Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Goliku: Qumështi i bardhë e qumështi i zi

Ishim bërë qull në djersë kur arritëm në pllajën e malit, që ishte mbi njëmijë e pesqind metra. Bariu, që na dalloi nga larg, u thirri qenëve. Ne u afruam te tufa, edhe pse me druajtje, se nuk i dihej qenëve të stanit.
Bariu, një burrë i parruar, që me siguri i kishe kaluar të gjashtëdhjetat, u çel në fytyrë nga gëzimi kur na pa.
-Ky është bariu më i vjetër në këtë mal, – më tha Sotiri, mësuesi i fshatit, i cili u tregua i gatshëm të më shoqëronte.
-Ç’e mirë ju solli në këto anë? – na pyeti bariu pasi u përshëndetëm. Mësuesi i tha duke qeshur:
-Mbase për të rrjepur ndonjë kokë.
-Ti qeth ato kokat e fëmijëve, se janë bërë si dele rudë, – qeshi dhe bariu.
Fryu era nga verilindja dhe unë, që isha vetëm me bluzë, mardha. Bariu Lame hoqi nga supi brucën e tij dhe ma hodhi krahëve.
-Falemnderit, – i thashë. – Jam nisur si për tepdil hava. Harrova se mali është mal.
Kisha shkuar për një reportazh me temë të parrahur prej kohësh nga gazeta. Mali u duket si shkretëtirë e Gobit drejtuesve “hallexhinj” të gazetës.
Bariu përpara e ne të dy pas morëm të përpjetën e shkuam në nome.
-Mos u mërzisni sa të ziej pak qumësht e të bëjmë pak përshesh, se jeni lodhur. Mali të ha, themi ne pleqtë.
U ulëm këmbëkryq në kasolle dhe bariu Lame na vuri përpara një tas të madh me përshesh me bukë misri që ende nxirte avull. Pastaj se nga nxori dy lugë druri. – Hani sa është i ngrohtë, se aty e ka lezetin, – tha dhe u ul pranë nesh.
-Ç’thotë ky kryeministri ynë, – picëroi sytë bariu. Një nënqeshje ironike iu nder në fytyrë. – Ku do të dalë ai me atë ligjin për taksat! Lojë, vetëm lojë nga të gjitha anët, edhe nga qeveria, edhe nga opozita. “Edhe këtu majë mali nuk na u nda politika, sikur është hija jonë”, – thashë me vete dhe mbusha gojën me përshesh.
-Ai ka qenë burrë i ndershëm, kështu më është dukur mua, – vuri dorën në zemër bariu. E kishte fjalën për kryeministrin. – Po politika të shëmton fytyrën. E keqja qenka se politikanëve tanë iu është prishur karakteri, por politikanë nuk u bënë dot.
-Po çfarë janë atëherë, o Lame, se na fute në të thella e na e zure përsheshin në grykë, – qeshi Sotiri.
-Kusarë e zuzarë janë, ç’të jenë tjetër! – bëri si i habitur bariu.
-Akuzë e rëndë, – thashë unë sikur po dëgjoja një blasfemi.
-Qofsha unë i gabuar! – qeshi ai.
-Nuk thuhen këto gjëra në sytë e një zyrtari si unë, – tha mësues Sotiri gjoja i pezmatuar.
-Keni të drejtë, – më tha bariu, duke më vënë dorën në shpatull. – Ne jemi më të lirë këtu lart se ju atje poshtë.
Mësues Sotiri ndërroi bisedë: – Kur e ke blerë këtë radio? – e pyeti bariun dhe mori në dorë një tranzistor të mbështjellë me qese plastmasi, mesa duket për të mos u lagur nga shiu e vesa.
-Ma dërgoi djali nga Gjermania. Ai më shkroi se donte të më sillte një televizor portativ, po unë i thashë se më mjafton një radio dore. Po pse do të thoni ju. Po pashë në televizor, humbas pas tij dhe më ikën bagëtia. Ujku atë pret.
-Paske djalë të mbarë, – i thashë, – kujtohet për prindërit.
-Eh, m’u tek njëherë dhe e mora Fatbardhin, tim bir, në celular. Dëgjoja zërin e tij që seç thoshte gjermanisht, pastaj: “Hë, ba, ç’a ke se kam një punë urgjente”. Po pse o, tashti e gjeti ai punën urgjente, tashti që e mora unë, – thashë me vete. “Ato që kam veshur kam” ia preva dhe kyça celularin.
Bariu qeshi. – Si ka ardhur kjo botë , – tha. – Ca me kërraba, ca me celularë e kompjutera! Nuk i dihet, do të vijë koha që çdo deleje e dhije t’ua lidhësh në kokë nga një celular ose robot dhe t’i drejtosh nga shtëpia.
Për të hyrë në temë të reportazhit, e pyeta: – Keni pasur dëme nga ujku?
-Ka qëlluar, po qentë i kam të mirë e të rinj. Problem e kemi në dimër. Zbresim poshtë fshatit për kullotë në meratë e mbetura. Po ujqërit kanë ndërruar zakonet. Nuk kanë më frikë nga njeriu, as nga qentë. Të turren edhe kur i gjuan me pushkë. Ja, vjet sulmuan Zeqon. Ai vrau dy ujq, po gomarin dhe një lopë ia mbytën. Po ata politikajtë nuk i dinë këto. Ata thonë përmendësh fjalët që ua mëson partia, si dikur dhe dëgjojnë vetëm gratë, për të blerë këtë e atë jashtë shtetit.
-Sikur po e nxin realitetin, – i thashë. – Nuk mund t’i fusim të gjithë në një thes dhe t’i hedhim në lumë.
Bariu u vrejt dhe më pa drejt e në sy.- Ç’është e vërteta, unë e kam fjalën të rëndë, se kështu e kam pasur dhe jetën. Po jam i bindur se këtu qumështi del i bardhë, por tek ata lart që mjelin fjalë, telefona, kompjutera, del i zi.
-Si del i zi? – e pyeta. – Ç’domethënë kjo?
-Hë, e kupton ti, e kupton si dreqi ku dua të dal, po do të ma nxjerrësh mua… Ti e di më mirë se unë, se të ardhurat nga puna jonë i nxiros korrupsioni vëllaçko! Ja këtë dua të them!
Befas bariu ndjeu diçka. U çua e doli jashtë kasolles si me sustë. Dola dhe unë me mësuesin. – Dreq e mori! – shfryu bariu. – Ca dhi kaluan bregun dhe mund të kenë shkuar nga Gremina e Gjonit. – Dhe u thiri qenve: – Vrapo Balo! Kapi Murro!…
U kthye nga ne dhe tha: – Më prisni këtu! Erdha! –Dhe zbriti tatëpjetë me të hedhur mes barit e gurëve të pllajës.
Atë ditë shkuam edhe në dy stane të tjera jo shumë larg njëri-tjetrit, por barinjtë nuk ishin aq të qeshur e të ashpër sa bariu Lame.
Të shtunën shkova në redaksi me reportazhin nga malësia “Qumësht i bardhë e qumësht i zi” të hedhur në çip.
-Mendoj se ia vlen, – i thashë kryeredaktorit, Naimit.
-Mirë, mirë, – më tha pa i hequr sytë prej kompjuterit, – po nisu që tash për në fshatin Guranat të Fushëbardhit. Një burrë ka vrarë gruan e vjehrrën dhe ka plagosur kunatën. Duhet të jemi të parët atje.