Agim Xh. Deshnica: PERËNDIM BERATI
Shkoi dielli, iku tej Shpiragut,
hesht mes muresh lart kala e gurtë,
fshatrat mbi brigje ranë në gjumë,
hijet zgjaten e zhyten në lumë.
Dëgjohet thirrja e Zarizanës,
nga bregu përmatanë,
tek uji fle në pellg të thellë
josh djemtë e rinj e mbyt nën shtjellë.
Faqe Gorice në Mangalem,
dritat ndizen një pas një,
në urë mbi harqe fenerët varg,
zhduket në terr Tomori larg.
S’jehon më këmbanë e Shëndëllisë,
u mbyllën portat e xhamisë,
nuk shdrijnë as qirinjtë e Baba Aliut,
ndihet zëri ëmbël i Vexhiut:
“Më pushton që prej së largu
dhe një shpirt prej lashtërie”.
Lisat derdhin lot e gjeth,
kujtimi i trishtë shpirtin rrënqeth,
kur krismat hijeve nën ullinj,
vrisnin këngët, poetin e ri.—1)
Osumi rrjedh me murmurimë,
zemra rreh me përmallim,
te këmbë e urës vashë e flijuar,
lan sy e vetull e faqe e duar,
valle yjesh valë mbi valë,
lundra dergjet përmbys në zall.
Mbrëmja e vonë, pak nga pak
e lodhur kotet, bie në shtrat,
zogu i vonuar zbret në fole,
flakë mbi kreshtë, mjegull e re,
asnjë zë në muzg, as drita,
teksa tej Shpiragut, shkrep dita.
++1987
1)Poeti Nako- Namik Mehqemeja pushkatuar më 1945 në Berat.