Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Maloku: Fenomeni i lirisë së shprehjes dhe ai i “budallenjve” të Umberto Ecos

1. Debati publik në Kosovë ka kohë që ka degraduar keq. Aq keq sa që jemi dëshmitarë të një gjuhe agresive, të vrazhdë, fyese, paragjykuese dhe do shtoja e dhe stigmatizuese. Gjuhë kjo që kohëve të fundit aq shumë ka degradua sa që kemi edhe incidente të cilat keqpërdoren me qëllim për të favorizuar këtë trend stigmatizues. Gjitha faktet na flasin se në horizont kemi njē kacafytje permanente midis tē mirës dhe të keqes, midis injorancës dhe dijes, midis rrenës dhe të vërtetës, etj. Janë këto trende që pa asnjë diskutim janë duke simuluar e madje edhe duke stimuluar fenomenin e asaj që e kemi identifikuar si protagonzëm negativ në mediat tona sociale. Por, me çfarë në fakt ka të bëjë ky fenomeni i protagonizmit? Apo si mund të kuptohet sociologjia e protagonizmit? Protagonizmi si mënyrë e sjelljes, si normë e standard po edhe si fenomen sociologjik, mund të “prodhojë” si konotacione ashtu edhe përvoja pozitive e negative. Gjë që varet krejt nga motivet dhe interesat e personit apo grupit që kërkon apo këmbëngul nē vëmendje të shtuar publike. Personi që e shpreson dhe e synon këtë “stad” e varësi sociale gjithnjë këmbëngul të “dëshmojë” e ushtrojë epërsi në dialogim e nënshtrim në “duele” me individë e komunitete të ndryshme. Pa marrë parasysh nëse të njëjtit kanë merita apo kontribute të dëshmuare publike.

2. Në fakt, fenomeni i protagonizmit (tashmë) negativ në shumicën e rasteve na “delegon” kah vëmendja apo kah rëndësia qē personi e kërkon dosido, qoftë edhe përmes skandalit (jo tē izoluar, por) publik apo gjuhës së vrazhdë dhe gjuhës fyese. Personat e tillë p.sh. nē sferën mediatike, duke qenë të privuar nga kreativiteti dhe natyra perfeksioniste e ligjërimit, po dhe nga pashkathtësia e argumentimit të asaj çfarë thonë, kompleksin e inferioritetit nuk ngurrojnë fare ta “kompensojnë” edhe përmes skandaleve të ashtuquajtura “inteligjente” vetëm e vetëm që të animojë tërheqje masive të vëmendjes të publikut naiv e të pa emancipuar sa dhe si duhet! Shprehur në gjuhën sociologjike, këta tipa protagonistësh, me imponimet e ligjërimeve të tyre dalluese (në stil, në sens e në qasje) e me pamjaftueshmërinë e shquar sociale, mundohen gjithnjë ta “infektojnë” publikun e gjerë me “budallaqet e fshatit” të Umberto Ecos… Dhuna e ushtruar publike, ndaj cilitdo qytetar (pa dallim gjinie, moshe, etnie, kulture e religjioni) duhet ta brengosë si rendin ashtu edhe sistemin sociopolitik e madje edhe ate kulturor. Ama shumë më brengosëse është protagonizmi negativ që e ka pushtuar gjithë sferën publike mediatike në Kosovë.

3. Po jetojmë në një hapësirë dhe dimension kohor, ku si thotë shkrimtari i madh Umberto Eko: “kur dikujt i duhet të ndërhyjë për të mbrojtur lirinë e shtypit, atëherë ajo shoqëri është e sëmurë”. Pra protagonizmi negativ, ku gjuha e dhunës si një manifestim i urrejtjes apo frustrimit që për imperativ nuk e ka informimin e shpejtë, të saktë dhe të vërtetë, por e ka maksimizimin e lexueshmërisë apo shikueshmërisë (lexo klikueshmërinë!), është bërë ai synimi dominues. Për të cilën dukuri sociologjike, Umberto Eco thotë se “mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve… Më përpara ata flisnin vetëm në bare pas një gotë me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë”! Për Umberto Econ, sfera publike ku luhet loja e protagonizmave (lexo budallenjve) negativë, është një dramë e vërtetë ngase promovon “budallain e fshatit si garantues (pothuajse të vetëm!) të së vërtetës”. Shikuar kështu, ketë dukuri që po përhapet me aplikativitet masiv… më shqetësuese dhe më brengosëse do duhej të ishte “pushtimi” dhe “zbarkimi” i “budallenjve të fshatit” në sferën publike dhe në komunikimin masiv publik, se sa aktet sporadike të ushtrimit të dhunës. Sepse, pasioni për lirinë e shprehjes, nuk duhet assesi ta përfshijë të drejtën e abuzimit e përgojimit me të tjerët…

Please follow and like us: