Andrea GUDHA: Në kujtesën e një mjeku
Në kujtesën e një mjeku (Kazuistikë pediatrike)
“Një temë të re studimi shkencëtari e zbulon vetëm, por është vështirë të përfundohet me sukses çfarëdo pune shkencore, pa bashkëpunimin me të tjerët”, Aleksandër Fleming.
Trokitje
15 Qershor 2001. Ishte një ditë e zakonshme pune në Ministrinë e Shëndetësisë. Një nga kolegët e mi të punës më thotë se dikush kërkonte të më takonte, por nuk lejohej të hynte te porta. I telefonoj punonjësit të shërbimit që ta lejojë.
Në zyrë hyn një burrë dhe më thotë:
– Doktor a më mbani mend?
U mundova që t’i thërrisja kujtesës, por nuk po më ofronte fytyra e tij të njohur.
Në çast ai më thotë:
– Doktor, jam nga Memaliaj, babai i S.T, që ka qenë shtruar në Pediatrinë e Gjirokastrës, me Tetanos në vitin 1986. Nuk kam asnjë hall, erdha vetëm për t’ju takuar, për tu shprehur mirënjohje…
Menjëherë rasti m’u kujtua shumë mirë, megjithse kishte kaluar një kohë e gjatë, 15 vjet.
Mu kujtua në çast gjendja tepër e rëndë e fëmijës, manipulimet e shumta mjekësore që ju bënë, ndaj me ndrojtje e pyes:
– Si e ke vajzën me shëndet?
– Vajzën e kam shumë mirë me shëndet. Tani është nxënëse në shkollën e mesme “Harry T. Fultz” në Tiranë dhe shkon shumë mirë me mësime. Do të vi një ditë, sëbashku me vajzën që, t’iu takoj – më thotë i gëzuar.
– Ju pres me kënaqësi- i thashë.
***
Atë ditë, nga rutina e punës së përditshme në zyrë, kujtesa mu ngacmua…!
Më dolën para imazhet e punës sime në vite më parë, si mjek pediatër reanimator dhe si shef pavioni në spitalin e Gjirokastrës, si nëpër një film bardh e zi ku personazhet ishin jeta dhe vdekja e ku luftohej çdo ditë në emër të jetës…:
Bluza e bardhë e stetoskopi, “Mirëmëngjes, doktor!”, ngritja e Reanimacionit të Pediatrisë (fëmijë në gjëndje të rëndë nga Gjirokastra, Përmeti, Tepelena), fëmijë të shëruar, fëmijë të vdekur, ankth, urgjencat, netë pa gjumë, falenderime prindërish, prindër të hidhëruar, mjek roje, konsultat, marrëdhëniet me kolegët e me infermieret, diagnoza të rralla, morgu i spitalit, laboratori klinik e bakteriologjik, punksionet e lamat për përcaktimin e diagnozës, farmacia, konferencat anatomo-klinike, diskordancat klinike minore e majore dhe anatomo-klinike, vdekje të papritura, raste mjeko-ligjore, disertacioni Kandidat i Shkencave, sesionet shkencore, simpoziumet, Konferenca Kombëtare e Shoqatës Mjekësore – Tiranë, librat e pediatrisë për konsultim si Traktati Robert Debre (dhuratë nga kushërinjtë e mi nga Athina, viti 1977), biblioteka e qytetit ( revista mjekësore e përmuajshme si Archives de Pédiatrie), konsultat telefonike me mjekët e Spitalit të Pediatrisë – Tiranë, Shoqata mjekësore – Gjirokastër, marrëdhëniet me Shoqatën e Mjekëve – Janinë, vizitat mjekësore në Q.SH. Picar, shkëputja nga spitali dhe puna si mjek pediatër privat (1992-1994)… Ardhja në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 1995, me Ministër Maksim Cikuli…
Në shtëpi, me pa durim, kërkoj në bibliotekën time. Gjej përshkrimin e rastit me makinë shkrimi të bebit 3 ditësh të shtruar në reanimacionin e pediatrisë me diagnozën Tetanos neonator (rasti 64), të sjellë me urgjencë nga Memaliaj. Përshkrimi i rastit shoqërohej me 2 fotografi të bebit dhe një fotografi tjetër, të cilën ma dërgonte i ati i fëmijës, duke më uruar për Vitin e Ri, kur fëmija ishte 3 vjeç.
