Shaban Murati: A do t’i kërkojë Polonia BE-së, largimin nga posti të Lajçakut?
Shënim nga blloku diplomatik
Portali news.yahoo.com njoftonte në 15 shkurt 2023 se Ministria e Jashtëme e Polonisë ka pushuar nga puna të gjithë diplomatët polakë, që janë diplomuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të MPJ të Rusisë të quajtur MGIMO.
Është sekret i njohur nga të gjithë se ky institut është themeluar dhe i menexhuar nga shërbimi sekret rus, dikur me emrin KGB dhe tani me emrin FSB.
Ministri jashtëm i Polonisë, Zbigniev Rau, duke shpjeguar motivet e veprimit administrativ të MPJ për largimin nga rradhët e shërbimit diplomatik polak të të diplomuarve në MGIMO, dekaroi për “Gazeta Polska”: “MGIMO është një ivestim në punën e imperializmit rus.
Është pjesë e “soft power” ruse dhe supozohet që të diplomuarit e atij universiteti i shërbejnë perandorisë ruse”.
Vendimi i MPJ të Polonisë për pastrimin dhe filtrimin e rradhëve të diplomacisë polake nga të diplomuarit e MGIMO-s së MPJ të Rusisë, është një vendim i drejtë sovran i saj për mbrojtjen e diplomacisë dhe të interesave shtetërore dhe kombëtare polake.
Në situatën e tanishme të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, të kërcënimeve ruse për luftë ndaj gjithë Europës dhe rreziqeve ekzistenciale, që Moska përfaqëson për gjithë fqinjët e Ukrainës dhe sidomos ndaj Polonisë, ky veprim i MPJ të Polonisë është i kuptueshëm dhe i mirëkuptueshëm.
Kjo masë preventive e Polonisë për mbrojtjen e diplomacisë nga viruset ruse duhet marrë si një model efektiv për të gjitha shtetet ish-komuniste, që sot janë anëtarë të NATO-s dhe të BE, dhe kanë plot të diplomuar të MGIMO-s ruse në poste diplomatike kyçe kombëtare dhe ndërkombëtare. Para disa vitesh, duke marrë shkas nga rrjedhja e informacioneve të klasifikuara atlantike nga NATO në Moskë, selia e NATO-s në Bruksel u kërkoi të gjitha shteteve anëtare listat me emrat e diplomatëve të tyre, që janë diplomuar në Moskë…
Vendimi i drejtë sovran i MPJ të Polonisë shkaktoi stuhi në Moskë dhe zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 17 shkurt në konferencën e saj të rregullt të shtypit sulmoi Poloninë, duke e cilësuar veprimin polak si shkelje të të drejtave të njeriut.
Nuk tha edhe humbje e disa burimeve të informacionit për Rusinë.
Duke marrë shkas nga vendimi i drejtë i MPJ të Polonisë për largimin nga rradhët e saj të diplomatëve polakë të diplomuar në MGIMO-n ruse, një pyetje urgjente lind nëse Polonia si shtet i rëndësishëm i BE dhe i NATO-s do t’i kërkojë BE-së largimin e menjëhershëm nga postet diplomatike të BE të diplomatit sllovak Miroslav Lajçak, i cili mban postin e të dërguarit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë dhe për Ballkanin.
Miroslav Lajçak është diplomuar në moshën 24 vjeç në vitin 1987 në MGIMO-n e MPJ ruse. Një vit më vonë në vitin 1988, kur vendi i tij ishte anëtar i Traktatit famëkeq ushtarak të Varshavës, i krijuar dhe i sunduar nga Moska dhe kur kuadrin diplomatik të shteteve të Tratatit të Varshavës e bënin institucionet ruse, Lajçak emërohet diplomat në ambasadën çekosllovake dhe sllovake në Moskë, ku qendron deri në vitin 1993.
Pas kësaj ai ka pasur një karrierë të shkëlqyer diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare , të cilën nuk mund të mendohet ta ketë një diplomat i një shteti të vogël e të varfër, pa një përkrahje të vazhdueshme nga një shtet i fuqishëm.
Ai gjeti të shtruar në tavolinë postet të rëndësishme diplomatike si drejtor Ekzekutiv në misionin e OKB për Ballkanin, i dërguar i posaçëm i BE për referedumin e pavarësisë së Malit të Zi, përfaqësues i lartë i BE në Bosnje-Hercegovinë, ministër i jashtëm i Sllovakisë, president i Asamblesë së Përgjithëshme të OKB, kryetar i OSBE në Vienë, etj.etj. për të mbrritur tani te posti delikat i përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë.
Në vitin 2018 MPJ e Rusisë i dha Miroslav Lajçakut titullin “doktor honoris causa” i Institutit MGIMO, për merita që duket ishin përputhur me interesat e Rusisë në arenën ndërkombëtare.
Aktualisht i diplomuari i MGIMO-S dhe doktor honoris causa i MGIMO-s ruse, është përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë dhe për Ballkanin. Çdo diplomat, që i ka ndjekur veprimtarinë dhe qendrimet e tij diplomatike në Ballkan, e ka të lehtë të konstatojë përputhjen me teza dhe qendrime të MPJ të Rusisë për Kosovën dhe për Ballkanin.
Në situatën e tanishme europiane të reve të zeza të luftës, që po vijnë nga Rusia drejt Europës, bëhet imediate një pyetja ekzistenciale për integritetin europian të diplomacisë së BE:
A do t’i kërkojë Polonia BE-së largimin e menjëhershëm të Miroslav Lajçkut nga shërbimi diplomatik i BE?/gazeta dita