Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Myftaraj: Erdogan, me origjinë shqiptare

Erdogani, ashtu si Ataturku dikur, nuk ka parapëlqyer të flasë për origjinën e familjes së tij. Duke qenë se në Turqi nuk gjenden rrënjët e familjes së tij, pati spekulime se Erdogani është me origjinë gjeorgjiane, madje armene. Në vitin 2003, kur Erdogan u bë kryeministër, ai e gjeti të arsyeshme t’ i mohonte këto hipoteza, por pa dhënë shpjegime të detajuara për origjinën e familjes së tij, duke u mjaftuar të thotë në mënyrë të papërcaktuar se ai është turk. Por Turqia është një vend ku ka një traditë të fortë fisnore dhe turqit autoktonë, e ruajnë vetëdijen e rrënjve të tyre, si prejardhje fisnore, si vendlindje familjare (krahinë e madje fshat, apo lagje qyteti). Edhe Erdogan sigurisht që e njeh origjinën e tij, por ka arsyet e tij për të mos e treguar atë. Erdogan me shumë mundësi është shqiptar.
Për këtë kam një informatë nga një njeri shumë serioz, një shkencëtar, i cili nuk ka asnjë arsye për të gënjyer, dhe të dhënat e të cilit gjithsesi mund të shërbejnë si premisë për kërkime të mëtejshme. Disa vite më parë, duke pirë kafe me profesor Osman Krajën, ish-rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitet ’80 dhe ish-ambasador më vonë, ai më tregoi një histori familjare shumë interesante. Familja e profesorit kishte emigruar në Stamboll për shkaqe ekonomike në kohën e Perandorisë Osmane. Ashtu siç e tregon dhe mbiemri i profesorit, familja e tij është me origjinë nga Kraja, një krahinë e populluar me shqiptarë në jugperëndim të Liqenit të Shkodrës, dhe që gjendet në Malin e Zi të sotëm. Sot banorët e të nëntë fshatrave të Krajës janë deklaruar të gjithë shqiptarë në censuset e mbajtur në Mal të Zi.
Profesor Osman Kraja ka lindur në 1930 në Stamboll. Në atë kohë babai i tij, Ibrahimi dhe babai i Rexhep Taip Erdoganit, Ahmeti ishin moshatarë dhe me shumë gjasë edhe kushërinj. Ahmet Erdogan zyrtarisht ka lindur në 1905 dhe ka vdekur në 1988. Ibrahimi dhe Ahmeti kishin miqësi dhe me sa duket ndihmonin dhe njëri-tjetrin në ato kohë të vështira, si shqiptarë nga e njëjta krahinë që ishin të dy.
Në vitet ’30 të shekullit të kaluar ekonomia e Turqisë u prek rëndë nga kriza ekonomike botërore, e njohur si Rënia e Madhe. Shumë tregtarë të vegjël falimentuan e kështu ndodhi edhe me Ibrahimin dhe Ahmetin. Ky i fundit ishte shitës simitesh, një tregti që më pas e ka ushtruar edhe vetë Rexhepi.
Shumë shqiptarë të Turqisë u kthyen në Shqipëri për shkak të krizës ekonomike. Ndër ta ishte dhe familja e profesor Osman Krajës. Ndoshta kështu do të kishte bërë edhe Ahmeti me familjen e tij, nëse nuk do të kishte gjetur befas një punë në Rojen Bregdetare në Turqinë verlindore. Kështu, Ahmed Erdogan u largua nga Stambolli me familjen dhe u vendos atje. Në kohën kur lindi Rexhepi familja ishte rikthyer në Stamboll.
Mbiemri “Erdogan” nuk duhet ta na gabojë, ashtu që të kërkojmë njerëz me këtë mbiemër në fshatrat e Krajës. Deri në vitin 1934 banorët e Turqisë nuk kishin mbiemra. Në vitin 1934 Ataturku nxorri një ligj që i detyronte turqit të kishin mbiemra. Me këtë rast familja e Ahmetit ka marrë mbiemrin “Erdogan”. Fjala “Erdogan” në turqisht do të thotë “njeri trim si skifteri (falconi)”. Në shumë raste mbiemrat i vendosnin nëpunësit e zyrës së gjendjes civile ose ndonjë zyrtar mbështetjen e të cilit e kishte personi. Me shumë gjasë, Ahmeti e ka marrë mbiemrin “Erdogan” kur shkoi të kërkonte punë në Erzurum (provinca Rize). Rojet bregdetare duhet të luftonin me kontrabandiëstët dhe ata duhet të ishin trima si skifterë. Prandaj dikush që do ta ndihmonte Ahmetin të hynte në Rojën Bregdetare si sugjeroi këtë mbiemër si kredencial. Kështu familja mori mbiemrin që më pas do të bëhej i famshëm.
Nëse e shikon me vëmendje Rexhep Taip Erdoganin nga pikëpamja antropologjike, ai ka tiparet e njeriut të zonës së Krajës. Erdogani është shtatlartë, i bardhë në fytyrë, ndryshe nga ç’ krijohet përshtypja kur e sheh në televizor ku të krijon përshtypjen e një njeriu disi zeshkan. Në aspektin kraniologjik (forma e kafkës) Erdogan nuk ngjan aspak me llojin e turkut të Anadollit. Erdogan të ngjan çuditërisht shumë me tipin e shqiptarit të Shqipërisë Veriperëndimore, ashtu siç na shfaqet në pikturat dhe gravurat e piktorëve të huaj, të shekullit XIX.

Please follow and like us: