Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Orët e fundit përpara shpalljes së pavarësisë

Pas mesnatës së 14 shkurtit 2008 e dërguam gazetën në shtyp, pa ndonjë konfirmim zyrtar, por me besimin në zemër se numrin e ardhshëm do ta kishim Kosovën e pavarur. (“Illyria” dilte dy herë në javë, në shtyp.)

Ka qenë nga pritjet më të ethshme të jetës sonë. Kurorëzim ëndrrash, përpjekjesh, vuajtjesh, sakrificash. Ndërgjegjësim për ata që nuk ishim më gjallë për ta parë.

Pritëm me shpresë për ndonjë sinjal më të sigurt, por shpallja e pavarësisë ishte sekreti më i madh publik, që të gjithë dukej se e dinin e askush nuk donte ta thoshte i pari. Si ato magjitë që duket sikur do te prishen me një fjalë të vetme. Si ato situatat e bukura që ke frikë se mund të zgjohesh papritur e të zbulosh se ishte vetëm një ëndërr.

Ishte një pritje e ëmbël. Mbaj mend se kam ecur nga rruga 34 në rrugën 90, nëpër Manhattan, drejt shtëpisë, si i dehur, pa pirë asnjë pikë alkool. Mesiguri me sytë e ndezur prej një të marri.

Duhej te prisnim edhe katër ditë deri në numrin e ardhshëm, por e kishim dhënë paralajmërimin. E kishim nxjerrë prej gjoksit si çlirim, e kishim vënë aty në krye të faqes së parë. Pikërisht pas mesnatës u bindëm, e bindëm veten, se nuk kishte arsye të mos e shqiptonim hapur: VETËM PAK ORË NGA PAVARËSIA E KOSOVËS

Është e habitshme se si pak minuta e pak orë mund të prodhojnë më shumë emocione të ngjeshura se sa vite të tëra së bashku. Aty në fund të një rruge e në fillim të një tjetre, koha ngriu në vend, 48 orët që vijuan janë fshirë nga kujtesa ose janë ruajtur si një sekondë e vetme, e pagjumë. Sekonda më e gjatë e jetës.

Please follow and like us: