Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Monizëm

Kjo botë nuk është e jona; ka dritë dhe hije, të nxehtë dhe të ftohtë, ka të mirë dhe të keqe. Diku e dikur kemi bërë një gabim dhe jemi lënë në Tokë. Shpesh, kjo na bën të mendojmë se ndodhemi midis dy botëve – më gjasa ka që bota të jetë ndarë më dysh. Konceptimi dualist ka qenë një fazë e domosdoshme në evolucionin e mendimit. Gjejmë pikëpamje të mira dhe të këqija që mbizotërojnë mes të gjithëve; ke të drejtë, s’ke të drejtë, ka Zot, s’ka zot.
Njeriu përpiqet të unifikojë konceptet e tij. Prandaj, ndërsa njerëzit e mirë priren drejt formimit të doktrinës së monoteizmit, njerëzit e këqinj çojnë natyrshëm në pranimin e një hyjnie të vetme të keqe supreme, të konceptuar si mishërim i gjithçkaje që del se është shkatërruese. Monoteizmi dhe monodiabolizmi, që të dyja e kanë origjinën në tendencat moniste të evolucionit mendor, dhe së bashku përbëjnë një Dualizëm, i cili për shumë është koncepti më i pranueshëm i botës. Megjithatë, nuk është qëllimi përfundimtar i filozofisë njerëzore. Sapo mendimtarët ndërgjegjësohen për Dualizmin e nënkuptuar në këtë interpretim të botës, tendenca përsëri shfaqet drejt një konceptimi më të lartë, që është një pikëpamje thjesht moniste. A do ta eliminojë Monizmi idenë e Djallit për ta bërë Zotin një dhe të gjithë? Apo do të shfuqizojë edhe Perëndinë edhe Djallin, për t’i lënë vend vetëm një bote materiale në lëvizje? A do të jetë e ardhmja e njerëzimit një periudhë në të cilën feja do të zhduket dhe do t’i hapë vendin mosfesë? Ata që nuk e vlerësojnë misionin e Dualizmit në evolucionin e mendimit natyrisht presin që e ardhmja e njerëzimit të jetë jofetare, madje se ateizmi do të zëvendësojë të gjitha konceptet e ndryshme të Zotit. Por kjo nuk është e mundshme. Prirjet moniste të epokës nuk do ta shkatërrojnë, por do ta pastrojnë dhe lartësojnë fenë. Zbutja e të egërit është një fazë e domosdoshme e evolucionit darvinian: megjithëse shfaqet si një gabim a hipokrizi për njeriun më të zhvilluar të një periudhe gjysmë të qytetëruar; por gabimi përmban një të vërtetë që natyrshëm zhvillohet në një konceptim më të përsosur të botës përreth. Në mënyrë të ngjashme, idetë fetare të kohës së sotme janë simbole. Marrë në kuptimin e tyre të mirëfilltë, ato janë të paqëndrueshme, por kuptohen në natyrën e tyre simbolike, ato janë fara nga të cilat do të rritet një konceptim më i pastër i së vërtetës. Tendencat e mendimit filozofik që mbizotërojnë sot çojnë në një konceptim pozitiv të botës, i cili zëvendëson simbolet me deklarata dhe sjell me vete jo një mohim të alegorive fetare, por një konceptim më të thellë dhe më korrekt të tyre. Një gjendje e pafe në të cilën njerëzimi do të adoptonte dhe do të mësonte publikisht një doktrinë të ateizmit është e pamundur, shumë vende kanë provuar, Shqipëria në veçanti, dhe dështuan. Monizmi dhe Ateizmi janë mohim dhe mohimet nuk mund të qëndrojnë, sepse ato kanë kuptim vetëm kur ballafaqohen me çështje pozitive të cilat i refuzojnë.
Please follow and like us: