Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: UDHË TË MBARË 36-ËS!

Librat që vijnë, janë si fëmijët “që lindin” nga dashuria jote, po njëlloj sikundër edhe 30 vite më parë kur erdhi në jetë ime bijë Kristiana, si edhe im bir Aleksandri 35 vite të shkuara! Për djalin përkushtova “Mozaik”-un në 2020-ën, ndërsa për vajzën “Dritëhijet e skenës dhe të ekranit”, këto ditë të 2023-shit, që përbëjnë po kështu, një nga pjesët më të rëndësishme të ecurisë sime, në këtë “mozaik” të realitetit shqiptaro-grek, ku është “përkundur” edhe jeta ime, me “dritëhijet” e saj të pashmangshme. Sikundër është edhe vetë TEATRI, qysh kur lindi, po këtu, rrëzë Akropolit e u bë më pas, ndër shekuj, pasuri e shpirtit njerëzor, pra edhe ëndrra ime, si një magji përreth një tempulli të përjetshëm… Gjithçka e shprehur në këto 36 libra modeste e të pasponsorizuara nga askush, që mbeten përherë të varfra përpara asaj BOTE të ndritshme e të pashtershme të artistëve tanë, po kaq të varfër sa edhe unë! E megjithatë, diçka mblodha si “lulet në lëndinë”, nga shpirti qiellor i Bekim Fehmiut me të Irena Papas, i Naim Frashërit me të Margarita Xhepës, i Mihal Popit me të Nikolin Xhojës e Sandër Prosit, i Ndriçim Xhepës me të Luiza Xhuvanit, i Robert Ndrenikës dhe i Agim Qirjaqit, i Tinka Kurtit me Marie Logorecin, i Vangjush Furxhiut e të Viktor Zhustit, i Mihal Luarasit dhe i Adonis Filipit… e kështu me radhë: me Tano Banushin, Edi Luarasin, Aishe Starin, Mimika Lucën, Shani Shllakun, Mentor Zymberajin dhe me parodistët e famshëm të Vlorës. Po dhe duke qëndruar në disa vëzhgime studimore të mëvetshme, si në fatin tragjik të dramaturgut Et’hem Haxhiademi, si në “rrëzimin” fatal të kineastit Viktor Stratobërdha, si në interpretimin e heroit tonë kombëtar nga gjeorgjani Akaki Horava, që mbeti aq i dashur edhe për ne, si edhe në dy filmat mbresëlënës të Saimir Kumbaros për një mbretëri groteske, po edhe në disa vlera të kineastëve të sotëm: grekë, spanjollë e turq. Duke e ndjerë veten fare të vogël para madhështisë së këtyre që përmenda! Po gjithsesi mbetet diçka pa e shprehur akoma, nga vlera e bota e tyre e pasur krijuese, që presin librat e ardhshëm, nëse “Shën Mëhilli” më “harron” përsëri!…
Falënderoj gjithë ata që më nxitën ta shkruaj e botoj edhe këtë libër: poeten e piktoren Irina Hysi, kritikun Josif Papagjoni, shkrimtarin Faruk Myrtaj, aktorin Nikolla Llambro, korrektoret Enkelejda Misha e Mirela Mihali, botuesin Lenci në “Eneas” dhe nipin tim Artan Çani, po edhe ata miq që i kam radhitur në kopertinën e librit, me përkujdesjen e mjeshtres Kela. Ato fare pak kopje të këtij libri, si edhe të disa të tjerëve, për ata që interesohen dhe që ende nuk kanë “hequr dorë” nga leximi, mund t’i gjeni në “Art Librari” të zonjës Arta Zeneli, përbri Monumentit të Mbretit Zog , në ish-Stacionin e vjetër të trenit në Tiranë.
Piqeras, më 10 mars 2023.

Please follow and like us: