Dr. Vlora Obertinca: Miqtë e vërtetë janë thesare
“Njerëzit që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, vuajnë nga komplekset e vlerës së ultë, komplekse të cilat duhet shëruar me ndërdije”, Dr. Vlora Obertinca.
Që nga fëmijëria deri në moshën madhore, secili njeri ka rrethana të ndryshme të përvojave në jetë. Disa përvoja janë të bukura dhe disa të hidhura. Kështu në moshën madhore krijohen personalitete të ndryshme, të cilat reflektojnë sjellje të ndryshme në shoqëri.
Kur hasim në personalitete të komplikuara, është vështirë t’i përceptojmë edhe sjelljet e tyre jo racionale dhe si pasojë e kësaj mund të lëndohemi lehtë.
Bie fjala në shoqëri, kur ne mundohemi vazhdimisht të këshillojmë për të mirë miqtë tanë, shpesh këshillat tona keqkuptohen. Ose kur ju tregojmë miqve të afërt sekrete apo informacione të rëndësishme për të kaluarën apo jetën aktuale të tyre, gjëra që nuk i kanë ditur, por që do të duhej të jenë mirënjohës sepse jo secili mik ta tregon të vërtetën dhe jo secili mik të këshillon drejt, çuditërisht ndodh që përfundojmë si fajtorë pse zbuluam diçka të ndjeshme, fakt ky të cilin nuk mund ta përballojnë dhe ta pranojnë si realitet. Në fund padrejtësisht distancohen në heshtje, revoltohen dhe mundohen të revanshohen në mënyra të ulta.
Çka të bëjmë dhe si të veprojmë në këto raste, pyet njeriu?!
Ky grup i njerëzve duhet të kenë pasur jetë të vështirë dhe me shumë vështirësi kanë arritur të rriten vetë e pa përkrahje të prindërve si shtylla familjare. Është e vështirë të mësosh i vetëm, të rritesh para kohës i vetëm, të pavarësohesh e të punosh i vetëm dhe të çash shtigjet e jetës i vetëm. Të rrallë janë ata që ia dalin të jenë të suksesshëm. Ata që ia dalin me sukses, krijojnë për veten e tyre një status ‘idhulli’ në shoqëri e rrjedhimisht me kalimin e kohës gëzojnë edhe të qenurit në qendër të vëmendjes.
Në momentin që preken në sedër dhe ndeshen me një realitetet të hidhur që ia thotë miku dashamirës, ata ndjehen të kërcënuar, sepse mund të mos jenë më autoritativ dhe në qendër të vëmendjes dhe ajo është pa imagjinueshme për ta.
Në këto raste, duhet edhe ne detyrimisht të distancohemi, jo pse kemi bërë diçka të keqe, por që këta njerëz kanë nevojë për të shëruar ndërdijen e tyre dhe iu duhet kohë.
Me kalimin e kohës do të kuptojnë se kush janë miqtë e vërtetë dhe pa interes dhe do të shohin gabimet e tyre.
Çdo situatë në jetë dhe çdo ballafaqim me realitetin, është një leksion për ta mësuar.
Andaj respektoni dhe duani miqtë, aq sa bëjnë për ju! Koha shëron çdo gjë! ‘Veri amicis thesaurus sunt’ ose ‘Miqtë e vërtetë janë thesare’ thotë latini.