Albspirit

Media/News/Publishing

Donald Trump: SHBA nuk duhet ta kritikojë Erdoganin

 

Donald Trump ka lavdëruar dje presidentin turk për mënyrën sesi e ka përmbysur situatën dhe ka thënë se SHBA nuk duhet ta kritikojë për masat që po merr.
“Mendoj se Turqia mund të bëjë shumë kundër ISIS-it dhe shpresoj se nëse do të jem unë që do të merrem me ta, atëhere ata do të bëjnë edhe më shumë kundër ISIS-it”, tha ai, gjatë një interviste të gjatë me dy gazetarë nga “The New York Times”.
Shumë kritikë të kandidatit republikan për president janë të shqetësuar për adminirimin e tij për udhëheqës të dorës së fortë si Vladimir Putin. Sidomos për ndëshkimin e kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve të pavarur, duke anashkaluar ligjet dhe liritë e njeriut.
Liberalët druhen se këto lëvdata janë paralajmërime për mënyrën sesi vetë Trump do të qeverisë në SHBA. Por ata që e mbrojnë thonë se Trump thjesht po sinjalizon një angazhim më të pakët të Amerikës në botë.
“Ne kemi problemet tona, po na qëllohen policët në rrugë, kemi përleshje. Kemi Fergusonin, kemi Baltimorën – kemi problemet tona dhe duhet të përqendrohemi në këto probleme”, tha ai.
Gjatë kësaj interviste Trump tha se nuk garanton se do të mbrojë vendet Baltike nëse sulmohen nga Rusia, një deklaratë që ka shokuar vendet eurolindore që deri dje kanë besuar se NATO dhe Amerika janë mbrojtëset e tyre ndaj regjimit të Putinit. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: