Albspirit

Media/News/Publishing

Nis numërimi mbrapsht për zyrtarët e korruptuar/ Ja si SHBA do pastrojë politikën e gjyqësorin

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese ditën e enjte i ka hapur rrugë hetimit dhe arrestimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve të korruptuar. Edhe pse u duartrokit dhe u përshëndet jashtë mase reforma në drejtësi, ka nisur numërimi mbrapsht si për gjyqtarët, por edhe për ata që e miratuan. Kalimi i draftit me ndryshime kushtetuese i hap rrugë së pari krijimit të Strukturës Speciale Antikorrupsion, brenda së cilës do të jetë prokuroria dhe gjykata e posaçme. Edhe pse aty parashikohen një sërë elementë të tjerë, thelbi i draftit përfundimtar është pikërisht ky organ, i cili pritet që të pastrojë një herë e mirë politikën shqiptare nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin, shkruan “Sot”

Pas ndryshimeve kushtetuese pritet dhe miratimi i ligjit për këtë organ, i cili do kompletojë gjithë planin për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta. Por kush do hetohet dhe si do të ndodhë kjo? Sipas draftit të miratuar të enjten, do të kalojnë në hetim të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë përgjatë 25 viteve të fundit, konkretisht: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Kryetari i Bashkisë, deputeti, zëvendësministrat, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe drejtues të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Roli i amerikanëve

Disa muaj më parë, ambasadori Lu e paralajmëroi se Byroja dhe Struktura Speciale do jenë në dorë të amerikanëve, pasi do vijnë agjentë të FBI. Po ashtu do të ndiqet modeli kroat dhe rumun. Rasti tipik i dërgimit pas hekurave të të korruptuarve është Kroacia, pasi ish-kryeministra, ministra, diplomatë e ushtarakë kanë përfunduar pas hekurave. Edhe në vendin tonë do të ndodhë një gjë e tillë dhe palët kanë nisur ta kuptojnë një gjë të tillë. Fakti se pati një sërë lëvizjesh për të bllokuar reformën tregon se palët i druheshin kësaj gjëje, teksa dhe kryeministri të enjten e paralajmëroi se do të ketë furtunë. Me anë të ndryshimeve kushtetuese, por dhe përmes ligjit për korrupsionin, u lihet dorë e lirë amerikanëve që të hetojnë këdo që ka sunduar në këto 25 vite në vend, duke filluar që nga qeveritë e Berishës, Majkos, Metës, Nanos dhe të Ramës. Madje në ndryshimet kushtetuese thuhet se hetimet nisin ndaj kujtdo ish-zyrtari që ka pasur akuza. Pra kushdo që gjatë 25 viteve është akuzuar për afera të ndryshme, do kalojë në sitë dhe kjo si duket i ka tmerruar politikanët shqiptarë.

Please follow and like us: