Kosova kalon fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Në lidhje me lajmin ka reaguar dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjete sociale shkruan se ky vendim bën që Kosova të kalojë me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë.
Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”, shkruan Kurti.