Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Avdush Canaj 

NDOSHTA EDHE ATJE
Ndoshta edhe atje, në qiell
Takoheni
Si tek Edi
Miqtë e mi poetë
Cakërroni gotat
Për një varg aromë zymbylash
Për një strofë yllore
Buzëqeshja u ndrin
Në këtë ditëfestë poezie
Ndoshta edhe atje
Mbani ore letrare
Me violinat e guguftuve
E yjet duartrokasin për ju
Me duar prej rrezesh
Autografët ua kërkojnë me rend
Egjëllushet me pelerina
Nëse e takon tim vëlla, Alushin
I thuani:
Vjershën më të re nga ai
Ma ka lexuar në ballkon
Ylli i vet, që s’ia lëshon dorën.

5 janar 2021.

NJË PËRBINDËSH STËRKALASH

Një përbindësh sylesh
me teshtimë stërkalash
sillet rreth nesh.
Kërkon të gjejë strehë
të na nxijë pranverën.
Ia mbyllim derën
edhe dritaren e rritur
ku mund të hyjë papritur.
Me maskë
e dorëza si babi im
i dalim në dyluftim.
Bëhemi veri,
nga kali e rrëzojmë
përbindëshin e zi.
Me goditjet në shpinë
merr arratinë!
Ç’gëzim, hare!
Fillojmë lojë të re.

Gjilan, 24 mars 2020.

Please follow and like us: