Bardhyl Londo: Kush je ti?!
Kush je ti? Sfidë e shekujve,
grusht i tiranëve, tmerr i mbretërve.
Lirinë kërkon. Pushka s’ka çark.
Fluturimin do e krahët s’i hap.
Me rraso je veshur, zotin e tall.
Kush je ti? Perëndi a djall?
Herë Bethoven, herë Kajam.
Nuk e di kur qesh, nuk e di kur qan.
Ofeli e ëmbël, korb që të tremb,
të dhemb kaq shumë e s’di ç’të dhemb.
Hamlet i ngrysur, Sanço hokatar,
gjysmë asket, gjysmë mëkatar.
Herë urrejtje, herë dashuri.
Kush je ti? Zjarr apo hi?
Zhurmën e pëlqen, heshtjes i flet
gjysma lolo, gjysma mbret.
Këmbët në Boston, zemrën në Ballkan.
Njëri sy të qesh, tjetri të qan.
Duart të ngrijnë, zjarrin s’e ndez.
Lumejtë i pi e etja të djeg.
Heshtje e shurdher, gjëmim hata.
Kush je ti, kush je ti, pra?
Oh, po pas dilemës u fshehka gjeniu,
brenda një loti ndritka njeriu.
Kështu ngjitesh e zbret shekujve;
sfidë e harrimit, tmerr i mbretërve,
zjarr që përvëlon, kallkan acar.
Kush je ti? Noli shqiptar!