Duke i ruajtur si një pasuri të rrallë të arkivit tim personal, shfletova dhe një sërë rastesh të tjera, në të cilat, unë kam qenë mjek kurues apo konsulent. Sejcili rast ka të veçantën e tij. (Një pjesë e tyre janë botuar në revistat mjekësore dhe janë referuar në sesione shkencore të asaj kohe).
Më ngacmoi idea që t’i bëj një “supervizion” periudhës time si mjek pediatër e njëherësh të çmallesha me profesionin e mjekut, me fëmijët pacientë e me ish kolegët e mi të punës. Këtë “pasuri” mendova ta ndaj me shumë dashamirësi me miqtë e mi e, sidomos, me kolegët pediatër.
I seleksionova rastet, duke u nisur nga e veçanta në përzgjedhjen e rasteve të rralla në përvojën shumëvjeçare të kolegëve të mi pediatër, si, dhe, me një shpeshtësi të rrallë të përshkruar në literaturën mjekësore të autorëve të huaj.
Janë 80 raste: fëmijë të shëruar si dhe fëmijë të vdekur në pavionin e pediatrisë, të diagnostikuar dhe të mjekuar në mundësitë shkencore dhe në rrethanat e mundëshme të komunikimit professional gjatë periudhës kohore 1980-1992 në Shqipëri.
Shënim. Rastet janë të konsultuara vetëm me mjekët në spitalin e Pediatrisë Tiranë. Vetëm, në vitin 1992, me ndryshimet demokratike, që ndodhën në Shqipëri (me hapjen e kufirit greko-shqiptar), fëmija I.B ( rasti 44) dërgohet për konsultë në spitalin e Janinës- Greqi.
* * *
Fillimi i Shek. XXI, fal zhvillimeve në Bio-teknologjinë mjekësore, po favorizon plejadën e mjekëve pediatër, duke i informuar dhe trajnuar vazhdimisht drejt njëprofesionalizmi të vërtetë në shërbim të fëmijës së sëmurë, por, njëherazi, ky formim profesional kërkon gjithëmonë, që një profesionist i mirë të karakterizohet në rradhë të parë nga vlerat më të mira njerëzore, në përballje me sfidat e moralit të shoqërisë në tranzicion që po kalon vendi ynë dhe ku, kultura shëndetësore e popullatës tonë është ende e ulët…
Duke u ndodhur para këtij hopi cilësor në mjekësi dhe në sistemin shoqëror, sinqerisht isha i lëkundur për botimin e këtij libri. Në këtë mëdyshje pata një mbështetje morale, si dhe një ndihmesë të çmueshme, fillimisht nga dy reçesentet e këtij libri: Doc. Afërdita Gusho dhe Dr. Teuta Jovani, me vërejtjet dhe sygjerimet e tyre, të cilat i falenderoj përzemërsisht.
Për të qenë më i saktë shkencërisht dhe, më i qetë shpirtërisht në marrëdhëniet e mia nëpërmjet librit me komunitetin mjekësor, librin e përfunduar, para botimit, me shumë kënaqësi ja u dhashë për vlerësim tri personaliteteve të shquara të pediatrisë shqiptare: Prof. Dr. Selaudin Bekteshi, Prof. Dr. Thoma Kristo, si dhe shokut e mikut tim të veçantë Prof. Dr. Maksim Cikuli.
Angazhimi i tyre serioz dhe shënimet për librin më inkurajuan për botimin e librit, por njëherazi më obligojnë për të ardhmen.
U shpreh mirënjohjen time më të thellë!
***
Duke lexuar librin “Në kujtesën e një mjeku”
Parathënie. Vjen një kohë që materialin e akumuluar t’ua komunikosh të tjerëve
Kësaj here, Andrea GUDHA, vesh përsëri bluzën e bardhë të mjekut. Herë të tjera e kemi hasur si muzikant, si kompozitor, si letrar, si historian ( histori mjekësie), etj. Ka botuar monografi e punime të tjera me vlerë për pediatrit; ka kompozuar këngë që kanë mbetur në kujtesën tonë, ka botuar libra mbi historinë e Mjekësisë sonë, drejton me dinjitet Shoqatën “Mjekësia, Letërsia, Arti”.
E pra, duket qartë se kemi të bëjmë me një figurë shumë-planëshe. Por ç’i lidh gjithë këto plane të shumta të këtij njeriu? Ç’kanë të përbashkëta këto aktivitete, që ndokush mund t’i shohë të shkëputura?
Mendoj, se, ajo që i lidh, emëruesi i përbashkët i gjithë ç’përmendëm, është nevoja e autorit për të eksteriorizuar ato që ndjen. Kështu, ai hedh frymëzimin në pentagram a në letër, kështu kthen dijet e përvojën në monografi apo botime për mjekët, etj. Pra në psikologjinë e tij, nga njera anë vjen frymëzimi apo akumulohen dijet, e nga ana tjetër, vjen një kohë kur ai ndjen “detyrimin”, që materialin e akumuluar t’ua komunikojë të tjerëve… E në përgjithësi ia ka arritur qëllimit.
Kësaj rradhe ai sjell për mjekët praktikë përvojën e tij si pediatër, kërkon të ndajë me ta, apo të përjetojë edhe një herë raste të vështira, që vite më parë e kanë lenë pa gjumë, raste që edhe për vetë atë, do të ishin më të thjeshta, nëse ndonjë koleg paraardhës i tij do t’i kishte hedhur në letër.
Ndonjë akademik skeptik mund të mendojë se, mjekut praktik s’ka ç’i duhet një përvojë e tillë, ose se atë e merr të gatëshme nga “text-book”-etj.
Mirë, po a më thoni se cili “text-book” tregon se si mund të zgjidhen këto raste në kushtet e një spitali modest province?
A nuk është mirë që dijet e fituara në shkollë t’i shohësh të realizuara në praktikë, ku jo ç’do gjë shkon “sipas librit”?
Ndaj, për këto arësye, mendoj se libri “Në kujtesën e një mjeku” i Andrea GUDHA, nuk do t’u mungojë lexuesve të shumtë!
Prof. Dr. Maksim CIKULI
Janar, 2003
Një libër i ri për pediatrinë
Mjeku pediatër As. Prof. Andrea GUDHA del para publikut mjekësor shqiptar me një botim të ri të titulluar “Në kujtesën e një mjeku”.
Në këtë libër autori bën një paraqitje analitike të 80 rasteve me patologji të ndryshme pediatrike të ndjekura prej tij në spitalin e Gjirokastrës gjatë një periudhe 12 vjeçare. Rastet e përshkruara u përkasin periudhave të ndryshme të moshës fëminore. Rastet kanë qenë problematike dhe relativisht të rënda, duke bërë të nevojshme ndihmën e mjeteve paraklinike, të konsultimeve specialistike dhe në rastet më fatkeqe: anatomo-patologjike.
Me këtë mënyrë veprimi autori paraqet në mënyrë të gjallë klinikën e të sëmurit, ashtu si shfaqet para mjekut me: dekursin, mjekimin, të dhënat laboratorike dhe përfundimin.
Siç shihet këtu nuk kemi përshkrim sistematik të patologjive si në tekstet e traktatet pediatrike, por një individualizim të vërtetë, duke e vënë lexuesin përpara një rasti të caktuar, që kërkon diagnostikimin e mjekimin.
Pra mund të themi se në këtë mënyrë i jepet mundësi mjekut të përvetësojë drejtpërdrejt ato të dhëna e njohuri që i gjen të përshkruara sistematikisht në tekstet e zakonëshme.
Për arësyet e mësipërme autorin Andrea GUDHA mund ta quajmë pionier në plotësimin e literaturës pediatrike shqiptare.
Mendoj se, libri i tij i ri do të jetë i vlefshëm si për pediatrit e specializantët ,ashtu, edhe në një farë shkalle, për studentët e mjekun e përgjithshëm.
Nuk dua të lë pa përmendur kujdesin që tregon A. GUDHA për të kujtuar e vlerësuar ato mjekë të Gjirokastrës, që janë edhe vlerë e mjekësisë shqiptare.
Prof. Dr. Selaudin BEKTESHI ( Akademik)
Tiranë më, 4.02.2003
Klinicist me formim klasik dhe me një prakticitet modern
Kam lexuar shumicën e traktateve kryesore të pediatrisë si edhe tekste të tjera të pediatrisë. Ato kanë vlerën e tyre botërore – me përshkrimin klasik për formimin e studentëve dhe të mjekëve në fushën e pediatrisë.
Në librin e shkruar nga Ass. Prof. Andrea GUDHA “ Në kujtesën e një mjeku” gjejmë një element të ri – të paraqitjes së përvojës së një mjeku pediatër edhe pse ka punuar në kushtet e një spitali me një infrastrukturë të mangët të bazës materiale.
Duke lexuar këtë libër, mu kujtua një tekst pediatrie, që e kam lexuar në rininë time studenteske. Ishte i përkthyer nga gjermanishtja.
Më bëri përshtypje se autori e fillonte përshkrimin:
“Hyra në pavion dhe më paraqiten fëmijë me këto apo ato simptoma etj…”
Autori, në këtë tekst, paraqiste më tepër gabimet diagnostike në jetën e tij, sidomos në rastet atipike.
Në përshkrimin e 80 rasteve të së sëmurëve që paraqet A.Gudha gjejmë një përshkrim origjinal, që nuk e ndeshim në literaturën tonë.
Ai paraqet me modesti sukseset, jo sukseset dhe shfrytëzon të gjitha mundësitë, duke u konsultuar edhe me mjekë të tjerë specialistë, për të arritur qëllimin final – të shpëtojë jetën e fëmijës së sëmurë.
Në këtë libër, autori bën një analizë të sëmurëve me një logjikë të saktë diagnostike, me kompetencën e një klinicisti të formuar dhe me kulturë profesionale. Pra, ai prezantohet në këtë libër si një mjek me tiparet e një klinicisti me formim klasik dhe me një prakticitet modern.
Ass. Prof. Andrea GUDHA me këtë libër jep një kontribut të veçantë në ndihmë të formimit të pediatrit në vendin tonë, duke e udhëzuar se si duhet të punohet edhe në kushtet spitalore me infrastrukturë të mangët.
Nuk e tepëroj të jap vlerësimin dhe konsideratën më të mirë për kolegun dhe mikun tim.
Ai ishte nga pediatrit e parë e të pakët, që punonin në rrethe dhe që u paraqit në katedër me një disertacion dinjitoz.
Që nga ajo kohë e në vazhdim ai me një punë të admirueshme e ka pasuruar bibliografinë pediatrike në vendin tonë edhe me mjaft botime të tjera në fushën e pediatrisë, letërsisë dhe historisë mjekësore.
Prof. Dr. Thoma KRISTO
Tiranë më 8.01.2003
Referencë për zgjidhje rastesh të vështira.
Libri i Dr. Andrea GUDHA “ Në kujtesën e një mjeku” është sa i veçantë për letërsinë dhe praktikën pediatrike, aq edhe i dobishëm për një mjek.
Autori paraqet jo raste të zakonëshme, por raste të ndërlikuara, ku duhej të mendoheshe , të shfletoje literaturë, të veçoje, të ndiqje e të konsultoheshe me kolegët, për t’i ardhur sa më shpejt e sa më mirë në ndihmë fëmijës së sëmurë.
Eshtë një punim që përshkruan raste konkrete, duke e gërshetuar përshkrimin e tyre me anën teorike.
Vlera profesionale e punimit rritet shumë nga përshkrimi i bërë aty edhe i rasteve kur nuk ka patur sukses.
Përshkrimet gërshetohen edhe me paraqitjen e ndërgjegjes së lartë të mjekut e të personelit tjetër spitalor, si edhe të komunikimit të duhur me prindërit e fëmijës.
Të gjitha këto e bëjnë librin shumë tërheqës.
Dua të theksoj, si një nga anët e mësimdhënëse të librit: punën e autorit për t’i sqaruar rastet jo vetëm me kolegët që ka pasur përreth, por edhe me ata që kanë qenë larg tij, kur ka gjykuar se kjo ishte e dobishme.
Për vlerat që paraqet libri theksoj se libri “Në kujtesën e një mjeku” i dr. Andreas është i pari dhe i vetmi i këtij lloji në literaturën mjekësore në vendin tonë, duke qenë kështu, punim shumë i vlefshëm për të gjithë pediatrit, veçanërisht për ata që punojnë në spitale.
Doc. Afërdita GUSHO
Shtator 2002
Jeta e vërtetë e një mjeku të përkushtuar që observon dhe përjeton gjithçka.
Duke përfunduar së lexuari librin e mjekut Andrea Gudha “ Në kujtesën e një mjeku” mbetej i entuziasmuar me cilësinë e tij si mjek dhe letrar, jo vetëm për të mjekuar, por edhe për të paraqitur me hollësi e elegancë atë ç’ka përjetuar gjatë punës së tij si mjek pediatër pranë shtratit të fëmijës së sëmurë, në spitalin e Gjirokastrës.
Pikërisht, në këtë libër, janë paraqitur 80 raste të nozologjive dhe të diagnozave nga më të ndryshmet të moshës fëminore, që kanë përfunduar: të shëruar dhe të vdekur, vdekje të papritura dhe raste mediko – ligjore.
Krijon një ndjesi të veçantë shpirtërore dhe respekt për punën sa të vështirë dhe humanitare të mjekut, e cila i shpërblehet atij me ndjenja të pashlyeshme nga kujtesa, përpjekjet e bëra për të shpëtuar këto krijesa të pafajëshme dhe për t’i kthyer të shëruar, në gjirin e familjes.
Ky moment është gjëja më e bukur shpirtërore për atë ç’ka ai arrin, por fatkeqësisht, mjeku ka edhe momente traumatike me efekte të forta emocionale, megjithë përpjekjet dhe mundësitë që ai bën.
Pra, kjo është jeta e vërtetë e një mjeku të përkushtuar, që observon dhe përjeton gjithçka.
Njëherësh, ky libër është një Kujtesë për të gjithë mjekët pediatër, veçanërisht për mjekët e rinj, që nuk kanë punuar në periudhën e mëparëshme, sepse, tani, pas viteve ‘ 90-të, hallkat e zinxhirit mjekësor, kanë ndryshuar, duke bërë të mundur uljen e frekuencës së këtyre sëmundjeve.
Por, aktualisht, në praktikën e përditëshme, herë pas here, ne ndeshemi me rishfaqjen e tyre dhe është momenti, që seicili të sjellë në kujtesë detyrën e mjekut, për t’i prevenuar, diagnostikuar dhe mjekuar këto sëmundje në kohën e duhur.
Libri “Në kujtesën e një mjeku” i mjekut Andrea GUDHA shpresoj të jetë një “Mikro – Vademekum mjekësor, praktik”, që do të zerë një vend të rendësishëm në bibliotekën e mjekëve pediatër, ku do të gjejnë elementet e: Profesionalizmit, të Metodikës, të Kolegjialitetit, të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore.
Dr. Teuta JOVANI
Shtator 2002
Akademia e Shkencave e Shqipërisë
…Në zhvillimin e Pediatrisë në Shqipëri kanë dhënë ndihmesë edhe H.Sulçebe, S.Bekteshi, R.Buda, Xh.Basha, Th.Kristo, Xh.Gjylbegu, Afërdita Gusho, Kostandin Kauri, Teuta Jovani, Polikron Celo, Kimete Nikshiqi, Andrea Gudha etj Fjalor Enciklopedik Shqiptar. Vëllimi i tretë, 2009. Pediatria.
Homazh.
Nderim dhe mirënjohje figurave të shquara të Pediatrisë shqiptare
Prof.Dr. Selaudin Bekteshi. Akademik. Hodhi bazat shkencore dhe tekniko- organizative të shërbimit pediatrik në nivel kombëtar. Drejtor i spitalit pediatrik, Tiranë (1960-1969), shef i katedrës së pediatrisë (1959-1988). Autor i shumë teksteve pediatrike, ndër to, veçohet Traktati i Pediatrisë I-II, viti 1974.
Doc. Afërdita Gusho: Shefe reparti, shefe klinike, Drejtore e spitalit pediatrik, Tiranë (1969-1975).
Prof. Dr. Thoma Kristo: Themelues i shërbimit të kardiologjisë për pediatrinë në nivel kombëtar. Shef reparti ( 1960-1970), shef klinike (1970-1992), shef i katedrës së pediatrisë (1988-1992). Autor i shumë teksteve pediatrike, në veçanti për kardiologjinë pediatrike.
Dr. Teuta Jovani: Themeluese dhe Shefe e reanimacionit pediatrik. Shefe e klinikës së pneumologji-alergologjisë në spitalin e pediatrisë, Tiranë.
Prof. Dr. Maksim Cikuli lindi në Korçë në vitin 1952. Mbaroi studimet në Fakultetin e Mjekësisë UT, me “Medalje të artë” në vitin 1974.
Në vitet 1974-’79 ka punuar si mjek i përgjithshëm në Minierën e Bakrit të Gjegjanit. Në 1979 -1981 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë.
Në Paris studioi Gjenetikë në Spitalin Necker. Hodhi bazat e Gjenetikës shqiptare, duke qenë pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1994 mbron titullin Profesor. Gjatë periudhës 1992 – 1994 shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe Shef i Departamenti të Pediatrisë. Në vitin 1993 – 1994 drejtor i QSUT “Nënë Tereza”.
Ministër i Shëndetësisë gjatë viteve 1993-1997 dhe 2005-2006 . Deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Njohës dhe lëvrues i letërsisë artistike (përkthyes). Më, 18 Maj 2020, u nda nga jeta…!
Tiranë. Mars, 2023