Odise Kote: POETI
Poeti blen duhan rruge, të lirë e të hapur,
dhe pi cigarë të dredhur e kollitet rëndë.
Miq të dikurshëm, me cabrioleta të pastër,
Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend.
Poeti gjithë ditën pi veç një kafe të zezë,
për seanca me rreze kobalti s’ka lekë.
Miq të dikurshëm, që i vjedhin idetë,
vargjet e tij recitojnë në parlament.
Poeti thur baladat, si në balada tretet,
nuk ka kura speciale, s’blen dot as ilaçe.
Miq të dikurshëm, që e lanë të papunë,
ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake.
Poeti hyn në tekste librash e mediume,
vetmitar, si një shenjt, po vdes pak e pak.
Miq të dikurshëm, kanë gati fjalimet,
Për mëshirë një titull dhe një dekoratë.
Poeti blen duhan rruge, të lirë e të hapur,
dhe pi cigarë të dredhur e kollitet rëndë.
Miq të dikurshëm, me cabrioleta të pastër,
Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend.