Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Katjusha Pogaçi

BOTA NUK ZHDUKET KUR TI MBYLL SYTË
Bota nuk zhduket kur ti mbyll sytë
Dhe fjalët s’humbasin kur ti hesht.
Urrejtjet flenë dhe dashuritë
Vjen koha zgjohen rrebesh.
Aty është bota, kur i kthen krahët
Ngarkuar halle bën sikur fle,
Nën ecjen e mardhur të sajat hapa
Trak-truk… Mbrapa i ke.
Nuk zhduket bota sado të ikësh
Si breshka përpara të del në kthesë,
Me qeshjen e verdhë ironike
Të përqesh.
29 mars 2013.
FJALA DHE HESHTJA
Mos mëno mërguar
Nëpër shteg e prag.
Fjala si kurorë
Heshtja si zambak.
Si hamall i fjalës
Matem diç të them.
Heshtja vjen kaluar
Nën mantel më mbledh.
Trokëllimë rrokjesh.
Ngrysem të dëgjoj,
Porse heshtja ulet
Ëmbël më mbulon.
Butë, butë e ngadalë
Me paqe më vesh…
Fjala si rrufe
Më ndan mespërmes.
Si në një balancë
Vetëtimë a shi,
Fjala bën ylberin
Heshtja qiellin gri.
12 prill 2013.
NA ERDHI FUSHATA
Na erdhi fushata, na erdhi fushata
Për fat, se nuk rrinim dot.
Nëpër podjume fjalime të zjarrta
Sa mirë se po rronim kot!
Na erdhi fushata, fjalime e karta
Në lagje e Televizor,
Në klube, në bare, në rrugët e gjata
Sa mirë se pa të s’bëjmë dot.
Na erdhi fushata, na erdhi fushata
Sa shumë i besojmë kësaj fjale.
Se, për të tjerat që na mungojnë
I shuajmë, i falim për fare.
Na erdhi fushata na pruri në prag
Plot zhurmë e punë te porta,
Na duket vetja se diçka vlejmë
Sikur peshë vërtet paska vota.
Na duket vetja të gjithëve të zotë
Tifozë më fort se në stadiumet,
Pa çka se karriget që presin me pompë
Janë caktuar, kush do të ulet…
Ato karrige, ato karrige
Që fshihen aq mirë në fushatë,
Shfaqen pastaj si xhevahire
Jo për të gjithë po për pak.
Ato karrige veç janë reale
Prandaj aq bukur s’duken,
Si kameleoni maskohen pas fjalëve
Gjersa fort mirë dinë të ngulen…
Se s’jepen lehtë ato karrige
Burojnë mjalt e jerm…
Ka ardhur fushata, ka ardhur fushata
Në fshat edhe në qytet.
Dhe dallgët e saj shkojnë valë-valë
I marrin të gjithë me vete.
Ka ardhur fushata dhe këtë radhë
E rëndë për ne është bileta.
25 maj 2013.

 

Please follow and like us: