Samiti i Uashingtonit në mbështetje të kryengritjes së Iranit për një Republikë Demokratike dhe të Lirë te Iranit
UASHINGTON, DC – Ndërsa kryengritja mbarëkombëtare e Iranit vazhdon në muajin e saj të gjashtë, të shtunën, më 11 mars 2023, një samit dypartiak, ku morën pjesë politikanë të shquar dhe ish-komandantë të lartë ushtarakë, u mblodh për të ofruar rekomandime për politikën e re të SHBA-së ndaj Iranit.
Kjo konferencë vjen pas rezolutës dypartiake të shumicës së Kongresit, H. Res 100, e shpallur më 9 mars 2023, në mbështetje të një republike jo-bërthamore dhe laike të Iranit.
Folësja kryesore e aktivitetit ishte Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit. Ndër folësit e tjerë ishte Mike Pence, ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili përsëriti rëndësinë e përkrahjes të popullit të Iranit dhe mbështetjen e aspiratave të tij për demokraci.
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit tha në fjalimin e saj: Kanë kaluar gati gjashtë muaj që kur filloi kryengritja mbarëkombëtare e Iranit. Pavarësisht nga masat e rënda shtypëse të regjimit ndaj lëvizjes protestuese, kryengritja e Iranit mbetet kërcënimi më i rëndësishëm për ekzistencën e regjimit.
Me gjithë këtë shtypje brutale, regjimi nuk ka arritur ta çrrënjosë kryengritjen. Sepse:
Së pari, kjo kryengritje i ka rrënjët në gjendjen shpërthyese të shoqërisë, varfërinë, papunësinë dhe mbi të gjitha gjendjen katastrofike të grave.
Së dyti, Njësitë e Rezistencës dhe një rrjet mbarëkombëtar i rezistencës së organizuar brenda vendit luajnë një rol të rëndësishëm në këtë kryengritje.
Sot jemi dëshmitarë të punës së kësaj lëvizjeje në të gjithë vendin. Pavarësisht arrestimeve të shumta të regjimit, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish iu bashkuan Njësive të Rezistencës të MEK gjatë kryengritjes. Kohët e fundit Njësitë e Rezistencës kanë ndërmarrë dhjetëra operacione kundër regjimit çdo ditë, duke përfshirë djegien e simboleve të regjimit.
Zëvendës presidenti Mike Pence vuri në dukje se: Sot, lëvizja e rezistencës në Iran nuk ka qenë kurrë më e fortë. Çdo ditë ne frymëzohemi nga guximi i të rinjve dhe të rejave që dalin në rrugë pa marrë parasysh sigurinë e tyre personale për të mbrojtur një të ardhme të lirë dhe demokratike. Njësitë e Rezistencës në Iran janë burimi i shpresës për popullin iranian. Ata janë një motor për ndryshim nga brenda regjimit gjatë kryengritjeve dhe protestave të vazhdueshme dhe çdo ditë ata po forcohen ndërsa regjimi dobësohet.
Unë me të vërtetë besoj se kjo nuk është thjesht një protestë tjetër. Është një revolucion në zhvillim. Regjimi duhet ta dijë se ne nuk gënjehemi nga reformatorët e rremë dhe kukullat e regjimit që pretendojnë se janë të moderuar. Ne e dimë se shumë prej këtyre të ashtuquajturve reformatorë nuk ofrojnë asgjë më shumë se shpresë të rreme dhe iluzionin e ndryshimit. Populli i Iranit dëshiron ndryshim të vërtetë dhe ndryshimi i vërtetë është pikërisht ajo që ofron MEK.
Plani me dhjetë pika i Maryam Rajavit për të ardhmen e Iranit do të sigurojë lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit, lirinë e fesë dhe lirinë e çdo iraniani për t’i zgjedhur vetë udhëheqësit e tyre.
Gjatë aktivitetit, zëvendës presidentit Mike Pence iu drejtua një pyetje: Cila është rëndësia e paraqitjes së një vizioni për një Iran të ardhshëm pro lirisë?
Mike Pence u përgjigj: “Para vitit 1979, kur Ajatollahu shkoi në Paris, ai foli me terma të paqarta se si do të dukej e ardhmja. Dhe kur ra Shahu dhe [regjimi i mullahëve] erdhi në pushtet, bota u tmerrua nga ajo që i ndodhi këtij kombi të madh. Dhe besoj se plani prej dhjetë pikash tregon faktin se kjo lëvizje është e ndryshme nga çdo lëvizje në të kaluarën. Është një lëvizje që bazohet në parimet demokratike dhe një përkushtim për stabilitet dhe paqe.”