Harry Bajraktari: In memoriam, Bardhyl Tirana!
Bardhyl Tirana duke biseduar me Presidentin Jimmy Carter. (Fotografi nga libri Shqiptarët e Amerikës i autorit Vehbi Bajrami).
Kam pasur nderin e madh të takoja Bardhyl Tiranën në fillim të viteve 1990. Ai ishte njeri fisnik dhe një burrë shteti i vërtetë.
Bardhyli pati një karrierë të mrekullueshme në drejtësi, politikë dhe biznes dhe kishte një zyrë në Uashington DC në ato vite.
U njoha nërpëmjet disa miqve të përbashkët dhe u ulëm e biseduam shumë për Kosovën dhe kombin shqiptar. I kërkuam ndihmë për Kosovën dhe pa hezituar asnjë çast, na tha: “e keni në dispozicion ndihmën dhe energjinë time. Më thoni se çfarë ju duhet ”.
Për shumë vite shërbeu si këshillutar për Presidentin Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bukoshi se si ta prezantonin Kosovën në Uashington.
Ai u regjistrua edhe vetë në Uashington si përfaqësues ligjor i Kosovës dhe megjithëse ishte një nga avokatët më të kërkuar në kryeqytet, popullit të Kosovës i mori vetëm një dollar në vit. Puna dhe kontributi i tij ishin të pallogaritshme për kauzën tonë. Ai i hapi shumë dyer Dr. Rugovës dhe liderëve të tjerë shqiptarë nga rajoni.
Pata kënaqësinë ta takoj shumë herë më pas, veçanërisht kur themeluam NAAC (Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan). Z. Tirana ofroi ndihmën e tij pro-bono për të rishkruar aktet nënligjore të KKSHA dhe ishte gjithmonë një prani dinjitoze.
Ai me të vërtetë do të na mungojë dhe e quaj veten me shumë fat që e njoha dhe punova me të për Kosovën në ato ditë historike.
I shpreh ngushëllimet e mia gruas dhe fëmijëve të tij si dhe vëllait të tij Turhanit.
Zoti e bekofte shpirtin e tij!