Ata ishin dhe mbeten Kosovë, Shqipëri!
Nga Ramiz LUSHAJ
1.
Sot, Mali i Dajtit mori tjetër lartësi,
Historia i rritë Burrat dhe Malet.
Memoriali për lindtarët e UÇK-së,
I bashkoi prapë e përjetësisht:
Malin e Dajtit,
Lisat e kohërave – Çlirimtarët.
Sa lartësi e Gjerovicës,
Sa lartësi e Korabit…!
2.
Ata ishin Dy Grupe Çlirimtarësh,
Si dy krena Shqiponje në fluturim.
Ata ishin kreshnikët e Kombit tim.
Ata, mbi supet e tyre, mbartnin Lirinë.
Ata na i sollën Kosovës:
Paqen, Lavdinë, Shtetësinë, Krenarinë, Lumturinë…
3.
Ishte Vjeshtë e Madhe
me degë të pafundme e pambarim
andrrash e veprash për Liri.
Ishin Shqipet e Tetor-Nëntorit 1991
të Kosovës dardane me majemale histori:
Ishin Ortek Pranvere – ishin UÇK
Ishin pasardhës të 28 Nëntorit 1443 të Krujës.
Ishin vazhdim plotërie i 28 Nëntorit 1912 të Vlorës.
Ishin 12 Qershori 1999 – ishin Liri.
Ishin 17 shkurti 2008 – ishin Pavarësi.
Ishin dhe mbeten Shtetësia e Kosovës.
Ndër Kryefjalët e refrenet në Kancelaritë e Botës.
4.
Ata ishin Adem Jashar, Sali Çekaj,
Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Ilaz Kodra,
I lindën të lavdishmet Nana,
I rriti e madhërishmja – Kosova,
I njohi krejt Bota, Qielli e Toka.
5.
Ata ishin 30…
Ata ishin 300 mijë…
Ata ishin dhe mbeten Kosovë
Ata ishin dhe mbeten Shqipëri!