Shefqet Meko: BREZI IM, BREZI QË “NUK VRAU…”
-Një “vështrim mbrapsh” dhe një ndjesi nderimi për sinqeritetin dhe ndjeshmërinë e brezit tonë-
Bashkëmoshatarët kanë qënë “thesari” im që tani e kuptoj që shpesh nuk e kam çmuar. Më kujtohet se në vitin 1969, kur ndërtonim shtëpinë e re, shokët e mi të klasës, ishin “skuadra vullnetare” që mbante gurë me karroca dore. Ne “konkuronim” me njeri – tjetrin kush kishte karrocën më të mirë dhe jo rrallë kishim edhe “targat tona” ku imitonim makinat që kishim parë në xhedenë poshtë fshatit…
Isha 10 vjeçar, kur për herë të parë humba një shok fëmijërie, Selaudini. Sela ishte një djalë i sinqertë dhe shumë i dashur. Ndodhi së bashku të punonim për të bërë tjegulla për shtëpitë tona. Gërmimi për humbën, një dhė special për tjegulla, ishte një aventurë e mundimshme. Humba ishte një shtresë e hollë, thellë në tokë dhe ne na duhej vetëm ajo… Unë jam zvarritur nën ledhe, duke ndjekur shtresën e humbës… Këtë bënte edhe Sela me babain e vet, Sherkën. Një ditë, në kërkim të këtij lloj dheu, ata të dy humbën jetën në duke u zënë si në “grackë” nga shtresa e dheut… Për herë të parë ndjeva vdekjen si një tmerr që kishte qënë aq pranë meje. Vdekja e shokut të fëmijërisë ishte e dhimbshme dhe trishtuese. Do shikoja gati përnatë ëndrra të tmerrshme si përleshje mes jetës dhe mosjetës. Shpesh do zgjohesha nga përfytyrime të llahtarshme. E kisha frikë vdekjen dhe ajo sikur më ndiqte edhe në gjumë, më dukej sikur shoku im i fëmijërisë “më thërriste” të shkoja atje…
Unë jetoj ende, falë Zotit dhe fatit tim. Nuk më besohet se kam kaluar 6 dekada dhe për herë të parë, sjell në mendje dramën e vdekjes së shokut tim të fëmijërisë si “takimi” i parë me ikjen e pakthyeshme. Kishte një peshë të veçantë dhimbja dhe trishtimi i asaj kohe dhe asaj moshe. E kujtoj këtë shpesh herë, ndërsa sot përditë, “vdekja e dikujt” që njeh, është bërë si “kafja e mëngjezit”. Lëshoj një lutje dhe psherëtimë dhe shikoj diellin që ka sjellë ditën time në Amerikë. “Pastë paqen e merituar”-flet bota ime e heshtur dhe kujtoj…
Brezim im, është “brezi i dashurisë për jetën”. Sjell në mendje mbrëmjet e argëtimit ku “vallzonte” shpirti dhe ëndrra jonë, kujtoj netët pa gjumë për të marrë provimet e radhës, kujtoj radhën nëpër menca ku do hanim “racionin e ditës” dhe përsëri më vijnë ne mendje fytyrat e qeshura të shokëve dhe shoqeve të shkollës… Nga buronte ajo botë optimiste? Nga mosdija, apo nga “dëshira për të ditur”?… Ne kishim një harmoni magjike mes vetes dhe me të tjerët. Ishim njerëz që çmonim fatin që na kishte sjellë në shkollë, dhe përditë, ishim në “betejën për të nxënë”. Kur befas vinte ndonjë lajm vdekje, ne tronditeshim. Nëse ishte prind i shokut apo shoqes, bashkoheshim si për t’u bërë “mburojë” ndaj dhimbjes. Jo rrallë ne ecnim kilometra në këmbë apo merrnim autobuza dhe trena për të dhënë “lamtumira” sepse e deshëm dhe çmonim jetën si një dhuratë që “nuk përsëritet kurrë”…
Kur pëshpëritej se “dikush ishte vrarë në kufi”, ne heshtim si për të minimizuar pëshpëritjen dhe prisnim në ankth që “tentative e arratisjes” të mos “vriste” ndonjë nga shokët apo shoqet tona. Rastet e tilla nuk ishin kurrë “vrasja jonë”. Brezi im nuk vriste. Ne nuk kontrollonim dot shtetin dhe ligjin e kohës. Ne thjesht vëzhgonim duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin.
Jetoj të sotmen. Dëgjoj lajmet e tashme. Ndjek portalet dhe “qelqet me ngjyra”. Lexoj në gazeta dhe mediat sociale dhe mbytem nga dhimbja dhe trishtimi. Sjell në mendje vdekjen e shokut të fëmijërisë dhe e di, diku afër, në një familje dhe strehëz, dhimbja është therëse dhe dirthëruese, shpesh e pakontrollueshme e gati në “luajtjen e fiqirit”. Lëshoj në ajër një lutje dhe përpiqem të shoh anën e ndritshme të jetës… Përpiqem kështu, edhe pse e di, unë nuk mund të ndal asgjë.
Vrasja e njeriut nga njeriu, është krimi më tragjik që përjetojmë në këtë shekull. Herë pas here pyes veten: Pse kështu? Pse njeriu urren kaq skajshëm “llojin e vet”? A është liria që “frymëzon” vrasësit, apo është liria që na bën të “mësojmë për çdo vrasje”? E kam të vështirë një përgjigje apo shpjegim, por përherë më vjen përjetimi i parë “vdekjes në fëmijëri”. Ishte tjetër lloj vdekje, por jam i sigurt çdo lloj vdekje ka “dhimbjen e vet”, që vetëm koha mund ta shuajë dhe platitë si një “tretje në det”. Koha, vetëm ajo “shëron çdo gjë”…
Kujtoj shokqët që nuk i kam më, por ishin pjesë e “brezit tim” dhe shoqërisë sime. Nuk di pse brezi im më duket brezi më i paqtë, brezi që “nuk vrau askëd”. Brezi që vetëm lotoi, por kurrë nuk mendoi për “atentante”, vrasje apo shpërthime eksplozivi… Ne jemi brezi që nuk kishim kurrë “revole në brez”, por libra e gazeta në duar. Nuk dua të them se ne ishim “paqja e vërtetë”. Edhe ne grindeshim. Edhe ne kishim “sherret tona”, për një fjalë, për xhelozi apo për “një vajzë të bukur”, sherret tona në të shumtën e rasteve ishin “sherre me grushta” që shpesh shkaktonte “mbledhje pa fund”… Sido që ishte, dyluftimi i brezit tim, ishte aq “simbolik” kur përjeton të sotmen. Ne përlesheshim për “të mundur” kundërshtarët, duke ua bërë “hundët përshesh”, në ndonjë rast edhe duke përdorur “doreza boksi”, por kurrë për të “asgjësuar tjetrin”sikurse flitet në ditët e sotme. Ndaj, “përleshjet” e brezit tim, ishin “përleshje paqësore” nëse krahasohen me “krismat e sotme”.
Ishim brezi i kohës “populli ushtar”. Ne stërviteshim me armë të vërteta. Ne bënim shërbime me armët me “fishek në gojë”, por nuk qëlluam mbi askënd. Ne nuk mendonim kurrë se me ato armë “mund të rrëzonim shtetin”, i kishim “vetëm për armiqtë” që mund të na pushtonin. Kujtoj vetëm një “krismë arme” në Institut. Edhe ajo nuk ishte “plumb mbi dikë”, por tentativë vetrasje në shërbimin ushtarak, për një “një provim në vjeshtë”. Ishim brezi i sedrës që edhe tentonim të “vetvriteshim”, por kurrë duke vrarë të tjerët.
Nuk di si ta nderoj brezin tim, miqtë që kam njohur nga çdo cep i Atdheut tim, shokët në krah meje, që përherë mbetën modelet e së mirës frymëzuese. Ne duheshim me njëri tjetrin edhe duke u grinder. Visheshim gati njësoj, me “këmisha fanellate” apo bluza golfe sintetike, por shpirti ynë ishte një variacion pafund njerëzor.
Në çdo mëngjez kur rufit kafen amerikane të mëngjezit, më duket se bëj “fiskulturën” e shpirtit me brezin tim duke kujtuar herë njërin, herë tjetrin. Nuk mbaj mend asnjë kriminel t’i përkasë brezit tim, apo të ketë qënë “shoku im” dhe ndihem krenar. Ne jemi “brezi i paqes” por përherë pa pushtet për ta ndryshuar botën dhe shoqërinë.
Brezi që “nuk vrau”. Jam pjesë e këtij brezi e ndihem krenar të jem.
31 mars 2023.