Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Ilda Mejdani Jeha

******

Duaj, me të njëjtën zemër,

shijo me po ata sy mjalti të ri.

Shëtit. Pa kujtesë.

Vrapo. Pa mbërritur.

Kundro. Pa kohë.

Milingonës në lulen e limonit, afroji gishtin tënd të vogël,

jepi shansin e arratisë

në tokën e sajuar,

hutoje me rrengun e njeriut,

fryje tutje kur të jetë mbi thua…..

Tradhto, me të njëjtën zemër,

fundos me po ata sy, puse të vjetër.

Rënko me erën, dallgo me detin, tërbo me zjarrin.

Bëhu fëmijë.

Vëri buzët në harmonikën e një ushtari.

Kërce mbi themele mëkati.

 

******

Mos u habit,

kur të nesërmen e dashurisë sonë

të të shoh si vakt të ftohur,

indiferente, anësore.

Mos u përpiq të kuptosh rënien dhe mpiksjen tënde

tek unë si njollë në mëndafsh….

Përqafomë. Beftaz. Kur të jem duke dalë nga dhoma e fëmijëve,

e ftohtë, fantazmë, pemë në mjegull.

Kthemë me një gjest të thjeshtë, rrënqethshëm superior,

kapmë nga mjekra, ngrije fytyrën time përballë tëndes.

Mërmërit me buzët e tua fjalët e mia,

ato që çojnë shkulm gjaku në zemër dhe thajnë frymën.

Puthmë pushtet-ndihur nga dorëzimi im.

Dhe ashtu, për-pak i herojshëm, fito sërish humbjen tonë.

 

 

 

 

Please follow and like us: