Vdiq gjeneza ilire e shqiptarëve! Zbulohet gjeneza sllave e tyre!
Shaban Murati
Një narcist me shtatë tuje nga ata, që mendojnë se mjafton mjekrra t’i dish të gjitha, pas hulumtimeve vetiake në majë të vidhit, të penelit dhe të hurit, shpalli në nje mexhlis ndërkombëtar në Athinë në 28 prill 2023 zbulimin e madh të shekullit se shqiptarët dhe serbët janë kushurij.
Pas këtij zbulimi lind pyetja e madhe: meqë serbët dhe rusët kanë deklaruar pothuaj përditë në të gjitha instancat, që nga presidentët Putin dhe Vuçiç e deri te populli i thjeshtë, se rusët dhe serbët janë vëllezër me njeri- tjetrin, a i bie tani që shqiptarët janë kushurij edhe me rusët?
Pyetja tjetër është: nëse shqiptarët janë kushurij me serbët, a i bie që edhe shqiptarët janë fise sllave të përtej Uralit, që kanë ardhur bashkë me kushurijtë e tyre serbë në Ballkan në shekullin 7 të erës sonë, ku kanë gjetur ca popuj, që quheshin ilirë, dhe të cilët kishin toka me tepri, që me të drejtë ia morën fiset sllave.
Nuk mund të parashikohet nëse ky zbulim i pashoq gjenetiko-etnik ballkanik, që shqiptarët dhe serbët janë kushurij, do të marrë apo jo çmimin “Nobel”, por mund të parashikohet që Akademia e Shkencave e Serbisë dhe Akademia e Shkencave e Rusisë ta konsiderojnë për ta futur zbuluesin e kësaj teorie anëtar të Akademive të tyre.
Narcisti i mësipërm me një të goditur rrëzoi për tokë të gjithë shkencën europiane dhe albanologjinë, shkencëtarët dhe albanologët europianë dhe shqiptarë, me mjekërr e pa mjekërr, që prej shekujsh janë lodhur kot dhe kanë shkruar me qindra libra për të vërtuar gjenezën ilire të shqiptarëve.
Nëse individi në fjalë do të kishte folur në mexhlisin e Athinës për origjinën gjenetike dhe etnike të vetes apo të paraardhësve të tij si kushurij me serbët, nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo çeshtja është se teoricieni i ri i sllavologjisë foli në emër të “Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Kjo mund të çojë në atë që kushurijtë serbë mund t’u kërkojnë kushurijve shqiptarë zbatimin e tapive sllave të tokave të kushurijve dhe mund të firojnë disa territore të tjera shqiptare, p.sh. në Veri të Kosovës ose edhe ndonje copë deti Adriatik.
Nuk është ndonjë sakrificë e madhe, sepse midis kushurijve ndahet gjithçka, edhe tokat, edhe deti, edhe pasuritë, edhe nderi. Rëndësi ka që shqiptarët dolën kushurij me serbët dhe shqiptarët duhet të kënaqen me zbulimin e madh, që i jep përfaqësuesit të tyre më të lartë narcist rastin që të habisë botën shkencore dhe diplomatike dhe të shijojë bukurinë unike të vetes në pellgjet shqiptare të lotëve dhe të turpit.
Me zbulimin e madh të gjenezës së përbashkët sllave të shqiptarëve dhe të serbëve, tani Ballkani do të gjejë paqen dhe lumturinë e premtuar nga kushurijtë tanë serbë./gazeta dita