Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Imer Merlika dhe libri “Vdekja është karrierë”

Një ndër kënaqësitë e mia më të mëdha, kënaqësi morale a intelektuale ka qenë dhe mbetet ende të jetë njohja me njerëz të mirë. Njerëz të mirë? Po. Koha nga vijmë ne, koha e komnizmit, ka qenë koha që i deformonte njerëzit.

Filozofi J. P. Sartre ka si tezë themelore të filozofisë së tij atë që egzistenca i prin esencës (thelbit). Për hir të ekzisencës njeriu e braktis thelbin (esencën). Sipas tij, njeriu ndërron, njeriu nuk ka thelb, nuk ka bosht, njeriu merr fytyrë e thelb tjetër, në përputhje me rrethanat që ia dikton egzistenca. Në se egzistenca i thotë të jetë baltë, njeriu shndërrohet në baltë, nëse egzistenca i thotë të jetë llum, njeriu merr fytyrë e profil prej llumi.

Fatmirësisht, për ne që vijmë nga një kohë që njerëzit i piqte si tullat në furrë, jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Disa nga njerëzit tanë dhe se në kushte të skajimit më ekstrem egzistencial, kanë ditur ta ruajnë të pacënuar fytyrën, identitetin moral dhe staturën njerëzore. Kanë ditur të duan njeriun, kanë ditur të bëjnë mirë, të kultivojnë thelbin humanist të pandryshuar, kanë ditur të jetojnë në normën e ca ligjeve të stërlashta, në kohën që i shkelmonte e i anatemonte të tilla kode, zakone e urdhëresa të moçme lgjesh.

Këtë qëndrueshmëri morale, këtë qëndrueshmëri si vijë praktike njerëzore ata e sollën mes për mes komunizmit deri në ditët tona. Kam takuar njerëz që kishin marrë formën e fosileve. Po fosile. Nga ushtrimi i gjatë, i pamëshirë i dhunës mbi ta.

Në një klimë tjetër, këto fosile nxorrën rrënjë, çelën gjethe, lidhën trung të fortë. Kjo tregoi se kanë qenë të gjalla edhe nën terror. Kanë pasur përbrenda energjinë e llojit, të gjeneve për të rezistuar. Historia i katandisi mbase në fosile, por nuk i asgjësoi. U tkurrën, u rrëgjuan por nuk u tjetrërsuan nga thelbi, nga esenca. Egzistenca dhe esenca ia dolëndorë më dorë dhe bashkë erdhën gjer në këto ditët tona. Kjo që thashë më lart është një filozofim mbi jetën e shumë miqve të mi që erdhën të gjallë duke shkuar nëpër luginën e vdekjes.

Një Familje e tillë është ajo e Merlikajve të Krujës, Jeta e kalvari i fisit të Imer Merjes. Ai e ka shkruar vetë historinë e tij. Një histori mbijetese që meriton ta quash histori tragjike, të frikshme. Histori e mbushur me jetë, me humanitet përmes mizorisë. Ka qenë e tmerrshme ta jetoje, por tani që erdhi, mund të themi që paska qenë dhe e bukur. Shumë e bukur. Jo vetëm për ata. Është një pasuri për historinë e rezistencës morale ndaj së keqes.