit, Ndrekë Luca, që i ndriste shpirti, u shpreh edhe dhimbjen time, si kolegu i saj i viteve të shkollës e i “udhëve të vështira” të artit…
***
E dashur Mimi! Po të shkruaj një copë letër, pa e ditur se ku ndodhej. Me siguri që edhe mund të habitesh që po të kujton shoku yt i klasës Miho Gjini, aq më tepër pas 57 vitesh! Se jemi në një kohë të ndërmjeme që s’dimë se ku ndodhemi, se jemi as jemi fare, në jemi gjallë a kemi vdekur! Po gjithsesi imazhi ynë mbetet i fiksuar në ato 4 vite të lumtura e të paharruara të Shkollës së Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, kur ndjenja e mrekullullueshme e artit, shoqëria, miqësia e dashuria njerëzore, ishin të shtrenjta, të shenjta e te pa zëvëndësueshme! E asgjë nuk “fshiet me gomë”, as “tretet mbi dhe a nën dhe”. Se emra të tillë si Mimika, Edi, Bexheti, Donika, Filika, Aisheja, Maxhideja, Marjo, Serafini, Alberti, Bernardi, Viktori e me rradhë, nuk harrohen për jetë të jetëve…
Mase më pate harruar, e dashur Mimi, mua Miho Gjinin, “Peshkopin e ndrojtur të librave”, interpretuesin e Memecit tek Përralla “Ylli i Alpeve”, atë rojtarin pijetar tek komedia e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”, që loste çakërqejf bashkë me Robert Ndrenikën dhe sidomos atë avokatin shqiptaro-amerikan Petro (te “Martesa e një avokati” të Foqion Postolit, të mbiquajtur Piterson!) që e interpretuam së toku, moj Mimi, bashkë me Aishen dhe Marien?! Qenë vite të bukura ato, para se të vinin prishjet e mëdha, njëra pas tjetrës e mbas asaj gjëme që më ngjau edhe mua, kur më “palosën” për një tjatër shfaqje teatrore që nuk i pëlqeu Diktatorit e më zhytën disa pashë nën dhe….!
Po ja ku jam edhe tani, tek hyj poshtë një portiku gjigand në “Labinot Fushë” të Elbasanit dhe përballem me portretin e qeshur të aktorit Ndrekë Luca, bashkëshortit tënd të ndjerë dhe të portretit të shoqes sime të klasës, në murin e nje maketi-godine, imitacion i Kinostudjos, si edhe më tej të Akademisë së Arteve dhe mbetem pa frrymë!
Gjithëçka mu kthye gjysmë shekulli mbrapa: Balerina Mimi që erdhi pak me vonesë në klasën tonë, aktori Ndrekë që vinte dhe e priste Miminë, pas etydeve të “Mjeshtërisë së Aktorit”, për ta marrë me biçikletën e tij të vjetër, si edhe stepja jonë studentore që ndodheshim të befasuar para aktorit të “tmerrshëm” që interpretonte Jagon e Shekspirit, duke të parë njëherësh tinëzisht edhe ty, o shoqja jonë shumë e dashur e tepër e ndrojtur, me bishtin e syrit! Ndërsa ne që vajtëm aty për të parë këtë mrekulli arti, turizmi e biznesi, që e ka krijuar yt bir, Gjergji, shohim po kaq të mrekulluar njëri-tjetrin: unë Mihoja, Josifi (Papagjoni), Feridi (Hudhri) dhe Agroni (Xhangolli), miq të hershëm, po kaq edhe të pandarë. Se, sikundër lexojmë një citat të shkruar me gërma kapitale në një faqe muri: “Është më zor të bësh bashkë dy shqiptarë, sesa një thes me pleshta” (Konica), Dhe ja tek bëjmë njëfarë përjashtimi ne të katërt, që për pesë dekada, nuk na ndau dot njeri. Hahahahhha! Po këtu, ky Gjergji yt, e ka mbushur edhe me citate të tjera të mençura nëpër mure godinash e fabrikash për prodhimet e detit, me ndërtime të tjera funksjonale, me hapësira urbane, lulishte, piktura e skulptura, me sajesa të këndshme, kënde shlodhëse e lokale, të cilat , në harmoninë e tyre ngjajnë si një maket gjigand xhirimi filmash, si ato të Hollivudit, për të përfunduar tek tunelet e Enver Hoxhës në një faqe mali (për t’u mbrojtur nga Amerikanët, më pastaj nga Rusët e paksa më vonë edhe nga Kinezët!), mbi të cilët ngrihet tani i madhërishm busti gjigand i Gjergj Kastriotit, ideuar po nga ky Gjergj Luca yt! E, pë ta mbledhur veten nga magjia e krijimit dhe nga fantazia e artistit biznesmen, aty ku ngrihet “Menca e kooperativës”, ku janë shtruar një mori tryezash për adhuruesit e artit kulinar të pëshkut! Një tjetër e veçantë, brenda kësaj qyteze turistike nga Gjergji Luca, i biri i Ndrekës dhe i Mimisë, i cili e ka quajtur, me fantazinë e vetë reale: “QYTETI I PESHKUT”.
Dhe u dashka që të largohesh pej këndej e të të “bombardojnë” mendimet e të të “sulmojë” një “PSE” e madhe dhe cfilitëse: “Çmund të bëhëj vallë me gjithë ato fabrika e kombinate, reparte ushtarke, tunele e bunkerë të panumërta që u ngritën dikur me paratë e popullit e me një punë vullnetare rraskapitëse prej skllevërve të bindur, gjatë periudhës së tmerrshme të diktaturës, të cilat më pas, në sistemin tjetër tranzitor, ca më keq akoma, u shkatërruan, u vodhën e ca u kthyen në gërmadha?! Ç’i kemi bërë Perëndisë, moj Mimi, që ranë mbi ne të gjitha ndëshkimet?! Përse nuk punohet tek ne gjithkund, sikundër bëri djali yt i mençur, që dha kështu një shëmbëlltyrë të shkëlqyer të shndërrimit të gërmadhave në disa “bina” me vlerë për njërëzit, që punësoi aty tërë ata familjarë të zonës, zanatçinjsh, inxhinjerësh e arkitektësh, të cilët, jo pak herë, “vrasin miza” si ai nënprefekti i Robert Ndrenikës në një film të Saimir Kumbaros, që e ka “qarë” mrekullisht me interpretimin e tij?! Le të vijnë këtu që të gjithë, për të parë, nga janë e nga s’janë, për të parë se si vihen në punë për njerëzit paratë e fituara me punë të ndershme, sikundër bëri yt bir gjatë 30 vjetëve, me biznesin e peshkimit!
Po me ata qindra-mijëra aktorë që kanë mbaruar shkollën tonë, ç’bëhet e çdo të bëhet, e dashur Mimi? A nuk hyjnë edhe ata në këtë “masë inerte të papunësh” që është krijuar këtu tek ne?! Kam parë, jo pak herë në disa fabrika të braktisura të Athinës e në një distileri alkooli, po ashtu të braktisur, në Toronto të Kandasë, që jepen edhe shhfaqje skenike, spektakle muzikore e hapen ekspozita të artit pamor, ku për habi dyndet një mori e madhe spektatorësh kureshtarë!… A nuk është kjo një shëmbëlltyrë e rrallë, si këto që ka bërë GJERGJ LUCA?
Më bëhet zemra mal, e dashur Mimi, shoqja jonë e mirë, aktorja e heshtur, balerina e dikurshme e Teatrit të Operas, si edhe dramaturgia e parë që doli nga klasa jonë me emër të mirë, me atë emër drite “DRITA”. Dhe dritë t’u bë dhe jeta! Ta kesh me jetë, e shtrenjta jonë Mimi, këtë djalë të mbarë me emrin Gjergj dhe i paharruar të jetë emri e kujtimi i NDREKË LUCËS!
Please follow and like us: