Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Më mirë një fund me dhimbje, se sa një dhimbje pa fund

 

“Realiteti ndryshon atëherë kur ne ndryshojmë brendësinë tonë e cila reflektohet jashtë nesh, sipas principit të reflektimit të objektit në paqyrë”, Dr. Vlora Obertinca.

Ne nuk mund ta ndryshojmë askënd dhe më kot mundohemi ta bëjmë një gjë të tillë sepse secili njeri ka një mendje, një plan dhe një qëllim se ku ka dëshirë të arrijë në jetën e tij.

Çdo periudhë të jetës e karakterizojnë ngjarjet dhe protagonistët e saj të cilët nganjëherë janë të këndshëm e nganjëherë të hidhur, varësisht nga epilogu i ngjarjes. Këto janë cikle leksionesh të cilat duhet mësuar dhe përmbyllur, varësisht sa jemi të shkathët për t’i absolvuar më shpejtë dhe me sukses këto leksione.

Mënyra më e shpejtë e mësimit do ishte, sikur ta kuptonim me kohë që, ne nuk mund t’i ndryshojmë njerëzit as ngjarjet. Atëherë, ne duhet të ndërrojmë qasje dhe ta ndryshojm veten, mënyrën e mendimit dhe të sjelljes karshi leksionit si tërësi.

Kur është një leksion i bukur, sigurisht që ia vlen të ngelemi me vite në atë leksion sepse na ka lumturuar dhe na ka sjellur gjëra të vlefshme në jetë.

Por, nëse është leksion i trishtë me personazhe dhe tendenca negative, atëherë duhet t’i hapim rrugë dhe ta lirojmë sa më shpejtë situatën dhe personat, edhe pse epilogu sigurisht do jetë me dhimbje shpirtërore. Një duhet ta dimë se, herët a vonë ky epilog i dhimbshëm do të na pres. Më mirë një fund me dhimbje, se sa një dhimbje pa fund.

Dhe kur një ditë shtërngatat kalojnë sepse kemi ndërruar mendimin dhe brendësinë tonë karshi protagonistëve dhe situatës, ne në fakt jemi avancuar dhe ngritur në një frekuencë tjetër në të cilën ndjehemi rehat dhe të qetë sepse, tani kur e shohim veten në pasqyrë jemi version tjetër dhe më i mirë i vetes sonē.

Personazhet qē na lënduan në frekuenca më të ulta që i lamë pas, tani mund edhe t’i takojmë, por nuk do na lënë më përshtypje.

Kjo sepse, tani ne jemi në leksionin e radhës në një transmetim të ri me frekuenca të tjera, ku personazhet e kaluara nuk kanë më qasje sepse antenat e tyre nuk mund të kapin frekuencën e trasmetimit tonë aktual.

Ndryshoni brendësinë tuaj, për të arritur frekuencat e programeve që dëshironi t’i realizoni dhe t’i transmetoni në kanalin e jetës suaj!

Please follow and like us: