Jorgji Amerikani: historia e rrallë e emigrantit bamirës nga Berati që u zhvat nga komunistët
Nga Bardha Nergjoni
Histori të emigrantëve që u kthyen nga Amerika e largët dhe ndërtuan jetën në vendlindje ka shumë. Një prej tyre është ajo e Jorgji Vjeshtës, i njohur nga të gjithë në Berat si Jorgji Amerikani. Aq i rëndësishëm u shndërrua Jorgji për komunitetin ku jetonte sa ndërtoi një pus ku mbushnin ujë të gjithë, dhe me zemërbardhësi kontribuoi për familjet e varfra. Bashkia Berat e vlerësoi me emërtimin e një rruge dhe po kështu me vendosjen e toponimit të pusit që ai ndërtoi për komunitetin e Beratit. Publicisti dhe studiuesi Simon Vrusho, sjell detaje të jetës së Jorgji Amerikanit, që u kthye në Berat, investoi gjithçka dhe përfundoi pa asgjë përgjatë sistemit komunist. Ajo çfarë Jorgji Vjeshta i la Beratit është emri i mirë, këto dy emërtime, si dhe një vlerësim që nuk ka rreshtur për emigrantët e kthyer që prekën ëndrrën amerikane. Simoni sjell për herë të parë edhe një fotografi të vitit 1943 të Jorgji Amerikanit me familjen e tij dhe të afërm.
Simon, Berati ka një histori interesante sa i përket emigrantëve të kthyer në vitet ‘30 që investuan për qytetin. Cilët ishin disa nga emrat që morën edhe nofkën “Amerikani”?
Në Berat ka pasur mjaft emigrantë nga të Amerikës që, të kthyer në Berat, morën nofkën “Amerikani”, si Anastas (Cac) Amerikani (Sinjari), Todi Amerikani, Toli Amerikani, por veçanërisht i njohur ky llagap, ky mbiemër, kjo nofkë ka qenë me emrin Jorgji Vjeshta, Jorgji Amerikani. Ende nuk ka hulumtime për këtë mbiemër të ri, i cili, përtej evidentimit të faktit të të qënit emigrant në Amerikë, mund të ketë ardhur nga pasuria e vënë, nga shtëpitë e ndërtuara me projekt perëndimor, nga stili i veshjes, nga lloji i kapelës, nga stili i komunikimit, nga bujaria ndaj të tjerëve, nga gjerësia shpirtërore, etj.
Si është historia e Jorgji Amerikanit?
Jorgji Amerikani i lindur në vitin 1894, në moshën 18-vjeçare emigron në Amerikë, në Chester të Philadelphia-s dhe kthehet në Berat pas 24 vjetësh, në vitin 1938. Kishte krijuar një pasuri të konsiderueshme dhe me vete sjell edhe një gramafon të madh me mbi 50 pllaka me këngë kryesisht shqiptare por edhe amerikane. Sjell me vete dhe kujtimin e të qënit anëtar dhe kontribuues në Federatën “VATRA” të drejtuar nga Noli. Në oborrin e shtëpisë hapi një pus me çikrikë, me ujë të bollshëm, të ftohtë e të mirë, ku merrte ujë e gjithë lagjja. Dera e oborrit rrinte hapur natë-ditë, që gjithkush të vinte e të mbushte ujë, sipas motos së tij “Vetëm uji nuk mbahet, uji ndahet dhe pusi jo vetëm që nuk shteron, por vetëm shton.” Pusi i Jorgji Amerikanit ishte adresë, pikë referimi për lagjen.
E farë ndodhi pas ’44-ws me Jorgji Amerikanin dhe pasurinë e tij?
Pas ‘44-tës ia bën Jorgji Amerikanit rrugën-pus. Sekuestrime dhe tatime të papërligjura. Pushteti i zapton dhe ¾ e shtëpisë 2-katshe. E zhveshin nga kamja, por dinjitetin nuk ia zhveshën dot, as stimën në sjellje, komunikim, veshje. “Zoti Xhorxh!” – i drejtohej Dr. Dishnica.
Jorgjit iu sekuestruan dyqane e shtëpi, e tatuan padrejtësisht. 3/4 e shtëpisë iu uzurpua nga gjerakët komunistët. Mbetën pa punë, u diskriminuan. Mbijetuan në varfëri por me dinjitet. Familja e Jorgji Amerikanit nuk u internua por qëndroi në Berat dhe fëmijët e tij punuan në punë të rëndomta. Në vitin 1995 fëmijët e tij, 3 djem dhe dy vajza, ikën të gjithë në Amerikë. Jorgji Amerikani vdiq në vitin 1976.
A kthehen fëmijët e tij herë pas here në Berat?
Prej mëse 20 vjetësh pasardhësit e tij, dy djem e dy vajza, nipër e mbesa janë në Amerikë, në Amerikën që babanë, gjyshin e tyre e bëri Jorgji Amerikani. Vangjeli, i biri ka ardhur për disa ditë në Berat dhe kujton fjalët e të atit: “Bëra gabim që i shita restorantet në Amerikë, sepse prej tyre mund të merrja qiranë sot. Ah, të vete dhe një herë!”- thoshte herë pas here im atë” – Po ku vete dot tani, edhe po të hapej rruga, je i moshuar, ke harruar, prandaj rri baba, nuk e gjen dot rrugën. – i thoshte Vangjeli. – Unë e kam harruar Amerikën?- ia kthente me vrull Jorgji Amerikani të birit. – Në Amerikë unë shkoj dhe natën dhe rrugën e gjej po natën!”
Familja Amerikani vazhdoi me mbiemrin zyrtar, apo e ndryshoi?
Mbiemri zyrtar i kësaj familjeje vazhdoi të mbetet Vjeshta, por mbiemri popullor, i njohur nga të gjithë mbetetAmerikani. Edhe sot, në biseda beratasit i referohen si Amerikani. Vetë nëna ime, e cila ndërroi jetë në vitin 1972, në biseda aty nga viti 1970 e kujtonte me këtë mbiemër.
Shqiptarët që emigruan drejt “tokës së premtuar”
Janë plot 4105 emra të shqiptarëve që emigruan në Amerikë. Që të gjithë u larguan nga Shqipëria gjatë viteve 1900-1932 drejt “tokës së premtuar”, siç wshtw quajtur e siç vijon tw quhet. Mjaft të përmendet se 30 mijë prej tyre të organizuar nga 80 degët e shoqërisë “Vatra” zbritën në rrugët e SHBA për të protestuar kundër vendimeve të Konferencës së Londrës. Mbështetja për Shqipërinë nuk ishte vetëm politike, ajo ishte edhe ekonomike. Për nevojat dhe shpenzimet e delegacionit të Konferencës së Paqes në Paris, shqiptarët mblodhën rreth 250 mijë dollarë, të cilët u vunë në dispozicion. Sipas historianit Haris Silajxhiç, shqiptarët e Amerikës u përfaqësuan në këtë Konferencë nga shoqëria “Vatra” dhe përfaqësuesi i saj ishte Mehmet Konica. Kryesisht pjesa më e madhe e shqiptarëve u përqendrua në shtetin e Nju Jorkut dhe në qytetet e Bostonit dhe Masaçusets. Kjo tendencë vazhdon edhe në ditët e sotme. Ndërkohë shqiptarët filluan të integroheshin edhe në jetën amerikane dhe brenda pak viteve ngritën në këmbë bizneset e tyre që konsistonin kryesisht në sektorin e shërbimeve. Por një pjesë e tyre që arrinte në 30 mijë emigrantë, nuk i rezistuan dot këtij realiteti për një kohë të gjatë dhe u kthyen prapa në Shqipëri. Shqiptari i parë që vuri këmbën në truallin amerikan në vitin 1876 ishte nga Korça dhe më pas ndërroi destinacion duke u spostuar në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar më vonë në Argjentinë. Ndërkohë, shqiptari i dytë,i cili vuri këmbë në tokën amerikane në vitin 1889 ose në 1884, ishte Koli (Nikolas) Kristofori. Është emigranti i parë shqiptar që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet e tij. Në vitin 1900 numri i shqiptarëve do të arrinte në 42. Një numër i vogël ky përballë komuniteteve irlandeze, gjermane dhe italiane. Kulmi i këtij eksodi të hershëm do të arrinte në fundin e Luftës së Parë Botërore aty rreth viteve 20 ku shqiptarët rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të arrinin në 30 mijë persona. Shumica e tyre ishin burra që kishin lënë gratë e tyre në Shqipëri. Kështu që mund të shpjegosh edhe numrin e vogël të grave, të cilat mezi arrinin në 1000. Shtresat shoqërore të cilat kishin marrë rrugën e emigracionit ishin nga më të varfrat dhe vinin kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Por një fakt, i cili të lë me gojë të hapur, është se 3 mijë prej këtyre emigrantëve ishin nga Veriu i Shqipërisë. Por kanë qenë këto vite të cilat krijuan edhe diasporën e parë shqiptare dhe nga radhët e saj dolën shumë patriotë dhe intelektualë të cilët kontribuuan në çështjen e kombit.