Albspirit

Media/News/Publishing

Libri poetik i Rudolf Markut botohet në greqisht

Libri poetik i Rudolf Markut, “Rrathë të brendashkruar, botuar së pari nga Shtëpia Botuese “Onufri, Tiranë, në vitin 2020, botohet këto ditë në Athinë, Greqi, prej Shtëpisë Botuese prestigjioze të vendit fqinj, Vakxikon Publishing House, një Shtëpi botuese që ka publikuar më parë autorë si Elitis, Kavafis, Seferis, Pablo Neruda e shumë emra të tjerë të majave të poezisë greke dhe botërore.

U kujtojmë lexuesve se po ky libër poetik i Rudolf Markut pat qenë botuar në vitin 2021 dhe në Texas, Dallas, prej Mundus Artium Press, me një tirazh mbi 5000 kopje, dhe ka pasur review të suksesshme e tepër favorizuese nga kritika amerikane.

Libri është botuar bilingual, greqisht-shqip, dhe është përkthyer nga Petros Çerkezis, i krahasuar dhe me variantin anglisht të poezive.

Më poshtë po sjellim dy Book Review të shtypit grek në lidhje me botimin e Rudolf Markut në Greqisht.
Poezia e Rudolf Markut është Arti më i shenjtëruar, është një religjion që nuk posedon Tempuj, dhe është gjeometri e asaj që nuk shpjegohet, është himn i udhëtimi të Argonautëve modern drejt rrugës së pafundësisë, por janë dhe endjet e brendshme të shpirtit dhe Himni i Natyrës që mbart të Bukurën dhe Përjetësinë.

 

Që të shkelësh në Tokë (me siguri), njëra këmbë duhet të qëndrojë jashtë saj, na thotë Nobelisti ynë Odysseas Elytis. Por këmbën tjetër, në çdo tokë që ai shkel, në atë të Londrës a të Ballkanit, Rudolf Markut ia ka rrëmbyer Universi, Gjithësia.
Ekziston një muzikë e brendshme gjithë harmoni, e lirë nga dogmat, me guximin kokëkrisur të lakuriqësisë, me guximin e goditjeve vertikale, me qëndisjet e fjalës.

Në përmbledhjen ‘Rrathë të Brendashkruar’ ka poezi që klithin, që ulërijnë, që të tërheqin me forcë, që të bëjnë të qash dhe poezi të tjera, që pajtojnë Lashtësinë me të Ardhmen dhe gjithashtu Njeriun me Fatin e vet, poezi që na prekin, na magjepsin, që na bëjnë të buzëqeshim ose na trishtojnë, sepse Tirana ‘nuk është më qytet ku ke dëshirë të jetosh’, siç thuhet në një parafrazim të poetit anglez John Betjeman.

Dhe vetë poeti thotë:

Pa e ditur se shiu bie prej vitesh më parë,

Tridhjet’ e ca vite, me rrebesh dhe furtunë,

Tridhjet’ vite që njerëzit nuk ngren sytë nga yjet,

Tridhjet’ vite që njerëzit janë më t’vetmuar se kurrë!

Ndërsa një javë më parë se të botohej libri, poeti, kritiku dhe botuesit Nestoras Poullaikos pat shkruar kështu në një artikull që paralajmëronte botimin së shpejti të poezive të Rudolf Markut në Greqi:

Rrathë të Brendashkruar: -poezia e Markut, është muzika e shpirtit të tij. Buron spontanisht dhe është e menjëhershme. Kjo poezi ka teknikë tepër shqiptuese dhe shkruhet si frymë; për këtë arsye shpaloset në letër, dhe jo në mekanizma qe nuk kanë shpirt. Marku adhuron të bukurën dhe hyn në të përmes fjalës plot hir, gjen çelësin e duhur që të hap portën mistike, jo vetëm të subjektit cilësor, por edhe të detajit krijues që është i lidhur dhe e ndërtrupëzuar me metaforën dhe simboliken.

Peizazhet e tij janë të pafundme;- është gjeografia globale, është tërë universi…Arkitektura e veprës së tij është e projektuar nga dëshirat e njeriut modern. Kombinon të vërtetën me të bukuren, fantazinë me të vërtetën…Poeti i çargjë fjalët plot e përplot me emocion, duke kombinuar elementët historikë me përditshmërinë, për të arritur metaforikisht shprehjen e njeriut modern!

Please follow and like us: