Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona

Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona

Fotografia s’gënjen, por gjithashtu s’e tregon krejt historinë, ka thënë Paul Auster dhe sipas këshillës së tij, sa herë kemi përpara pamje të bukura, buzëqeshim, ndjenjat i kthejmë në fotografi.

 

Gjethet e kësaj vjeshte janë mahnitëse.

Sfondi me ngjyra, peizazhet e arta, varkat në brigjet e liqenit

dhe një çift që puthen të tërbuar nga dashuria.

Të gjitha këto na kujtojnë verën që shkoi.

 

Unë regëtij nëpër kujtime dhe shfletoj një libër të madh nostalgjie.

 

Kujtimet e bukura i kemi kthyer në fotografi.

Kemi qeshë dhe kemi shkruar poema lirike.

Por të këqijat ku janë?

Ato i djegim ose i fshehim në skutat e thella të zemrës

por kur çohen peshë dallgë te nostalgjisë, s’ka varkë që na shpëton.

 

Librat thonë se historia e hirit është e vjetër

që kur në Eden e bukura dhe e shëmtuara u pajtuan

të jetojnë bashkë nën të njëjtën çati.

Që atëherë ne flasim në të kaluarën,

por asnjëherë s’mësojmë mjaftueshëm prej saj.

 

Sa herë duam ta prarojmë vetveten, shohim se përditë

bëjmë gabime të ngjashme me ato që u bënë para nesh.

E braktisim Edenin dhe hyjmë në ferr.

Hamë pemë të ndaluara dhe ulim zërin e ndërgjegjes.

 

(E ulim aq shumë sa ndonjëherë vdes).

 

Duartrokasim liderë të çmendur dhe u ngrehim trupore të larta.

Pastaj mbi ta pështyjmë, hedhim gurë dhe ua prishim pamjen.

 

E morëm këshillën se duhet ta mbjellim kopshtin tonë,

me trëndafila e pisha shpirti,

por tundohemi të shohim tjetrin,

ndaj Ingeborg Bachmanne e pikëlluar thoshte:

“historia mëson, por s’ka nxënës”.

 

S’kishte dje – profetët thonë se s’do të ketë as nesër.

Dhe ky gjykim s’është i rastit,

as pjellë e imagjinatës së një poeteje me shpirt të trazuar.

 

Poetja para se të shkruante këtë shihte anijet e pikëllimit të mbytura në dallgë,

prekte gjakun e freskët të abelëve nëpër bulevardet e mëdha

dhe librat e profetëve të rremë që shpërndahen falas.

 

Gjithmonë idetë e marra shpërndahen falas.

Ajo kishte sy të mëdhenj dhe shihte

si hynin njerëzit në errësirë dhe bëheshin të vegjël.

 

(Njerëzit frikësohen nga errësira, por hyjnë thellë në të dhe bëhen hije).

 

Ingeborg thoshte diçka të ngjashme me atë që kanë thënë të moçmit:

ne dënohemi për paudhësitë tona, dëshirat e çoroditura.

Ato që i bëmë dje kur kaluam rrugëve të përgjakura

dhe s’pastruam njollat e historisë,

kur u arratisëm nga një dhimbje dhe u strehuam në egon tonë.

 

Ne gjithmonë bartim mbi supe mëkatet që i bënë paraardhësit tanë.

Ata na lanë përmendore të shëmtuara dhe ne s’i thyem.

Ata na lanë libra të këqij dhe ne s’i dogjëm.

Ata na mbollën tokën me egjër dhe ne s’e pastruam.

Ata na lanë arkiva të pluhurosur dhe ne s’i shkundëm.

 

Dhe me ngarkesa të mëdha e librin e nostalgjisë marshojmë,

në mall, dhimbje, mëri, – transformohemi

dhe pasardhësve ua përsërisim episodet të njëjta tash e miliona vjet.

Please follow and like us: